Albin Çela pastronte miliardat e kokainës me kompaninë e ndërtimit “Giam Konstruksion”, aksioner edhe Osman Kokoshi i “Klajdi Resort”, SPAK i mori telefonin

Osman Kokoshi, pronar i “Klajdi Resort” në Durrës, rezulton se është aksioner me 50% të kuotave të kapitalin në kompaninë e ndërtimit “Giam Konstruksion”. Aksioneri tjetër me të njëjtat kuota kapitali është Albin Çela, i kërkuar nga SPAK për trafikimin e tonëve kokainë.
Vëllai i Albin Çelës, Ervis Çela rezulton se drejtonte trafikimin e kokainës, bashkë me Franc Çopjan, nga vendet e Amerikës Latine drejt vendeve të Bashkimit Europian dhe Shqipërisë.
GJKKO, me kërkesë të SPAK lëshoi në total 16 urdhër-arreste pas operacionit në qytetet Elbasan, Lushnje, Durrës, Tiranë dhe masat e sigurisë janë zbatuar për 10 persona, ndërsa 6 të tjerë janë në kërkim. Shtetasi Albin Çela është në kërkim, ndërsa Osman Kokoshit i është sekuestruar telefoni.
Më 8 Gusht, SPAK zbardhi skemën e trafikimit të kokainës nga Amerika Latine në vendet e BE, si dhe transferimin e parave në Shqipëri. Nën sekuestro u vendosën dhe 14 prona, mes tyre dhe “Ajman Park” si dhe një vilë 2-katëshe “ELYSIAN” në bregdetin e Dhërmiut.
Për resortin luksoz në Durrës të drejtuar nga Osman Kokoshi, nuk pati një vendim për sekuestro, por agjentët e Byrosë Kombëtare të Hetimit zbarkuan atje dhe sekuestruan celularin e pronarit.
Sipas Prokurorisë së Posaçme, ortaku i pronarit të “Klajdi Resort”, shtetasi Albin Çela kishte firmosur akte noteriale, kontrata kredie, kontrata shitje apo dhurimi, kryesisht gjatë viteve 2021-2023, periudhë kjo që përkon me sjelljen e miliona eurove nga Europa për në Shqipëri nga organizata e vëllait të tij, Ervis Çela.
Nga të dhënat e përftuara nga dosja hetimore, bëhet fjalë për kompaninë e ndërtimit “Giam Konstruksion” e cila në vitin 2022 është shitur nga Kid Kazazi te shtetasit Osman Kokoshi dhe Albin Çela. Të dy këta shtetas kanë kuota të barabarta kapitali, 50%.
© Newsbomb.al