Tragjedia e familjes Dhimaku, dy motrat shisnin misra në Sarandë për kurimin e vëllait me leuçemi! Familjarët në dhimbje: Na ndihmoni ta shpëtojmë!

Familja Dhimaku ka hapur dyert e mortit pas vdekjen tragjike të dy vajzave, Elvisa dhe Rozina, 22 dhe 20 vjeçe, të cilat humbën jetën në aksidentin fatal të ndodhur mbrëmjen e 24 gushtit në aksin rrugor Sarandë-Delvinë.

Të dyja studente të mjekësisë në Tiranë, Elvisa dhe Rozina paralelisht me shkollimin, punonin për të ndihmuar sadopak familjen e tyre për kurimin e vëllait të vogël vetëm 7 vjeç, i cili prej 3 vitesh vuan nga sëmundja e leuçemisë.

Në lot e me dhimbje, të afërmit e dy motrave të ndjera, kërkojnë ndihmë për kurimin e djalit të vogël të familjes. Ata tregojë se ai nuk di asnjë gjë për fatin e motrave të tij, pasi ai lajm do të rrezikonte seriozisht shëndetin e 7-vjeçarit.

Halla e Elvisës dhe Rozinës tregon se dy vajzat punonin dy punë dhe se atë natë ato erdhën në shtëpi për të pushuar e më pas dolën përsëri për të shitur misra në qytetin e Sarandës. Vetëm 20 minuta pas largimit të tyre nga shtëpia, familjarët kanë marrë lajmin e hidhur për aksidentin.

Jetojmë në këtë dhimbje kaq të madhe. 2 çupat ikën nuk kthehen më. Në mbrëmje kishin ardhur nga puna, bënin 2 punë për shërimin e vëllait se s’kishin mundësi. Erdhën pushuan dhe u nisën prapë për punë. Në Sarandë shisnin misra dhe gjëra të fshatit. Ato ikën, dhimbjen e kemi.

Kanë vëllanë e vetëm, ai ishte shumë i lidhur me to, po ta marrë vesh…e kemi larguar nga shtëpia. Sadopak kërkojmë ndihmë që djali të shkojë në një spital më të specializuar që të na shpëtojë”, tregon Shahide, halla e dy vajzave.

Për mediat kanë folur dhe xhaxhi e daja i vajzave, të cilët rrëfejnë vështirësitë që familja ka kaluar për kurimin e djalit të vogël, ndërsa bëjnë apel për ndihmë sado pak të vogël.

Jetoj në emigrim. Kjo që na ndodhi mos i ndodhtë askujt, as hasmit, ndihmë kërkojë dhe për djalin se vajti 3 vjet me këto probleme, ka sëmundje gjaku. Kemi luftuar me forcat tona kaq sa kemi pasur mundësi. Djali është 7 vjeç. Në momentin që do e marrë vesh, menjëherë do përkeqësohet gjendja e tij”, shprehet xhaxhai i vajzave Vasil Dhimaku.

2 yje dy vajza, 22 vjeçe 20 vjeçe, të dyja studente në Tiranë. Prindërit punëtorë në fshat, punonin natë-ditë për ato vajza ti sistemojnë, të studionin. Kërkojnë ndihmë për çunin, zoti të na ndihmojë. Djali nuk di gjë për motrat”, tha Servet Dervishi, daja i vajzave.

Familja Dhimaku banon në fshatin Kopaçez të Delvinës. Dy motrat, Elvisa dhe Rozina janë përcjellë ditën e djeshme për në banesën e fundit. Një parakalim i gabuar nga Kevi Norra, i cili po drejtonte me shpejtësi tej normave dhe në gjendje të dehur automjetin e tij, u mori jetën dy vajzave të reja pas përplasjes së fuqishme kokë më kokë.

Ndërkohë imami dhe bamirësi Elvis Naçi është ofruar për të marrë përsipër kurimin e 7-vjeçarit me leuçemi duke i ardhur kështu në ndihmë familjes Dhimaku në ditët e tyre më të vështira.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT