LETRA E PLOTE/ Haklajt kërkesë zyrtare SPAK-ut: Hetim për veprimtarinë kriminale të Berishës dhe ndikimi i tij në vrasjet e Tropojës, ja provat e pakundërshtueshme që duhen marrë në konsideratë

Familja “Haklaj” është një nga më të njohurat në vend për shkak të historisë së gjatë dhe të mistershme që e shoqëroi pas viteve ’90, ku përballja e tyre me pushtetin e kohës prodhoi mjaft viktima.

Ajshe Haklaj, motra e Fatmir, Shkëlqim, Ylli dhe Halil Haklaj të ekzekutuar në Tropojë,ka adresuar një kërkesë publike për organet e drejtësisë për të kërkuar ndëshkimin e atyre që ekzekutuan vëllezërit e saj.

Përmes një letre publike, ekskluzivisht për gazetën “TemA”, Ajshe Haklaj rrëfen të gjithë dramën familjare, ku sipas saj përgjegjësi ka vetëm një emër dhe ai quhet Sali Berisha.

Në letrën e botuar nga gazeta “TemA”, ajo i kërkon publikisht “Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar” (SPAK) që të hetojë veprimtarinë e Sali Berishës në përgjakjen e Tropojës që më 5 janar 1998 deri më 5 janar 2020.

Më poshtë, “TemA” po përcjell letrën e plotë:

“E iniciuar nga letra publike e Hasan Hykës po i drejtohemi drejtësisë shqiptare dhe SPAK publikisht të hetojë veprimtarinë kriminale të Sali Berishës në përgjakjen e Tropojës që më 5 janar 1998 deri më 5 janar 2020.

Ne nuk kemi patur dhe nuk kemi dëshirë të prononcohemi në media, por kemi qenë të detyruar të tregojmë se cfarë po ndodhë dhe cfarë ka ndodhur me familjen tonë, sepse shteti shqiptar nuk ka bërë asnjë ndalim dhe asnjë hetim për vrasjet ndaj neshë dhe të afërmve tanë, gjë e cila tregon qartë se drejtësia shqiptare ka qënë dhe vazhdon të jetë e kapur dhe e ndikuar nga krimineli dhe antikombëtari Sali Berisha, kurse njerëz të inkriminuar dhe që i kanë lyer duart me gjakë i quajnë mediat bashkëpunëtore me krimin në një kohë që vetë janë vrasës dhe banda kriminale të cilët kanë përdorur edhe potenciale shtetërore për të vrarë cfarë tu dilte përpara vetëm e vetëm që të vrasin Fatmir Haklajn.

Ne kemi dëshmuar dhe lene të gjitha dëshmitë tona në prokurorinë e Tropojës përpara se të largoheshim nga atdheu ynë i dashur, por ne nuk e dimë se cfarë është bërë me denoncimet tona atje sepse drejtësia komandohej e finacohej nga Sali Ram Berisha dhe jo vetëm nuk hapeshin dosjet tona, por ne vriteshim, perndiqeshim, burgoseshim, hiqeshim nga puna dhe kërkohej asimilimi i familjes me cdo kusht ku denoheshim në mungesë dhe kërkoheshim edhe në interpol e njëkohësisht dhunoheshin banesa dhe varret e të vrarëve, dhe nga ana tjetër të cilët i kryenin këto krime kunder neshë nuk trazoheshin fare, por vetëm nxiteshin mbështeteshin e financoheshin. Kjo tregon qartë se kush ishte fabrikuesi dhe realizuesi i krimeve ne Tropojë dhe jo vetëm.

Jam plotësisht dakort me pretendimin e Hasan Hykës se plaget kullojnë dhe shumë nëna kanë mbetur pa djemtë e tyre dhe se shume fëmijë kanë mbetur jetim dhe zemra të dhemb pa diskutim për cdo jetë të humbur, sepse nënat shqiptare i kanë rritur djemtë e tyre me shumë mundime, por më bënë shumë përshtypje që gjaku shumë i freskët i derdhur më 5 janar 2020, nuk zihet fare me gojë, ku vërtetë do të besoja se ky zotëri po shqetësohet për Tropojën dhe plagët e saj që po kullojnë sepse po hapen plagë të reja edhe sot në 2020 e bile duke treguar hapur se do të ketë edhe shumë 5 janare të tilla. Këtu vërtetë ka vend për të thenë, lereni Tropojën të qetë, sepse kishte 18 vite pa u gjakosur ai qytet i vogël e i skajshëm i vendit tonë të dashur.

