Shqipëria për herë të parë do të ketë një ligj për zhvillimin e zonave të biznesit

Prej mëse një viti tashmë grupet e interesit dhe insitucionet shtetërore në vend po konsultojnë një nismë ligjore. Është një fakt një nismë e propozuar nga qeveria për të përmirësuar zonat e mëdha të biznesit, të njohura ndryshe si BID.
ProjektligjI për “Përmirësimin e Zonave të Biznesit” është depozituar tashmë në Kuvend dhe aktualisht është në fazën e diskutimit në komisionet përkatëse.
Synimet e këtij projektligji janë bërë të qarta në nenin 1 të këtij akti, ku ndër të tjera ai synon:
- a) të krijojë një mekanizëm ku poseduesit e njësive tregtare, të cilat përdoren për qëllime biznesi, nxiten të marrin pjesë në procesin e zhvillimit të qëndrueshëm të zonës BID, nëpërmjet kontributeve private të cilat përdoren për shërbime shtesë për bizneset në zonën BID përkatëse dhe për përmirësime të pasurisë publike;
- b) të konsolidojë dhe të zhvillojë përtëritjen urbane të qyteteve, duke njohur nevojat unike dhe sfidat e përbashkëta me të cilat përballen biznese me karakteristika lokale të ndryshme;
- c) të lehtësojë identifikimin e zonave gjeografike të caktuara, për të përmirësuar dhe shtuar ofrimin e shërbimeve bashkiake brenda tyre;
ç) të përcaktojë në mënyrë të qartë kushtet sipas të cilave krijohet një BID dhe të sigurojë që poseduesit e njësive tregtare brenda zonave të propozuara BID të jenë të përfshirë plotësisht në proceset përkatëse, duke lehtësuar kështu pjesëmarrjen e tyre në ҫështjet e zonës dhe të qytetit.
Pra përveç se kjo shihet si një mënyrë e mirë për të rritur nivelin e biznesit dhe të kompanive të ndryshme në vend, ajo perceptohet gjithashtu si një mekanizëm që do të ndikojë në rritjen e invetstimeve edhe për zonat dhe interesin publik.
Qëllimi i këtij projektligji përshkruhet konkretisht në nenin 3, ku thuhet shprehimisht se:
Ky ligj synon të mundësojë një qasje bashkëpunuese ndërmjet bashkisë përkatëse dhe sektorit privat, në ofrimin, përmirësimin e shtimin e shërbimeve bashkiake.
Duket që ky projektligj do të jetë një mënyrë e mirë për të rritur bashkëpunimin mes organeve të qeverisjes vendore dhe bizneseve, dhe për të sjellë kështu përmirësimin e infrastrukturës së zonave BID.