Të gjithë në garë për të takuar Pompeon…! (FOTO)

Udhëheqësit kryesorë të politikës shqiptare ndodhen në Washington për takime me përfaqësues të Departamentit të Shtetit, e padyshim më kryesori ndër ta Sekretari i Shtetit Mike Pompeo.

Edi Rama dhe Ilir Meta e kanë kryer “misionin” për të takuar zyrtarin e lartë amerikan. Duke lënë pas “mëritë” e së kaluarës, sidomos të presidentit Meta, që është treguar më shumë se i ashpër me faktorin ndërkombëtar, përfshirë pa dyshim edhe atë amerikan, një foto me Pompeon “shuan gjakrat” e dikurshëm.

Askush nuk mund të flasë për gjendjen emocionale të Ilir Metës në momentin e takimit me Pompeo, kur jo shumë muaj më parë, Mattheë Palmer ishte shënjestra e tij.

Të qeshur dhe të lirshëm “kapot” e politikës shqiptarë nxituan dhe u vunë në radhë jo vetëm për një takim, por edhe për ta publikuar foton e shprepur me po aq nxitim në faqet e tyre zyrtare në facebook.

Dhe po me shpejtësinë e dritës autorizuan zyrat e tyre të shtypit t’ia përcjellin medias ende pa u dalë “ngazëllimi” për suksesin e arritur. Dhe e shesin një takim të tillë me aq shumë rëndësi, a thua se do të jetë “karta” e së ardhmes politike.

Vetëm me pak njohuri diplomatike është lehtësisht e kuptueshme se takime të tilla, e mbi të gjithë fotot me personalitete të Departamentit Amerikan të Shtetit janë për kortezi dhe nuk shprehin në asnjë rast përkrahje politike.

Gjithsesi, gara për një foto me Pompeon vijoi me Ramën. Shefi i Qeverisë tha se diskutoi me të rindërtimin, KÇK, apo edhe edhe minishengenin. Por doli krejt zbuluar, pas një interviste në Zërin e Amerikës të zëdhënëses së Departamentit Amerikan të Shtetit. Morgan Ortagus konfirmoi se Rama ishte ftuar në cilësinë e kryesimit nga Shqipëria të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë.

Dhe nuk kishte si të shpëtonte nga gara për një foto edhe ish-kryeministri i Kosovës, që tashmë nuk ka asnjë post në ekzekutivin kosovar, përveç një deputet i partisë në të cilën bën pjesë.

“I nderuar që gjatë lutjeve të mëngjesit të ndajë tavolinën me Sekretarin e Shtetit Mike Pompeo. Me Sekretarin Pompeo diskutuam për aktualitetin politik dhe rolin e Kosovës në rajon e më gjërë. Kosova ka treguar se është në krah të Amerikës dhe partneri më besnik i saj në të gjitha aspektet globale si ato të sigurisë, ekonomike, politikës së jashtme dhe paqes e demokracisë.

Sekretarin Pompeo e sigurova se ne qëndrojmë të palëkundur në besimin se Kosova dhe SHBA përveç interesave të përbashkëta strategjike ndajnë edhe sistemin e vlerave të lirisë e demokracisë” – shkroi Haradinaj në facebook.

Mëngjesi i Lutjeve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës që bëri bashkë politikën shqiptare pati si përfaqësues të opozitës jashtëparlamentare Fatmir Mediun dhe Monika Kryemadhin.

Ndoshta edhe ata e kanë dëshiruar fort një foto me Pompeon, por “fati” nuk u erdhi në derë. Ndoshta një herë tjetër…!

Back to top button
LAJMET E FUNDIT