Judah: Ajo që më frikëson tani është se Kosova dhe Ballkani do të harrohen nga të gjithë

Në emisionin Desku në KTV gazetari britanik, Tim Judah, ka thënë se ajo çfarë e frikëson tani është se Kosova dhe Ballkani do të harrohen nga të gjithë pas pandemisë.

Ai ka folur edhe për ndikimin e Britanisë së Madhe në Ballkan pas daljes nga BE-ja.

“Në njëfarë mënyre është paradoksale, sepse gjëja interesante, prej asaj që kam dëgjuar, ishte se njerëzit në qeveri – dhe për momentin të gjitha nivelet e qeverisjes bëjnë vetëm punë që lidhen me situatën, asgjë tjetër. Dikur kjo do të marrë fund dhe do t’i kthehemi një forme të normalitetit, ende s’e dimë se çfarë. Por, e di që para se të nisë kjo, kishte në fakt një përmasë befasuese e interesimit në nivele të ndryshme të qeverisë për rajonin. Dhe kjo sigurisht se nënkupton se do të ketë më shumë aktivitet”, ka thënë ai.

Ai shton se është pjesë e kësaj filozofie që thotë se ‘ne largohemi nga BE-ja, por nuk largohemi nga Evropa’.

E sipas tij do të ketë shumë më tepër ndihmë bilaterale.

“Sepse të hollat që drejtoheshin përmes BE-së tani do jepen në mënyrë bilaterale. Sigurisht, nëse do të mbeten të holla – nuk e dimë nëse do të ketë para kur e gjithë kjo krizë të marrë fund. Por, në anën tjetër, përkundër këtij aktiviteti, nuk jam i sigurt nëse e gjithë kjo mund të çojë diku. Sepse mendoj se për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, le t’i quajmë Gjashtëshja e Ballkanit Perëndimor, vlera e shtuar e Britanisë ishte se tradicionalisht ajo ishte gjithmonë në favor të zgjerimit të BE-së dhe argumentonte në favor të zgjerimit të BE-së. Dhe vlera e saj ishte se ishte një zë i madh e i rëndësishëm në Bruksel. Tani, e dini, kjo nuk është më. Andaj, edhe pse mund të ketë më shumë aktivitet në terren, nuk jam i sigurt se do të çojë në diç të madhe”, shprehet Judah.

Sipas tij nëse politika e qeverive të vendeve të Ballkanit Perëndimor është dhe për synim kryesor ka ende integrimin në BE, atëherë Britania nuk është lojtar fare.

“Nuk ka çka të shtoj. Dhe jo vetëm kaq. Kur zyrtarët britanikë thonë se do të bëjnë gjithçka për të ndihmuar që Kosova dhe vendet tjera t’i bashkohen BE-së, është një lloj politike pakredibilitet. Pse do të dëgjonte dikush Mbretërinë e Bashkuar që thotë se humbja e sovranitetit nuk ishte mire për ne, por është në rregull për ju – kjo thjesht nuk ka kredibilitet. Tingëllon paksa hipokrite. Është thjesht një politikë që nuk ka kredibilitet”, u shpreh ai.

Ai shton se BE-ja është më e dobët pa Britaninë, sikurse edhe Britania është më e dobët pa BE-në.

Judah shton se kur ishte para dy muajve e gjysmë në Kosovë për të intervistuar Kurtin kishte njëlloj entuziazmi, megjithatë thotë se ishte naive që të mos e priste kthimin e gardës së vjetër.

“Ndjenja ime ishte paksa – ndjeja më shumë optimizëm, në kuptimin se mendoja se do të ishte mirë të ketë njerëz të rinj, që bëjnë gjëra, andaj dhe ishte mjaft optimiste, por njëkohësisht ishte edhe mjaft naive që të mos e prisja kthimin e gardës së vjetër ashtu siç edhe bënë. Unë nuk prisja që amerikanët të luajnë rolin që luajtën në dhënien e ndihmës në rrëzimin e kësaj qeverie”, ka thënë ai.

Ai shton se është i bindur se amerikanët kishin gisht në rrëzimin e Qeverisë Kurti.

“Bazuar në postimet e tyre, me duket se u bë shumë e qartë. Kur ambasadori amerikan postoi në Twitter duke thënë se janë shumë të kënaqur – nëse më kujtohet mirë, më përmirësoni nëse gaboj – por ambasadori amerikan postoi në Twitter se ishte shumë i kënaqur të shohë se Kuvendi po takohej për të diskutuar të ardhmen e qeverisë, dhe mendoj se kjo ishte qartazi një… përqafim i rrëzimit të qeverisë. Nuk di ndryshe të interpretoj këtë”, u shpreh ai. “Nuk besoj se dikush dyshon që amerikanët ishin të rëndësishëm në inkurajimin e rrëzimit të qeverisë”.

E sipas tij a na flet kjo se ndoshta për herë të parë nuk ka një pozicion të bashkuar mes vendeve të mëdha të Perëndimit ndaj Kosovës.

“Nuk ka pozicion të bashkuar. Këtë e dimë, ka një kohë që nuk ka pasur një qëndrim të bashkuar. Zor se ka një qëndrim të bashkuar brenda vetë Evropës dhe sigurisht se nuk ka një qëndrim të bashkuar mes administratës së Trumpit dhe kancelares Merkel, dhe kështu me radhë. Andaj, jo. Është e qartë se nuk ka një qëndrim të bashkuar”, ka thënë ai.

E kjo sipas tij nuk është lajm i mirë për Kosovën, por nuk mendoj se është lajm i mirë në përgjithësi, për këdo.

“Dhe ajo që më frikëson tani është se Kosova do të harrohet nga të gjithë dhe Ballkani do të harrohet nga të gjithë. Kur të dalim dhe i hapim sytë në dritën e diellit, në fund të kësaj krize, e dini – nuk do të ketë para, nuk do të ketë energji politike për ta shikuar Ballkanin. Mendoj se edhe tani, për shembull, në Uashington, mendoj se sipas gjasave ata kanë humbur interesimin për Kosovë, për momentin. Mund të kthehet, por e gjithë ajo energji që ishte aty, para tre muajsh, dy muajsh, e gjitha është absorbuar nga Korona dhe luftimi i saj. Andaj, nuk mendoj se jemi në pozitë të mirë. Nuk mendoj se është pozitë e mirë për Kosovën, por nuk mendoj se është pozitë e mirë për këdo tjetër në planet, për momentin. Dhe, siç e thashë, problemi më i madh është pasiguria, dhe paqartësia se sa do të zgjasë dhe sa dëme ekonomike do të na shkaktojë kjo, neve e gjithë botës”, tha Judah.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT