Dueli SHBA-BE dhe ajo që po ndodh në Kosovë

Nga Bedri Islami

Përplasja që po ndodh sot në Kosovë nuk ka të bëjë as me konfliktin mes Lëvizjes VV! Dhe aleates së saj të djeshme; nuk ka të bëjë as me përplasjen mes Kurtit si shefi i qeverisë dhe Veliut si numri Dy i LDK-së dhe ish ministër i Brendshëm; nuk ka të bëjë as me mosmarrëveshjet mes shefit në detyrë të qeverisë dhe ish kryeministrit të parë, e në fund, nuk ka asnjë lidhje me heqjen apo me mbajtjen e taksës.

Të gjitha sëbashku janë alibitë e dukshme të rënies së një qeverie, e cila ishte e mirëpritur në rënie nga vetë Kurti dhe simotra e tij në LDK-së, Vjosa Osmani, të cilët, kështu si ndodhi, e ndjejnë veten më të sigurtë për një rinisje të re. Të gjitha deklarimet e binomit politik Kurti – Osmani të çojnë drejt këtij përcaktimi, i cili tani as nuk fshihet më dhe as nuk mundet të fshihet.

Konflikti është jo mes dy institucioneve, por mes dy njerëzve, që shtrihet më tej në dy përcaktime gjeopolitike, të cilat, edhe pse në shumicën e gjërave janë të njëjta, përdallimet e vogla synohen të quhen e të trajtohen si ndarje të mëdha dhe , duke shkuar më tej, tragjike.

Konflikti i hapur Thaçi – Kurti është i njohur. Nuk është i tanishëm, është prej shumë kohe dhe nuk mund të mos sillte këtë përplasje, e cila po bëhet tani e mërzitshme dhe mund të shkaktojë probleme të mëdha në të ardhmen.

Deklarimi idiot i zyrtarit t lartë dhe kontravers të Lëvizjes VV!, Hysamedin Feraj, sipas të cilit, Shtetet e Bashkuara po thurin një plan tragjik për copëtimin e Kosovës dhe shpallja hapur e tyre si armiqtë e lirisë së Kosovës, është hapi më i gabuar dhe më i dënueshëm i forcës së tashme qeverisëse, por që çuditrisht nuk është ndëshkuar nga askush.

Ky mendim harbut i bie ndesh asaj që shefi i qeverisë, Kurti ka deklaruar haptas dhe e ka mbrojtur me forcë, se SHBA është partneri më i rëndësishëm strategjik i Kosovës.

Me deklarimin e tij të hapur, arrogant dhe të papërgjegjshëm,Ferraj, nostalgjiku i përvëluar, ka dalur hapur, ama krejt hapur kundër vizionit dhe idesë së forcës politike që përfaqëson dhe, ndëshkimi m i paktë që mund të bëhej, duhej të ishte largimi i menjëhershëm i tij nga strukturat partiake.

Njëjtë si  ndodhi me Agim Veliun, i cili mendoj se mund të vendosej gjendja e jashtëzakonshme në Kosovë, një e drejtë që e ka vetëm Kuvendi i Kosovës, dhe për të cilin mendim , pa asnjë e pas dy, atë e hoqën nga detyra e ministrit të brendshëm, ku nuk duhej të ishte që nga fillimi. Sipas vendimit qeveritar, deklarimi i Veliut çonte ujët në mullirin e Thaçit, dhe ai duhej të largohej. Vendim i marrur në mesnatë, si do të merrej, po në mesnatë, vendimi për largimin nga detyra të zëvendëskryeministrit të parë të qeverisë së Kosovës, dhe, menjëherë pasi qeveria kishte kaluar përmes një mocioni mosbesimi të miratuar.

Ferraj nuk i prish punë askujt. Ndaj askush nuk reagon ndaj qëndrimeve të tij. Ai është guri i provës se deri ku mund të mbajë politika dhe se deri ku mund të durohet ngacmimi i një diplomacie, që deri tani, dhe, i bindur se deri në fund, do të jetë në dobi të Kosovës.

Në Kosovë ngutshëm, analistë dhe njerëz të politikës po mundohen të krijojnë idenë se ekzistojnë dy rryma politike: njëra e mbështetur në praninë e Shteteve të Bashkuara dhe këto janë njerëzit e Thaçit, të cilët mallkohen ditë e natë nga njerëzit e rëndësishëm të Lëvizjes VV!. Dhe, tjetra në praninë e Bashkimit Europian, dhe këto janë njerëzit e prirë nga Kurti, të cilët ndërkohë, edhe pse nuk kanë bërë as tre muaj qeverisje, po mallkohen si prishës së një miqësie themeluese e shtetit të Kosovës.

