Fasonët drejt falimentimit! “Na rimbursoni urgjentisht TVSH-në dhe aplikoni paketën antiCovid-19!

Shoqata Kombëtare e Punëdhënësve “Proeksport Albania”,  e cila përfaqëson dhe mbron interesat ekonomike të kompanive që ushtrojnë veprimtarinë e tyre në fushën e prodhimit të veshjeve dhe këpucëve me material porositësi (Fason) i drejtohet qeverisë sërish, por këtë herë me tone më  të ashpra dhe me një situatë akoma më të rënduar se një javë më parë për shkak të bllokimit të një pjese të punës si shkak i pandemisë globale.

Shoqata shpjegon se, sektori që punëson numërim më të madh të punonjësve, (pas qeverisë), është në prag falimenti sepse mungon likuiditeti edhe për shkak të mosrimbursimit të TVSH-së prej muajsh për disa kompani, një plagë e vjetër kjo sipas fasonëve dhe gjithashtu  shumë kontrata me vendet fqinje janë ndërprerë.

“Nëse 30 mjekë dhe infermierë dërgohen në Itali për të ndihmuar miqtë tanë italianë për këtë fatkeqësi, veprim që e duartrokitëm të gjithë, ju informojmë se janë dhjetra dhe qindra punonjës të kompanive tona, që po vijojnë punë në kushtet e vështira të emergjencës shëndetësore, për të prodhuar veshjet e punës të spitaleve italiane, policisë italiane, policisë rrugore italiane, punonjësve të Mbrojtjes Civile italiane, deri edhe te veshjet mbrojtëse të shëndetësisë, duke dhënë një kontribut të patjetërsueshëm në mbështetje të këtij shteti mik dhe duke i shtuar shpenzimeve tona të përditshme edhe shpenzimet shtesë, siç janë ato për mbrojtjen shëndetësore dhe transportin e punonjësve tanë, në zbatim të urdhrit për të mos ndërprerë zinxhirin ekonomik të prodhimit.”- citon letra e hapur e “Proeksport Albania” drejtuar kryeministrit Edi Rama.

Në kushtet e mungesës së punëtorëve, për shkaqe të njohura, thotë  shoqata, po punojmë nën kapacitetet tona, me pothuajse gjysmën e produktivitetit, duke marrë kosto shtesë edhe për këtë dukuri që nuk varet nga kompanitë tona;

Shoqata vë në dijeni kryeministrin se kompanitë kanë paguar dhe paguajnë, sipas ligjit, të gjitha detyrimet fiskale për muajt janar shkurt. Por jemi në kushtet e bllokimit të plotë të veprimtarisë ekonomike, citon, për shkak të mungesës së likuiditetit, “për faj të administratës tuaj, sepse një numër i konsiderueshëm i kompanive tona nuk kanë marrë rimbursimin e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar, duke shkelur ligjin fiskal, si edhe shumë herë të tjera. Por edhe duke mos dhënë asnjë shpjegim, as në rrugë zyrtare për vonesa që penalizojnë sipërmarrjen. Ndërkohë që, nuk ndodh e kundërta: vonesat tona në pagesa ligjore penalizohen brenda 23 orëve! Bizneset tona kanë edhe nga 4-5 vite që nuk iu rimbursohet TVSH-ja!?”

Ndër kërkesat drejtuar qeverisë , fasonët rendisin: Blerjen e borxhit të partnerëve ekonomike në Itali e gjetkë, pagesat e të cilëve ose janë vonuar ose nuk do të bëhen për këtë periudhë, “duke na kredituar më shumë derisa në llogaritë tona bankare të mbërrijnë shumat e kontraktuara ligjërisht”

Po ashtu, ata kërkojnë shtyrje për një afat të caktuar pagesa të detyrimeve fiskale për të gjithë kompanitë fasoniste, me synim sigurimin e likuiditetetit të nevojshmë të kompanive për të paguar pagat e punonjësve, kur kompanitë janë duke punuar apo ato kanë ndërprerë veprimtarinë ekonomike.

Fasonët i sugjerojnë qeverisë, të urdhërojë autoritetet që të paguajnë menjëherë, pa hezitim dhe pa zbatuar hallkat e tepërta rimbursimin e TVSH. Ligji iu autorizon të rikontrolloni bilancet edhe pas pesë vitesh, nëse vëreni abuzime me këtë taksë dhe shtyrje në kohë dhe pagimin e detyrimeve lokale si tarifa dhe taksa vendore në një kohë të mëvonshme dhe me shtrirje kohore në pagimin e tyre.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT