Kush është ish-ministri për të cilin SPAK thotë se ka nisur hetimet?

Një ditë më parë, SPAK iu përgjigj interesit të gazetarëve duke bërë të ditur se aktualisht janë në hetim tre deputetë, një ish-deputet dhe një ish-ministër, por pa dhënë asnjë emër.
Kjo ka ngritur pyetjen: a është ky ish-ministër Flamur Noka? Deputeti demokrat është paraqitur disa herë në SPAK, edhe pse në paraqitjen e 27 qershorit 2025, ai deklaroi se ishte thirrur për çështje që lidhen me denoncimet mbi krime zgjedhore, por jo si person nën hetim.
Pyetja e ngritur vjen si rezultat i akuzave të përsëritura nga Gazment Bardhi në drejtim të Flamur Nokës për një vilë 760 mijë euro në Gji të Lalzit, për pengmarrje nga oligarkia e lidhur me pushtetin dhe për lidhje të dyshimta me botën e krimit.
Noka i ka mohuar publikisht këto akuza, duke i cilësuar si sulme politike, madje më vonë doli publikisht dhe u shpreh se e kishte “falur” Bardhin, ndërkohë që ky i dyti nuk i ka mohuar ende akuzat.
Megjithatë, deri më tani, SPAK nuk ka konfirmuar asnjë emër. Për momentin, e vetmja gjë e sigurt është se hetimet përfshijnë një ish-ministër, por identiteti i tij nuk është bërë publik.
Historia
Në majin e 2023 Gazmend Bardhi shkaktoi sherre në Kuvend pas një denoncimi të bërë në “Facebook” për një koleg që sipas tij “mbahet peng nga Edi Rama përmes një vile 760 mijë euroshe”.
I pyetur nga gazetarët se për kë bëhet fjalë, Bardhi nuk pranoi të zbulonte emrin. Ama e ngushtoi rrethin duke zbuluar se është një person që ka qenë ministër.
Dhe ndërsa gazetarët i vunë përballë listën e deputetëve të grupit të Rithemelimit, Bardhi la të kuptohet se mund të jetë njëri nga këto të katërt: Flamur Noka, Tritan Shehu, Edmond Spaho ose Bujar Leskaj.
Banorêt e fshatit “LURA 1” ku ka shtëpinë verore edhe Sali Berisha e dinë për kë bëhet fjalë.
Vila në fotot e denoncuara nga Bardhi banohet nga ish-ministri i brendshëm Flamur Noka.
Vila u ndêrtua kur Noka ishte ministër, pasi fshati kishte përfunduar. Për këtë shkak ajo ngushtoi dhe një pjesë të rrugës-unazë që rrethon fshatin rezidencial. Gjendet pranë hyrjes së LURA 1 në reshtin e parë anës rrugës.
Shumë nga banorët e LURA 1 që është fshati i parë turistik në Gjirin e Lalzit, i kanë vendosur në shitje vilat për shkak të mbipopullimit të zonës.
Kjo zonë mori zhvillim pas riardhjes në pushtet të Berishës dhe pasi vajza e saj Argita me një grup miqsh të punësuar në administratën e re në poste drejtuese investuan aty.