Meqënëse ngjarja e datës 5 janar 2020 ka prova të pakundërshtueshme të cilat tregojnë se kush vret dhe shkakton plagë edhe sot pas 18 vitesh qetësi në këtë qytet, të hetohet kjo ngjarje sepse pas kontrollit të kamerave te sigurisë në disa lokale në qytetin e B.Currit rezulton se ish pjestarë të grupit special të policisë kanë marrë pjesë në këtë vrasje të mirë organizuar dhe në bashkëpunim të disa grupeve kriminale ku kjo vrasje ka ngjashmëri si dy pika uji me vrasjen dhe ekzekutimin e djalit të xhaxhait tonë Cen Haklaj bashkë me babain e tij 80 vjecar, të cilët nuk kishin asnjë lidhje me krimin dhe për ta ishte një ditë e zakonshme sikur të gjitha ditët e tjera të vitit.

Kërkojmë nga drejtësia shqiptare që në qoftë se ka arritur të clirohet nga kthetrat e Berishës dhe ndikimi i tij antikombëtar të hetojë këtë cështje në qoftë se duan të zgjidhin zinxhirin e vrasjeve të Tropojës dhe nxitësve e sponsorizuesve të kriminelëve e grupeve kriminale. I lutemi drejtësisë shqiptare të zbardhë vrasjen e 5 janarit 2020 në qoftëse duan të shkojnë deri tek zbardhja e vrasjes së 5 janarit 1998, sepse vërtetë ata që po mohojnë gjithcka dhe po përdorin edhe fjalor fyes duke fyer viktima dhe njerëz që nuk meritojnë fjalor fyes, do të rezultojë se i kane lyer duart me gjakun e shumë e shumë njerëzve të pafashëm duke bërë një terror të vërtetë.

Meqënëse provat nuk mungojnë per këto ngjarje makabre fillojeni nga e njohura dhe e freskëta e shkoni deri tek ajo e para dhe zjarrvënesja e qytetit verior në pragun e luftës së Kosovës.

E kështu do të zgjidhet i gjithë kalvari i vrasjeve në Tropojë, sepse ne jemi të bindur se ata që filluan vrasjet në Tropojë po vazhdojnë të vrasin edhe sot e kësaj dite duke shkaktuar plagë të reja dhe duke tronditur ata njerëz të lodhur nga vrasjet dhe politika. Ne akuzohemi se kemi bere shtremberime te se vertetes, në një kohë që akuzuesi dhe vëllai i tij nuk pranojnë asgjë, të cilët mohojnë fakte, dëshmi dhe prova të pa kontestueshme.

Në të gjitha rastet e minave per të calat akuzohen Hykët, kanë lanë pas shumë fakte prova dhe dëshmi, ku dëshmitë janë të bazuara, sepse vertetë radjoja i përkiste drejtorisë së Kukësit dhe vec kësaj në të pesë rastet e përdorimit të minave kanë mbetur mina të pa zbrazura të cilat janë inaktivuar më pas nga vetë policia, e këto mina kanë numra serie dhe janë një provë e pa kundërshtueshme se nga kanë ardhur ato dhe kush i solli për herë të parë në Shqipëri e pikërisht në një qytet aq të vogël e verior sic ishte qyteti i B.Currit. Hasan Hyka i quan minat dicka në modë në qytetin e B.Currit, ku deri atëherë ne nuk dinim asgjë për këto mina por vetëm kishim lexuar nëpër libra se ishin përdorur nga mafja siciliane per të vrarë prokurorin anti mafje në Itali.

