Polici, milici, xhandarmëri/ Një shekull në veprim, por ende me këshillim ndërkombëtar

Në ecurinë e saj Policia Shqiptare ka kaluar herë në kulm dhe herë të tjera gati në shuarje, por gjithsesi në ecje dhe pa shkëputje. Funksionimi i saj ishte nevojë jetike e shtetit. por edhe kërkesë e publikut, sepse në thelbin e misionit të saj ka qenë kurdoherë “shërbimi ndaj shtetit dhe komunitetit, për të mbajtur rendin e qetësinë e vendit dhe zbatuar ligjet”.

Organizimi fillestar i Policisë u bë në bazë drejtorie me qendër në Vlorë, e drejtuar fillimisht nga gjakovari Halim Gostivari e më pas nga tepelenasi Fehmi Mezhgorani.

Historikisht Policia Shqiptare ka pasur këshillime nga ekspertët e huaj, ku kanë shënuar emrin shumë specialistë dhe kanë ndihmuar në ruajtjen e identitetit dhe të misionit civil të Policisë, si dhe evropianizimin e normave juridike për gjurmimin, hetimin, arrestimin, mbrojtjen e të drejtave e të lirive të individit nga cënimet e ndryshme, hyrjet me forcë në shtëpitë e qytetarëve, grumbullimet pa armë etj.

Në vitet 1919-1920, qeveria vlerësoi rëndësinë e Policisë, organizoi Drejtorinë e Përgjithshme të Qetësisë Botërore dhe u dha kompetenca nënprefekturave e prefekturave që të organizojnë zyrat e Policisë dhe të caktojnë policët në detyrë.

Strukturat e Policisë Vendore u shtrinë në 14 nënprefektura, me efektiv 5 komisarë, 8 nënkomisarë, 43 policë dhe u emërtuan “komiseri”. Për herë të parë në historinë e saj, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë pati buxhetin e saj në Nëntor 1919, i cili u rrit më tej në vitin 1920, për faktin se u rrit në masën 30% paga e punonjësve të policisë me argumentin se “kjo ndikon në përmirësimin e gjendjes dhe rritjen e zellit të policëve”.

Viti 1920 solli riorganizimin e Policisë me drejtori policie në prefektura dhe shtimin e limitit organik të saj, duke promovuar në detyra shumë drejtorë dhe komisarë policie, shumë prej të cilëve vinin nga administratorë vendorë apo drejtues në strukturat e xhandarmërisë ose ushtrisë/milicisë.

Në vitin 1921 roli i Policisë u fuqizua dhe iu kushtua kujdes i posaçëm i aftësimit për kryerjen e veprimeve proceduriale që në çastin e njoftimit për ngjarjen, ndjekjen me shumë përgjegjësi të ngjarjeve kriminale dhe dokumentimin rigoroz të tyre në një raport në çdo dy javë.

Kontrolli i territorit vlerësohej detyrë e rëndësishme dhe në metodën e policimit u kufizua e drejta e veprimit arbitrarisht ndaj individëve. Në vitin 1927 dhe 1928 pati përpjekje për organizimin e Policisë sipas modelit italian dhe në zbatim të ligjit për Administratën Civile, duke synuar dhënien e të gjithë kompetencave prefektit për kontrollin e policisë.

Periudha 1939-1944 ishte në peshën e Luftës së Dytë Botërore dhe Policia në më të shumtën ishte strukturë e qetësisë në rrethana specifike që sjell lufta. Fillimisht ajo ishte pjesë e trupës së armatosur e Policisë në Shqipëri, në varësi të kryesisë së Këshillit të Ministrave, por e inkuadruar në trupën policore të Mbretërisë së Italisë.

Në strukturën organizatave të saj spikatin Drejtoria Qendrore e Sigurimit Publik, zyrat e prefekturave, zyrat në nënprefektura dhe zyrat e kufirit dhe të post-porteve tokësore e detare. Kjo polici ishte në mbikëqyrjen e këshilltarit të përhershëm të policisë italiane dhe shumë funksionarëve të tjerë italianë.

Çlirimi nga pushtimi nazifashist i vendit solli politika të reja në misionin e policisë. Bërthamat e njësive policore të krijuara në zonat e çliruara gjatë luftës ishin të gatshme të merrnin përgjegjësinë e mbajtjes së qetësisë në vend. Në maj 1945 mori jetë dokumenti zyrtar për organizimin e ri të policisë, kur u riorganizuan strukturat ushtarake të komandave të qarqeve dhe u krijua Policia Popullore.

Policia Popullore ishte strukturë e Ministrisë Punëve të Brendshme, varej nga Drejtoria e saj dhe në periudhën 1946-1948 limiti organik ka variuar nga 2286 vetë në 3766 vetë. Deri në vitin 1982 limiti organik i Policisë së Shtetit ka qenë përafërsisht në këto shifra, ndërsa zhvillimet ndërkombëtare dhe ato të brendshme ndikuan në rritjen e limit organik të Policisë aq sa në vitin 1991 shifra e punonjësve të rendit e të qetësisë arriti në kufijtë deri 21 mijë 000 punonjës.

Në fillimin e këtyre viteve kanë zanafillën krijimin e strukturave të forcave speciale, shtimi i masave të shumta të sigurisë për VIP-at dhe sidomos rritja e numrit të policisë kufitare.

Periudha 1992 e në vijim u shoqërua me reformimim e strukturave, personelit, standarteve të policimit dhe përmirësimin e ndjeshëm të infrastrukturës.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT