“Shfaqet në kamera deri tek Tuneli i Elbasanit”, momentet e fundit nga “humbja” e Daniel Shimës: Kishte blerë vezë dhe po kthehej në shtëpi, shkroi SMS…

Gazetarja Klodiana Lala ka treguar detaje të reja nga zhdukja 10 orëshe e Daniel Shimës, ish-zëvendësdrejtori i AKSHI. Sipas saj, dje Daniel Shima po kthehej në shtëpinë në Tiranë, kishte blerë vezë dhe kishte qenë dhe në shtëpinë e gjyshes.
Papritur, sipas Lalës, ai i kishte dërguar një mesazh partneres me tekst “po më arrestojnë”. Kamerat e Tunelit të Elbasanit janë të fundit që kanë fiksuar Daniel Shimën, ndërsa ka raporte se ai ka qenë në Shijak dhe më pas në bregdetin e Borshit, por se nën shoqërinë e kujt, nuk dihet.
“Daniel Shima konsiderohej si truri kryesor i AKSHI. Kontaktin e fundit Shima e ka pasur me partneren. Ai ka qenë në Borsh, gjatë kohës së kthimit kishte blere vezë. Dje ka shkuar tek shtëpia e gjyshes. Partneres i ka dërguar vetëm një mesazh që po më arrestojnë. Nga ky moment është dhënë alerti. Por, kamerat e sigurisë e tregojnë edhe në Tiranë, deri tek Tuneli i Elbasanit.
Ai ka thënë se ka pasur konflikt me partneren. Unë nuk e shikoj kështu, por besoj se çështja ka nevojë për hetim të thelluar. Policia duhet të sqarojë se Shima, pasi iku nga Tirana, kë takoi në Borsh dhe Shijak, pse e dërgoi atë mesazh se do më arrestojnë.
Daniel Shima di shumë. Nëse ai flet, shumë hetime mund të zhvillohen. Nuk besoj se ka qenë ikje me dëshirë.
Duhet ditur nëse ai është kërcënuar dhe për të heshtur, a ka nevojë ai për mbrojtje dhe mos ka nevojë të flasë për atë që ka ndodhur në AKSHI. Kohët e fundit kishte kërkuar para me fajde. Kësaj çështje duhet t’i shkojë deri në fund policia. Ndoshta ka njerëz që janë të interesuar që ai të heshtë”, është shprehur Klodiana Lala.
Daniel Shima u zhduk për më shumë se 10 orë duke shkëputur kontaktet me familjarët dhe të dashurën e tij. E vetmja gjurmë prej tij ishte një mesazh që i kishte dërguar partneres, me tekst: Po më arrestojnë. Nëna shkoi në Polici pas disa orësh, por atje i thanë se për Danielin nuk kishte asnjë urdhërarrest dhe as ishte ndaluar në ndonjë komisariat.
Ai u kthye në banesë rreth orës 02:00 të mëngjesit të sotëm dhe u paraqit në komisariat ku sipas deklaratës së dhënë nuk ka asnjë pretendim për rrëmbim apo arrestim, por se ishte larguar me dëshirë. Burime nga Policia, por nga jo vetë Shima, kanë thënë se arsyeja e largimit ishte një konflikt me partneren.