Ilir Meta nuk ndalet: Ka edhe ndërkombëtarë pjesë e “grushtit të shtetit”, do dalin

Presidenti Ilir Meta ka vazhduar me akuzat ndaj ambasadorëve dhe diplomatëve të huaj, të cilët sipas tij janë të përfshirë në “grushtin e shtetit”.
Gjatë një interviste në ReportTv, i pyetur se pse vendosi të dalë në rrugë para Kryeministrisë kur ambasadorët më të rëndësishëm në Tiranë thonë që duhet të prisni një ekspertizë të Komisionit të Venecias, ai u shpreh.
“Ambasadorët këtë gjë e thanë përpara dhe për mendimin tim, ata, bënë veprim shumë të gabuar. Sepse ata dolën jashtë statusit të tyre diplomatik në Republikën e Shqipërisë. Mendo sikur ambasadorja e Shqipërisë në Romë të vinte në diskutim dekretin e Presidentit të Italisë! Do ta kishin paketuar, ambalazhuar, siç paketohen ato plaçkat që sillen me DHL, dhe për 24 orë e kishe në Rinas. Megjithatë, ata e bënë këtë gjë, edhe pse unë, u thashë që kjo nuk është kërkesë për Venecian se, është qesharake.
Sepse Venecia e ka shkruar që Gjykata Kushtetuese ndërtohet në mënyrë të balancuar nga Presidenti, si kryeri i Shtetit dhe është i pari Presidenti, nga Parlamenti dhe ka parasysh parlament demokratik, jo gjysmë-Parlament si ky i joni që është në gjendje anti-kushtetuese prej një viti me 122 deputet me letra nga 140 dhe nga Gjykata e Lartë.
Vetë Venecia ka thënë që edhe radha do përcaktohet në Kushtetutë dhe do përcaktohet edhe në ligj, një për një, për çdo emër. Pse? Sepse e ka thënë Venecia vetë, na e ka dërguar me letra që atëherë kur e kemi bërë. Sepse mund të ndodhi që Presidenti dhe shumica në Parlament të jenë të një linje politike.
Gazetari: Ndërkohë socialistë thanë që, ju nuk e respektuat afatin 1-mujor, për të përzgjedhur emrin e dytë…
Presidenti Meta: Se çfarë thonë socialistët…. specialistët, jo socialistët. Socialistët janë seriozë, këta janë rilindas.Por, çfarë thotë Venecia, edhe radha kushtetuese është e rëndësishme duhet të jetë e balancuar.
Mund të ndodhë që Presidenti dhe shumica në Parlament të jenë të një linje politike dhe t’i plotësojnë të 6 vendet me njëherë dhe bëjnë kuorumin, rimarrin çdo gjë, mbarojnë punë. Në Gjykatën Kushtetuese nuk ke as mendim oponent, përbën një rrezik kapja politike e Gjykatës Kushtetuese. Kjo ka qenë dhe është shumë e qartë, kjo është dhe arsyeja pse ata nuk e pritën Venecian.
Ata, e kërkuan gjoja Venecian, për të relativizuar përgjegjësitë penale të Dvoranit se ai, nuk është vetëm ai, ka bërë bashkëpunëtorë të shumtë. Ja dolën disa bashkëpunëtorë, por do dalin dhe të tjerë. Kam dyshime, që për fat të keq do dalin dhe bashkëpunëtorë ndërkombëtarë. Më këtë akt dhe tentativë të pastër të grushtit të shtetit.