Lë pas Gjermaninë dhe Greqinë, Kina ngjitet në podiumin e tregtisë shqiptare, por është shumë larg Italisë

Shifrat më të fundit të Institutit të Statistikave (Instat) për tregtinë e jashtme në korrik zbulojnë një ndryshim të ndjeshëm në hartën ekonomike të Shqipërisë: Kina është tashmë partneri i dytë më i madh tregtar i vendit.

Me një pjesëmarrje prej 10.1 për qind në totalin e importeve dhe eksporteve për muajin korrik, Pekini ka lënë pas Gjermaninë (7.8 për qind) dhe Greqinë (7.0 për qind), duke u renditur menjëherë pas Italisë, që vijon të mbetet partneri kryesor me 25.7 për qind.

Ky pozicionim i Kinës vjen si pasojë e një rritjeje të qëndrueshme në vëllimin e shkëmbimeve tregtare gjatë këtij viti.

Në totalin e shtatëmujorit janar-korrik 2025, Kina ka përfaqësuar 9.3 për qind të tregtisë së jashtme të Shqipërisë, duke e konsoliduar praninë e saj në ekonominë shqiptare, përpara vendeve si Turqia (7.1 për qind), Greqia (7.6 për qind) dhe Gjermania (6.7 për qind).

Në korrik, eksportet shqiptare arritën vlerën 35 miliardë lekë, duke shënuar një rritje prej 5.7 për qind në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Ndërkohë, importet kapën vlerën 83 miliardë lekë, me një rënie vjetore prej 2.4 për qind. Si pasojë, deficiti tregtar për muajin korrik llogaritet në 48 miliardë lekë – një ulje prej 7.5 për qind krahasuar me korrikun e vitit 2024.

Ndër grupet që kanë ndikuar në rritjen e eksporteve veçohen “Mineralet, lëndët djegëse dhe energjia elektrike”, si dhe “Makineritë dhe pajisjet”, ndërsa grupet me ndikim negativ mbeten “Materialet e ndërtimit dhe metalet” dhe “Produktet kimike”.

Nga ana e importeve, rënia është ndikuar nga ulja e ndjeshme e importeve nga Italia, Gjermania dhe Kosova, ndërsa rritje shënojnë importet nga Kina (7.6 për qind), Turqia (12.0 për qind) dhe Greqia (5.0 për qind).

Në total, për shtatëmujorin e parë të vitit, eksportet arritën vlerën e 239 miliardë lekëve (+2.6 për qind), ndërsa importet 515 miliardë lekë (-2.1 për qind). Kjo ka çuar në një ulje të deficitit tregtar me 5.8 për qind, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2024.

 

Back to top button
LAJMET E FUNDIT