“Dalim se nuk jam mirë”, momentet e fundit të Artur Zhejit, operacioni në Gjermani dhe mohimi i sëmundjes: “Lajme si puçrrat e verës…”

Artur Zheji është ndarë sot papritur nga jeta. Ai ka qenë duke drekuar me bashkëshorten dhe djalin në Sarandë në zonën pranë Bukovileve ka ka një banesë verore.

“Dalim se nuk ndihem mirë” kanë qenë fjalët e tij në lokal dhe pak më pas në rrugë ka kërkuar të ulet diku, por ka qenë vonë. Familja ka kërkuar me urgjencë një ambulancë.

Zheji 64 vjeç ka bërë një ndërhyrje kirurgjikale në Gjermani disa muaj më parë.

Por ai i mohoi lajmet se ishte sëmurë. Në një intervistë ka pohuar se ndodhet në Sarandë me familjen dhe se lajmet që qarkullojnë për semundjen e tij të janë si “puçrrat që u dalin fëmijëve nga djersa e vapës”.

Ai pranoi se ka kryer një ndërhyrje të lehtë kirurgjikale në Gjermani, por sipas tij këto tre muaj ka preferuar të kujdeset për vetën, duke hequr “prizat’ nga zhvillimet e përditshme. Ja intervista e tij e asaj kohe publikuar nga DITA:

Zheji, më në fund si jeni?

Zheji: Do të doja që shumica e miqve të mi, që ua dua të mirën, të mos ndalojë së notuari në det, ashtu si po bëj unë në mënyrë të përditshme. Pse çfarë ka ndodhur?

Thuhet në disa portale se vijoni të jeni sëmurë…?

Zheji: Më duhet ti përgënjeshtroj. Ndoshta, ndokush ka dëshirë të jetë ashtu dhe dëshirat i shndërron në përfundime, zakon shqiptar jo i shëndetshëm ky. E vërteta është se, këto dy tre muajt e fundit, u kujdesa për shëndetin, më me vëmendje se më parë, pasi bëra një ndërhyrje kirurgjikale të lehtë dhe të shpejtë, në Gjermaninë e bekuar nga Zoti.

Porse fill pas kësaj, kam parapëlqyer të heq “prizat”, nga e përditshmja mediatike dhe politike shqiptare, për të ulur stresin dhe kotësinë e rënies në kurthin e lajmeve të verës, që shpesh janë të ngjashme me puçrrat që u dalin fëmijëve nga djersa e vapës. Është një jetë e re në trekëndëshin, diell, det dhe familje…

Pastaj mungesat në Shqipëri, ndonjëherë të bëjnë më të vlerësuar se sa prania mediatike e përhershme. Është edhe kjo diçka për tu shijuar, kur mungon ca kohë, dallohet më lehtë kush të vlerëson e kush jo, ku vendin e parë e ka publiku që ka mbërritur te unë me shqetësim dhe dashuri befasuese.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT