Gjykata Kushtetuese si shpresa e vetme e opozitës për zgjedhje të reja vendore

Edhe pse vendi ndodhej në një tension e klimë të polarizuar politike, sërish zgjedhjet për qeverisjen vendore u zhvilluan.
Në fakt kjo ngjarje dukej më shumë një “bast” i vënë mes të dy partive politike kryesore, ku partia në pushtet zotohej se do t’i zhvillonte zgjedhjet qoftë edhe e vetme. Nga ana tjetër opozita e bashkuar zotohej se nuk do të merrte pjesë në zgjedhje, dhe as nuk do të lejonte zhvillimin e tyre.
Zgjedhjet u zhvilluan dhe siç tashmë duket gjërat morën një rrjedhë normale, edhe pse akoma ka kontestime mbi mënyrën sesi u zhvilluan zgjedhjet, dhe po ashtu ka paqartësira të mëdha nëse zgjedhjet e qershorit mund të konsiderohen apo jo demokratike.
Pikërisht për t’i dhënë zgjidhje kësaj dileme dhe po ashtu për të prishur rehatinë e Edi Ramës që ishte i vetëkënaqur që kishte arritur të fitonte “bastin”, shumë gurë u vunë në lojë.
Në njërën anë ishte Presidenti i Republikës që do të bënte të gjitha lëvizjet që i jepte posti i tij për të ndaluar zhvillimin e zgjedhjeve vendore. E kur këtë nuk arriti ta realizonte ai nisi kundërshtimin në të gjitha rrugët e mundshme ligjore e politike.
Presidenti Meta i dërgoi kërkesë për opinion Komisionit të Venecias në lidhje me ligshmërinë e zgjedhjeve të qershorit. E kur as kjo nuk mjaftoi ai nisi një betejë të qartë politike, duke publikuar video e fakte nëpër televizone e rrjete sociale që sipas tij tregonin paligjshmëri të zgjedhjeve.
Por vendimi më i duhur juridik e kushtetues mbi vërtetimin e legjitimitetit të zgjedhjeve të qershorit, do të ndërmerrej nga kryetarja e Bashkisë së Shkodrës, njëherësh edhe Kryetare e “Shoqatës së Bashkive të Djathta të Shqipërisë” znj. Voltana Ademi.
Kjo e fundit menjëhere pas zhvillimit të zgjedhjeve do të depozitonte një padi në Gjykatën Kushtetuese, për shpalljen si të paligjshme të zgjedhjeve. Edhe pse duhet thënë që Gjykata Kushtetuese ende nuk kishte antarë në përbërje të saj.
Vetëm pak ditë më parë kjo gjykatë vendosi pranimin e padisë së znj. Ademi dhe do të fillojë shqyrtimin e çështjes. Kjo gjykatë aktualisht përbëhet nga vetëm 4 antarë, dhe për të marrë vendim i duhen së paku edhe 2 të tjerë. Por kjo nuk e pengon atë që të shqyrtojë çështjen në themel.
Kësaj gjykate i është kërkuar shpallje e paligjshmërisë procesit të 30 qershorit, dhe nisur edhe nga parashikimet e nenit 45 të Kushtetutës që garanton fshehtësinë e votimit, dhe po ashtu përmbajtja e “Kartës Evropiane për Vetëqeverisjen Vendore” akt të cilin e ka ratifikuar edhe Shqipëria, e cila garanton garën në zgjedhje me më shumë se një kandidat gjasat që Kushtetuesja të shpallë jo të pranueshëm procesin në tërësi janë evidente dhe të mëdha.
Shtuar këtu edhe deklaratën e OSBE-së e cila po ashtu prekte mungesën e kandidatëve në plot 31 bashki të vendit.