Reagon Agjencia e Barnave: Asnjë spital privat nuk do të bëjë analizat e COVID-19!

Agjencia Kombëtare e Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore në Shqipëri reagoi pasi pak ditë më parë, drejtori i përgjithshëm i Spitalit Amerikan, Klodjan Allajbeu u shpreh se në spitalin e tij kishte mbërritur një pajisje testuese për COVID-19 që mundëson kryerjen e 4.128 testimeve në një ditë të vetme.
Institucioni e bëri të qartë se asnjë spital privat nuk mund të bëjë analizën për diagnostikimin e koronavirusit dhe se i vetmi laborator i certifikuar deri më tani për të bërë analizën dhe për të publikuar rezultatet është Instituti i Shëndetit Publik.
“Agjencia Kombëtare e Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore deri më tani nuk ka lëshuar asnjë Certifikatë regjistrimi për Reagentët In Vitro për subjektet private, për diagnostikimin e COVID-19.”-shkruhet në reagimin e agjencisë.
Por në media të ndryshme menjëherë pas deklaratës së drejtorit të përgjithshëm të spitalit amerikan Klodjan Allajbeu u shkrua se ky spital privat mund të merrte ekskluzivitetin e kryerjes së testimeve për COVID-19.
Në vendin tonë, nuk janë kryer më shumë se 2 mijë testime, ndërkohë që Spitali Amerikan merr përsipër të kryejë 4128 testime në një ditë.
Kostoja në shtet e një testimi është 15 000 lekë, ndërkohë që Allajbeu në emisionin :Opinion” tha se çmimi i një analize të tillë do të variojë nga 150-300 euro dhe përgjigja merret në një kohë shumë herë më të shkurtër sesa nga analiza që kryhet në spitalet shtetërore.
Reagimi:
Duke u bazuar në Ligjin Nr. 89/2014 “Për Pajisjet Mjekësore”; VKM Nr.89 datë 09.03.2016 “Për Kërkesat Thelbësore, Markimin CE dhe Vlerësimin e Konformitetit të Pajisje Mjekësore Diagnostikuese In Vitro” si dhe në Urdhrin Nr. 734 datë 18.10.2018 “Për disa ndryshime në Urdhërin nr. 360 datë 22.08.2016 të Ministrit të Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, “Mbi Procedurat dhe Rregullat për Regjistrimin e Pajisjeve Mjekësore Ndryshimet dhe Anulimin e Regjistrimit të tyre, Dokumentacionin e Nevojshëm dhe Kostot Përkatëse” i ndryshuar me Urdhër Nr. 734 datë 18.10.2018, Agjencia Kombëtare e Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore deri më tani nuk ka lëshuar asnjë Certifikatë regjistrimi për Reagentët In Vitro për subjektet private, për diagnostikimin e COVID-19.