Lamtumirë Artur Zheji! Mbahen homazhet për gazetarin dhe publicistin e ndjerë

I jepet sot (25 gusht) lamtumira e fundit gazetarit dhe publicistit të ndjerë, Artur Zheji, i cili u nda nga jeta 2 ditë më parë. Homazhet po zhvillohen në ambientet e Universitetit të Arteve të Bukura, ku familjarë, miq dhe kolegë po i japin lamtumirën e fundit.

Më pas, arkëmorti me trupin e pajetë do të përcillet drejt banesës së fundit, pranë varrezave të Tufinës. Artur Zheji konsiderohet si një personalitet e spikatura në fushën e gazetarisë.

Ai ishte drejtues i Radio Televizionit Shqiptar, i Agjencisë Telegrafike Shqiptare dhe disa medieve të shkruara, duke dalluar për shkrimet analitike dhe stilin kritik.

Një karrierë e pasur në shërbim të medies

Artur Zheji njihej si një nga penat më të spikatura të gazetarisë shqiptare, i specializuar në analizë dhe opinion. Me një veprimtari të pasur, ai shërbeu në funksione drejtuese në disa media, duke kulmuar me postin e Drejtorit të Përgjithshëm të Radio Televizionit Shqiptar.

Përmes shkrimeve të tij si editorialist, analizave politike dhe drejtimit të programeve televizive, ai la një gjurmë të pashlyeshme në fushën e medies, duke u bërë një zë i rëndësishëm për debatin publik në vend.

Artur Zheji ishte i njohur jo vetëm për kontributin e tij në media, por edhe për trashëgiminë e pasur kulturore. Si djalë i eruditit Petro Zheji dhe aktores Besa Imami, ai vetë la gjurmë si dramaturg, një anë e talentit të tij të vlerësuar nga Teatri Kombëtar, i cili shprehu dhimbjen për humbjen e tij.

“Në krijimtarinë e tij, fjala u bë reflektim i kohës dhe i shoqërisë, duke pasuruar jo vetëm medien dhe debatin publik, por edhe skenën tonë kombëtare”, thuhet në mesazhin e Teatrit Kombëtar.

Zheji la pas dy vajza dhe një djalë, së bashku me bashkëshorten e tij. Humbja e tij e papritur ka tronditur jo vetëm familjen, por edhe kolegët dhe opinionin publik, të cilët e shihnin si një figurë me integritet dhe profesionalizëm të lartë. Vdekja e tij është një humbje e madhe për gazetarinë, analizën politike dhe medien shqiptare në përgjithësi.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT