Mos i vidhni!

Edi Ramës dje dhe sot i kanë shkruar deklarata të pafundme dashurie. “Ai fitoi, është fitore personale, donacionet ishin meritë e tij”, etj.

Velinat mediatike kanë shndërruar mundësinë e një diskutimi financiar në një moment lajmesh rozë.

A thua se Rama është ai që ka blerë makinën e tipit të fundit dhe në radhë janë vënë bythëkërcyerat që e shohin. Pak a shumë kështu po duket kjo paradë lëvdatash.

Vetë Kryeministri atë që bëri fatkeqësia e natyrës po kërkon ta administrojë si aftësi të vetën.

Nuk duroi, por e shpalli atë që ndodhi fitore të vetën. Cilën fitore? Si vallë na qenka fitore e Edi Ramës donacioni dhe huatë për rindërtimin pas tërmetit?

Kjo qeveri ka një bilanc dhe ky bilanc nuk flet në favor të entuziazmit.

Qeveria në emër të projekteve të veta dhe zhvillimit nuk ka arritur të thithë këto vite asnjë investim serioz. Në shtatë vjet kemi parë vetëm kredi të kushtëzuara të FMN-së.  As bankat, as sektori privat nuk shprehën interes serioz për projektet publike, – shkruan ResPublica.

Vetë shqiptarët nuk i dhuruan para qeverisë për tërmetin, por më shumë fondacioneve private.

Dhe më e rëndësishmja, ne kemi një përvojë të qartë sesi paratë merren për një qëllim dhe shpenzohen për të tjera.

Shikoni p.sh çfarë ndodh me taksën e qarkullimit.

Edhe paratë merren për rindërtimin, por nesër…

Konferenca e Donatorëve çliroi një shumë përtej pritmërive, por pjesa më e madhe janë kredi.

Dhe kreditë janë borxh i shtuar për Shqipërinë, që paraqiti një faturë të cilën nuk nuk  e dimë si u hartua. Shqipërisë i dhanë një borxh dhe i falën një pjesë parash për rindërtimin, duke theksuar kontrollin e shpenzimeve të tyre.

Të thuash këtë nuk do të thotë se mallkon paratë që kanë ardhur në emër të Shqipërisë.

Por meqë edhe kjo ngjarje po ndahet në dy palë, ca që kanë patur sukses dhe të tjerët, atëherë le ta gëzojnë këtë moment të shkurtër. Dalldia vjen dhe ikën shpejt.

Do mbetet për t’u parë sesi do të shkojë ky proces, si do administrohen këto para. Ajo që dimë me siguri është se kur vjen puna te paratë kjo qeveri ka dëshmuar se nuk ka asnjë seriozitet dhe asnjë punë pa njollë dyshimi sipër.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT