Dyndja shqetësuese! Vendoset kordoni sanitar te tregu i Kombinatit, nga nesër pazaret s’i bëni dot pa autorizim! Ja si do jetë tuneli i dezinfektimit (VIDEO)

Pamjet e një dite më parë që u bënë shkak për të ashpërsuar masat e distancimit social kanë sjellë ndryshimin në tregun e Kombinatit. Nga nesër tregu do të jetë me rregulla të reja. Do të ketë një perimetër me kangjella hekuri, që u vendos sot dhe do të krijojë një kordon sanitar lëvizje, që konkretisht ka të bëjnë me sinjalistikë me vetëm një kalim vendosur në formën e barrierave.
Tregu do të ketë vetëm një hyrje dhe një dalje, pa pasur mundësi kthimi pas. Përpos dezinfektimit dhe ruajtjes së distancës, një nga ndryshimet më të mëdha do të jetë që nga nesër asnjë nuk do të lejohet që të hyjë në treg për të blerë pa autorizim. Në tregjet e mëdha në Tiranë dhe qytete të tjera të konsideruara si zona të nxehta dhe që do të jenë me perimetër të kontrolluar, të gjithë qytetarët që do të vijnë për të blerë do të kontrollohen për autorizimin (që mund ta merrni në dy rrugë vetëm një orë) nga postblloku i policisë që në hyrje dhe në rast se nuk do ta kenë, jo vetëm që nuk do të lejohen, do të ndëshkohen sipas Aktit Normativ.
Pas vendosjes së kordonit sanitar te tregu i Kombinatit, zjarrfikësja bëri edhe dezinfektimin e tregut. Njëri nga përgjegjësit e zjarrfikëses tha për gazetarin e Report Tv Arsen Rusta se “Po bëjmë dezinfektimin, nuk është i dëmshëm, e përdorim në orët e vona të mbrëmjes, por duke qenë se kem marrë një detyrë e bëmë. Duam që makinat që lëvizin të marrin nga gomat, që të mos e transmetojnë nga njëri vend në tjetrin”.
Dje në tregun e fruta perimeve në zonën e Kombinatit në Tiranë, qytetarët nuk e respektuan distancimin social duke qëndruar pranë njëri-tjetrit teksa bënin pazaret, ndërkohë që shumica ishin pa maska mbrojtëse dhe doreza. Ajo që ndodhi dje te tregu i Kombinatit, sikur të ishte një ditë normale u bë shkak për shtyrjen e lehtësimit të masave, që kryeministri kishte paralajmëruar, por kjo gjë është shtyrë për më vonë, pa dhënë një datë konkrete.