Një jetë në shërbim të popullit

Në qytetin metropol të veriut, në Shkodrën e dijes, kulturës dhe qytetërimit një vend nderi i përket edhe prof.dr z.Ramadan Perhati.

Profesor Ramadan Perhati lindi me 20 janar të vitit 1930 në një fshat të largët në Peshkopi.

Akoma pa i mbushur të pesëmbedhjetat djaloshi Ramadan Perhati i bashkohet formacioneve partizane, duke e luftuar pushtuesin deri në ish-Jugosllavi.

Në muajn maj të vitit 1945 Ramadani kthehet në atdhe për të filluar studimet në shkollën ushtarake të cilën u detyrua ta ndërpriste për arsye shëndetësore.

Më pas ndoqi studimet në Shkodër dhe pas diplomit e dërgojnë për studime në Rusi për inxhinieri në industrinë e naftës.

Në vitin 1955 Ramadan Perhati mbaron studimet me rezultate të larta. Falë tyre inxhinierin e talentuar Ramadan Perhati e ngarkojnë me detyrën e kryeinxhinierit në Patos dhe më pas drejtor ekspedite, deri drejtues i lartë në rang kombëtar në industrinë e prodhimit të arit të zi.

Zoti Perhati u bë figura më potenciale në industrinë e naftës duke shpikur dhjetra metoda shkencore në sektorin e shpimit madje një nga këto shpikje mban edhe emrin e shkencarit Perhatj.

Për punën dhe novatorizmin e tij zoti Perhati u nderua me dhjetra dekorata, dëshmi dhe çmime të ndryshme nga kuvendi popullor etj.

Ramadan Perhati mori gradën profesor doktor, si dhe bashkëpunëtor i vjetër shkencor .

Ka botuar një sërë broshurash dhe metodikash shkencore në fushën e shkencave gjeologjike.

Tamam në kulmin e vet, gjithçka u ndërpre.

Ishte viti 1975, viti i zymtë për industrinë e naftës dhe për inxhinierin dhe shkencëtarin Ramadan Perhati.

Grupi i inxhiniereve të mirëshkolluar jashtë vendit u shpallën armiq të partisë.

Fatmirësisht inxhinieri dibran Ramadan Perhati i “shpëtoi” dënimit ekstrem të kohës pasi nuk iu konstatua asnjë shkelje profesionale, ndaj nuk iu privua sëpaku liria.

E dënuan shkencëtarin e talentuar duke e dërguar si sondist të thjeshtë me turne në sektorët më të vështirë.

Ndihesha i fyer deri në palcë, – pohon shkencëtari 90 vjeçar, – shokët më shmangeshin edhe tek rradha e bukës nga frika.

E dhimbshme dhe absurde, edhe doktor i industrisë edhe armik i partisë.

Sot prof.dr Ramadan Perhati ka hyrë në dekadën e fundit për të mbushur plot një shekull nga lindja tij.

Ndërsa jeton me një pension qesharak duke patur parasysh një duzinë titujsh shkencor si dhe statusin e partizanit, atë të naftëtarit, madje prof.dr Perhati është qytetar nderi në tre qytete të Shqipërise.

Ndërsa qeveritë dhe pushteti i këtyre tridhjetë viteve e ka lënë në harresë ikonën e shkencës shqipëtare.

A duhen trajtuar me një pension të posaçëm këta heronjë të gjallë të luftës dhe punës?

Mos vallë qeveritë mjaftohen me një cermoni nderi pas vdekjes?!

Nga Gani Lala & Preng Pjetri, Lezhë.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT