U shërua nga koronavirusi, mjeku shqiptar: Ndiqni këshillat që të kursejmë jetën e të moshuarve

Mjeku shqiptar nga Gjakova, Jetish Jetishi ka folur pasi është shëruar nga koronavirusi. Ai u largua nga Klinika Infektive dy ditë më parë.

Mjeku ka thënë se tani është në gjendje të mirë shëndetësore dhe se do të vazhdojë të qëndrojë në shtëpi dhe për pak kohë.

Po ashtu ai ka treguar se para se të bënte testin për koronavirusin, kishte ndjerë lodhje në trup dhe nuk kishte oreks.

Fjala e tij:

Kam qëndruar dhjetë ditë në Klinikën Infektive ku jam trajtuar në mënyrë shumë humane, profesionale dhe në aspektin psikologjik na kanë qëndruar shumë afër, i falënderoj nga zemra stafin e Klinikës Infektive, na kanë inkurajuar dhe na kanë qëndruar shumë afër pavarësisht që kanë qenë të rrezikuar. Kam rekomandime që një javë të qëndroj në shtëpi dhe për distancim shoqëror siç e parashohin rregullat e Institutit Kombëtar të shëndetit Publik.
Gjithashtu ai u ka bërë thirrje të gjithë shqiptarëve që të respektojnë këshillat e dhëna, pasi vetëm kështu mund t’ia dalin.

Më tej ka vazhduar:

Mendoj që ne shqiptarët pak i kemi pas tepruar me këtë afërsinë shoqërore, e kam vështirë sepse dhjetë ditë nuk kam qenë afër familjes, por jam i lumtur që jam kthyer në familjen time. Përmbahuni rekomandimeve të Institutit, në mënyrë që të kursejmë jetën e të moshuarve dhe mantelbardhët.
Mjeku ka treguar se edhe vajza e tij ka rezultuar pozitive për Covid-19, por edhe ajo është në gjendje të mirë ka treguar ai më tej. Jetishi ka thënë se vajza e tij do të vazhdojë të qëndrojë në izolim.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT