Zbardhen PËRGJIMET e SPAK: Si u bastis shtëpia e vartëses së Jonaid Myzyrit, autorët me maska dhe rroba policie! Gjetën 200 milionë lekë dhe morën peng vëllain

Grabitja e shtëpisë së prindërve të zyrtares së Komisionit të Prokurimeve Publike, Lindita Skeja, po hetohet si një çështje më vetë nga SPAK, pas përgjimeve ambientale ku flitet dhe për drejtuesin e pezulluar të këtij institucioni, Jonaid Myzyri.
Zyrtarja e KPP u përgjua nga Prokuroria e Posaçme në biseda përmes të cilave dyshohet se implikon Myzyrin, i cili është marrë i pandehur nga Prokuroria e Posaçme, ndërsa zbulon gjatë bisedës me nënën edhe grabitjen në shtëpinë e tyre në fshatin Grorëz të Librazhdit.
Ngjarja është regjistruar më 28 maj 2021 dhe katër vite më pas, po hetohet nga Prokuroria e Posaçme, sepse personat që kanë shkuar në shtëpinë e prindërve të Lindita Skejës të veshur si policë, kanë grabitur 200 milionë lekë të vjetra në valutë dhe kanë marrë peng për disa momente vëllain e saj.
Teksa bisedon me nënën për ngjarjen, në telefon, Lindita Skeja tregon sesi funksionon puna në Komisionin e Prokurimeve Publike, duke zbuluar se punonjësit firmosin “si dele” me urdhër të drejtuesit Jonaid Myzyri. Media “VNA” ka zbardhur detaje nga dosja:
“Autorët e kësaj ngjarje kanë vajtur me dy automjete të veshur me uniformë policie dhe të armatosur, ku dyshohet se kanë vjedhur një shumë parash. Nga deklarimet e marra familjarëve rezulton se; në orën 23:40, gjashtë – shtatë persona të paidentifikuar, të veshur me uniforma si të policisë, me armë në duar, me kapele në kokë, me maska kovidi dhe doreza të zeza në duar, kanë hyrë me dhunë në katin e parë të banesës dhe ju kanë thënë: Policia, ju jeni kriminelë.
Ju kanë marrë telefonat celularë dhe më pas i kanë mbledhur dhe i kanë çuar në një dhomë në katin e dytë të banesës, ndërkohë që kanë dhunuar fizikisht duke e kanë goditur me grushta dhe shkelma shtetasin Gëzim Skeja, ku më pas i kanë vënë prangat dhe katër prej të dyshuarve e kanë çuar në një prej mjeteve të tyre tip foristradë.
Më pas njëri prej tyre e ruante me armë në dorë automatik dhe i thotë a të kanë sjellë vëllezërit ndonjë lekë nga Anglia.
Një prej të dyshuarve ruante familjarët e tjerë të shtëpisë dhe të dyshuarit e tjerë kontrollonin banesën deri sa gjetën një sasi të konsiderueshme lekësh të prerjeve të ndryshme (paund dhe euro). Të konvertuara në 20 000 000 (njëzetë milion) lekë të reja.
Pasi kanë marrë paratë ata janë larguar me dy mjetet e tyre duke marrë me vete dhe shtetasin Gëzim Skeja të cilit i kanë thënë që do të dërgojmë në Komisariat në Tiranë sepse kemi urdhër për të të shoqëruar pasi nuk tregon të vërtetën, më pas e kanë zbritur nga mjeti në vendin e quajtur Labinot, ku njëri prej të dyshuarve i ka thënë, na tha shefi je i lirë”, thuhet në dosje.
Gëzim Skeja është lënë i lirë në rrugën nacionale Elbasan – Librazhd, në vendin e quajtur Labinot Fushë, pasi personat e maskuar që kryen grabitjen nuk kanë qenë vërtet punonjës policie dhe e kishin arritur qëllimin e tyre, me grabitjen e parave.
Dosja është tërhequr nga SPAK në kuadër të hetimeve që po kryhen ndaj zyrtares së lartë të KPP, Lindita Skeja dhe Jonaid Myzyrit. Skeja dëgjohet në përgjimet telefonike me nënën e saj: “shërbeva me sy mbyll… e du edhe pikë. E du kështu… firmos ne, të gjithë si delet. Firmën ne e lekët ata”.
Përgjimi i plotë mes Lindita Skejës dhe nënës, kapur nga SPAK:
Speaker A (Lindita): Ça ka lidhje puna ime oj Nonë. Ajo puna ime që për me ashtu, po ata na kishin piketu ne… do vinin e do të vrisnin… ja fut kot, puna puna, ça unë si gjithë dynjaja… ika unë vajtën të tjerët… as… a ka vajt njeri ti vjedh tek shtëpia ata? Ja fut kot oj Nonë. Ai na majti kështu… që krijum besim që ne jemi miqtë e atij… ene rrimë të qetë. Na ofroi mori informacione. Unë vajta dhe i shërbeva si qeni.
Speaker B: Hej zot!
Speaker A (Lindita): Vajta i shërbeva si qeni. I shërbeva me sy mbyll… e du edhe pikë. E du kështu… firmos ne, të gjithë si delet. Ime veme ku të na thërrasin. Rresht. Firmën ne e lekët ata.
Speaker B: A mos i hëngërt o Zot.
Speaker A (Lindita): Bojna se e dini ju se ç’ju boj unë, bojna… Më pas
Speaker A (Lindita): Amin… ata hop mrapë ere… hop mrapa… hop mrapa më çoi mu në KPP… më çoi mu në KPP, përballem atje me lloj lloj pislliku…
Speaker B: Pi hiç ere un s’ve po ene tha Dashi motrës tha mos shko…
Në dosjen hetimore, Prokuroria e Posaçme thekson se “nga rezultati i përgjimeve ngrihen dyshime të arsyeshme që në vendimmarrjen e KPP për shqyrtimin e ankesës me objekt: “Mirëmbajtje rutinë me performancë rruga Rrëshen (Ura e Fanit) – Shpal, Shpal-Q.Bene – Hadroj, Shpal – Ura e Repsit”, me fond limit 219.866.693 lekë pa TVSH si dhe në vendimmarrje të tjera, ekzistojnë elementë të veprimeve të kundraligjshme që mund të kenë ndikuar në këto vendime”.