E gjitha kjo është një lojë e pështirë politike, që, duke dëmtuar Kosovën, dërgon delegime në favor të politikës përçarëse serbe në Kosovë.

As Albin Kurti nuk ka këllqe të qëndrojë përballë Shteteve të Bashkuara dhe as Thaçi nuk ka këllqe të qëndrojë përballë Bashkimit Europian.

Ngutja për t’u dëshmuar, njëri si njeri i Brukselit dhe tjetri si njeri i Washingtonit është naive, qesharake shpesh herë dhe dëmsjellëse gjithnjë.

Kurti i shkuan letër të deleguarit europian për Kosovën, që në fakt nuk duhej të ishte në këtë detyrë, për vetë faktin se, jo vetëm nuk të njeh si shtet, por ka lobuar që mos të të njohë as vendi i tij, kur vetë ai ishte ministër i jashtëm.

Sado që të arsyetohet se ai delegon aty vendimet e Këshillit të Europës të Parlamentit Europian etj, ai kurrë këtë nuk do e bëjë me zemër dhe nisur nga përparësitë e shtetit të Kosovës. Do të jetë i detyruar, por do të rezistojë për të gjetur jë të mesme që kënaq deri diku bindjet e tij. Kjo ka ndodhur me të gjithë ndërmjetësuesit dhe të dërguarit e BE. Ndryshon katërcipërisht puna e zotit Kushner në Kosovë nga ajo e zotit Haakerup. I pari ishte si një dalëzotës i Kosovës, i dyti ishte një renegat ndaj pavarësisë së Kosovës. I pari solli progres në lëvizjet shtetformuese në Kosovë, i dyti solli regres. Pra, mendimi se ai është thjeshtë zëdhënës është foshnjarak.

Por ai është dhe duhet respektuar, por jo duke i bërë karshillëk forcës kryesore politike në mbarëvajtjen e Kosovës, Shteteve të bashkuara.

Ish diplomatë të vendeve europiane, që nuk janë më në politikë, t njohur për një politikë ndarëse në Kosovë, si Doris Pack, apo deputetë të tanishëm, analistë të larguar nga skena politike amerikane po synojnë me gjithë çfarë kanë që të ketë ndarje politike në Kosovë, duke e paraqitur Shtetet e Bashkuara si gogol dhe të deleguarin e saj si gogol, ndërsa Bashkimin Europian si ëngjelli mbrojtës i Kosovës, çka është në të vërtetë, por jo i vetëm.

Sepse pyetja më e thjeshtë është: nëse përfaqësuesi i BE nuk përfaqëson vetveten, por një strukturë, atëherë përse dyshohet se i deleguari i Amerikës përfaqëson vetveten apo krahun që kërkon përmbysjen e Kosovës.

Në Letrn e dërguar nga zoti Kurti, në fakt duhej të ishte një letër e dyfishtë, thelbi i saj është se kush do i prijë delegacionit të Kosovës në bisedimet e ardhshme.

Me një fjalë, kush do të jetë në histori, sepse, që të dy e dinë fare mirë se, asnjëri e as tjetri , nuk do të mund të vendosin sipas dëshirave të tyre. Nëse ndonjëri mendon se do të arrijë në tryezë pa harta të gjitha çka dëshiron dhe si i dëshiron, zhgënjimi do t jetë i pranishëm.

Veç e veç apo , edhe më keq, kundër njëri tjetrit, e më tej, njëri kundër SHBA-së dhe tjetri kundër BE-së, nuk do të mund të fitojnë as një pjesë të asaj që duhet fituar në bisedime, pasi është fituar më parë me luftë.

As njëri e as tjetri nuk kanë kurrfarë të drejte të nënshkruajnë për ndarjen e Kosovës, as për shkëmbim territoresh, as për krijim,in e një republike serbe në Kosovë, as për bashkim me Shqipërinë, e as për rrëmbim territoresh.

Është mirë që të dy, si drejtues institucionesh apo forcash politike janë shprehur publikisht se nuk do të ketë qëndrime në dëm të Kosovës, por është e dëmshme kur, më parë se të shtrijnë dorën njëri tjetrit, e trajtojnë shoku – shokun si hasëm shekullorë.

****

Botuar në DITA. Ndalohet ribotimi i plotë ose i pjesshëm pa citimin korrekt dhe të dukshëm të burimit

Back to top button
LAJMET E FUNDIT