Analiza e Bashës për Metën, nga thirrja për protestë te kriza në Shqipëri

Kryetari i PD-së Lulzim Basha mendon se Shqipëria gjendet në një krizë të thellë kushtetuese përveç krizës ekonomike që përjetohet përditë. Ai u ndal te thirrja e presidentit Ilir Meta, për të dalë në shesh më 2 mars, pasi sipas tij, nuk mund të mbyllim sytë kur shteti ligjor merret peng, kur institucionet shkatërrohen, dhe demokracia është në rrezik.
“Kapja e Gjykatës Kushtetuese do të thotë asgjësim i të drejtave dhe lirive të çdo qytetari. Ne nuk mund të pranojmë që Shqipëria të kthehet 30 vite prapa. Thirrja e Presidentit nuk është për partitë politike, apo për të djathtët apo të majtët, por për qytetarët shqiptarë që të mbrojnë themelin e demokracisë që është Kushtetuta. Si qytetarë që duam që vendi të bëjë hapa para drejt konsolidimit të demokracisë, duhet t’i përgjigjemi çdo thirrje në mbrojtje Kushtetutës dhe funksionimin demokratik të institucioneve të pavarura. Prandaj unë e mbështes tubimin e thirrur nga Presidenti për Kushtetutën!’, shkroi ai në Facebook.
Lideri i opozitës shtoi se duhet kujtuar se sovrani është populli.
“Unë dhe opozita kemi qenë dhe jemi fare të qartë: Kushtetuta ka rënë, asaj i ka mbetur vetëm kapaku! Prandaj na duhet një zgjidhje politike për ta futur Shqipërinë në rrugën e duhur.
Për të zgjidhur krizën ku është futur vendi, për tu kthyer qeverisjen shqiptarëve, për tu kthyer bashkitë shqiptarëve, për tu kthyer ekonominë shqiptarëve, për të garantuar drejtësinë e pavarur nga politika, ka NJË ZGJIDHJE DEMOKRATIKE: PËRFUNDIMI NË KOHË I REFORMËS ZGJEDHORE DHE MENJËHERË MBAJTJA E ZGJEDHJEVE TË LIRA E TË NDERSHME!’, ishte mesazhi i tij.