Por unë i kam quajtur dhe do ti quajë një lajthitje të pa precedent të atyre që i përdorën ato mina ku faktet dhe shteti mund ta vërtetojnë se ato u përdorën pikërisht nga ata njerëz që nuk ishin viktima të atyre viteve të mbrapshta dhe këtu lindin shumë pikpyetje.

Për të gjitha ngjarjet tona ne kemi fakte dhe prova të cilat tregojnë mjaftë mirë se kush ishin vrasësit të cilët ishin në gjendje të vrisnin edhe dhjetra njerëz të pafajshëm vetëm e vetëm për të vrarë vëllezërit tanë, por cfarë u kishin bërë këtij grupi kriminal e banditesk vëllezërit tanë do të vërtetohet në qoftëse shteti është i interesuar të zbardhë të vërtetën.

Ne mendojmë se të gjithë ata që i kanë lyer duart me gjakë janë kriminelë, por ata që kanë, terrorizuar një rrethë të tërë me mina me telekomandë dhe kanë bërë krime ndaj njerezimit duke vrarë e plagosur cfarë tu dilte përpara, ata janë vërtetë banda kriminale të përmasave shtetërore apo ndërshtetërore. Plagët e të gjithëve po kullojnë, por po hapen edhe plagë të reja edhe pas 18 vite qetesie në qytetin e B.Currit.

Nxitja po vjen nga ata që po vrasin edhe sot njerëz krejt të pafajshëm të cilët rrjedhin nga familje që nuk e njohin krimin dhe që jetojnë me djersën e ballit të tyre duke punuar deri në orët e vona të natës pa u merakosur se i kishin borxh askujt e me celesat e lokalit të tyre në dorë.

Në kohën e Sali Berishës krimet bëheshin nga vetë shteti i cili të vriste dhe njëkohësisht zhdukte provat dhe dëshmitarët duke e mbuluar krimin me krim. Por ne kërkojmë me force që të zbulohet vrasja e Guxim Gjyriqit i cili vëtetë nuk e meritonte dhe shteti ka prova dhe fakte të pa kundërshtueshme ndaj në qoftë se është i interesuar të zbulojë vrasjet në Tropojë dhe të tregojë vërtetë se kush i filloi vrasjet në Tropojë dhe nga kush u iniciuan, financuan e u mbështetën ato vrasje dhe kush vazhdon edhe sot e kësaj dite të vrasë dhe të përgjakë Tropojën.

Mos funsionimi i shtetit me qëllime te caktuara të Sali agjentit të Serbisë bëri që të vriteshin njerëzit me njëri tjetrin, sepse ashtu i interesonte Saliut, të cilit i duheshin sa më shumë jetë të humbura për të qenë i besuari i Serbisë.

Ne mendojmë se Tropojën nuk po e lënë te qetë ata që po vazhdojnë ta trondisin atë edhe sot e kësaj dite pas shumë e shumë vitesh qetësi.

Të dishë në detaje se cfarë kanë bërë të tjerët dhe të mohosh gjithcka për vete ashtu sic pretendon Hasan Hyka, është absurde, por mohuesi dhe njekohësisht akuzuesi mendon se mohimi i gjithckaje e minimizon peshën e krimit të paktën në aparencë, por krimi dhe terrori kundër një numeri të konsiderueshëm njerëzish nuk mund të mbulohet me llafe.

Sali Berisha ka vrarë që nga viti 1992, në vitin 1997 ku humbën jetën 4000 qytetar shqiptar e duke vazhduar me Gërdecin e 21 janarin e deri me Remzi Hoxhën e familjen tonë, dhe shteti nuk e vë në bankën e të akuzuarve i cili prononcohet cdo ditë në media, ndaj është mjaftë absurde që akuzohet Top Channel për bashkëpunim me krimin, në një kohë që as Syri.com dhe as Tv-Klan nuk akuzohen për bashkëpunim me krimin në një kohë që tek këto televizione intervistojnë cdo ditë këtë vrasës të shumfishtë dhe agjentë të vërtetuar”.(TemA)

Back to top button
LAJMET E FUNDIT