Dosja Babale, historia e një mashtrimi. Publikohen për herë të parë dokumentat e plota dhe tabulatet telefonike (Pjesa I)

Deklaratat e shtetasit Albert Veliu, personit që u shfrytëzua politikisht nga Partia Demokratike për të trazuar mbarë opinionin publik duke inskenuar të ashtëquajturën çështje “Babale”, vijojnë të nxjerrin në pah të tjera detaje, duke zbardhur ngjarjen e cila u shndërrua në një “mollë sherri” mes opozitës dhe mazhorancës.
“Dita” disponon të gjithë dosjen gjyqësore voluminoze të hetimeve intensive, ku do të bëjë një ballafaqim të tyre për të parë se sa qëndrojnë dhe sa bien ndesh me njëra-tjetrën deklaratat publike të artikuluara nga i emërtuari “Dëshmitari X”.
Publikimi i denoncimit nga Partia Demokratike ku pretendonte se vëllai i ish ministrit të Brendshëm Agron Xhafaj, fliste me “dëshmitarin X” për shit-blerje të bimëve narkotike, vendosi në lëvizje Prokurorinë e cila duhet të hidhte dritë mbi çështjen.
Për të fshehur bisedën e inskenuar dhe materialin e përgatitur vetë nga Partia Demokratike mbi një bisedë të supozuar, treshja Salianji-Olldashi-Veliu (Babale), janë përpjekur të “kopsitin” një skenar i cili nuk ka përputhshmëri nga njëri-të tjetri, duke hedhur dritë më tepër mbi çështjen.
Në numrat në vijim në versionin print të gazettes “Dita” do përcjellë për herë të parë në mënyrë të plotë të gjitha pretendimet e aktorëve të përfshirë në ngjarje të ilustruar me procesverbalin përkatës.
Denoncimi i PD dhe kontraditat e “Babales”
Më datë 14 maj 2018, PD ka prezantuar një audio-regjistrim të pretenduar si një audio-përgjim të bërë nga “Dëshmimtari X” me vëllain e ish ministrit të Brendshëm ku ndër të tjera përmes titrave shoqëruar me muzikë pretendohej se Xhafaj ka qenë drejtues i një organizate kriminale që kontrollon trafikun e drogës.
Fill pas kësaj video, vëllai i ish ministrit të Brendshëm depozitoi një kallëzim penal për tre ish deputetët e Partisë Demokratike, Ervin Salianji, Enkelejd Alibeaj dhe Gazmend Bardhi duke u shprehur se në audiopërgjimin e publikuar nuk është zëri i tij dhe se gjithçka bëhet fjalë për një inskenim.
Ndërkohë, në të gjitha intervistat dhe dëshmitë e dhënë në prokurori apo gjykatë për aktorët kryesorë të këtij procesi, janë të përshkruara nga kontradikta të shumta të brendëshme midis tyre, çka duket sikur krijon bindjen e plotë se bëhet fjalë për një skenar të keqorganizuar.
Më datë 17 Maj Albert Veliu në intervistën e zhvilluar në “selinë blu” duke zbuluar identitetin e tij nga “Dëshmimtari X” në Albert Veliu, i ashtuquajturi “Babale”. Në këtë intervistë ai jep versionin ku thotë se përgjimin e ka kryer vetë vëllai i ish ministrit të Brendshëm, pra sipas tij vëllai i ministrit të Brendshëm ka përgjuar vetëveten.
Ndër të tjera ai ka pohuar se :
“Filmimet i ka bërë vetë Agroni, aty janë, me dashje nuk di unë pa dashje i ka bërë vetë ai, Ça bën Agroni dhe akuzon Andonin në anën tjetër. Ato të gjitha janë gjëra reale, fakte reale, si zëri që ne kemi folur… gjithmonë e ha një fukara jo i pasur. Agronin e kanë përgjuar të tjerët, unë nuk kam lidhje, nga ka ardhur kjo, e gjen Agroni, këto përgjime. Unë s’jam shteti të përgjoj, unë jam hallexhi, nuk jam shteti të përgjoj, ato i di ai që merret me shtetin”.
Më datë date 17 maj 2018, Albert Veliu, i njohur ndryshe si “Babalja”, është marrë pyetje në Prokurorinë e rrethit Gjyqësor Tiranë ku ka folur lidhur me denoncimin.
Që në krye të herës, i pyetur nga prokurori Genci Qana, Veliu mohon që të ketë dijeni lidhur me këtë përgjim duke insistuar që nuk është ai personi që ka kryer regjistrimin.
“Më saktë unë jam personi i mbiquajtur në këto publikime si ‘’Bashkëpunëtori X’’. Unë nuk kam dijeni se kush është personi që e ka regjisturar këtë bisedë e as kam dijeni se me çfarë mjeti është bërë ky regjistrim”, thekson ai në këtë deklarim duke shtuar se:
“Edhe lidhur me këtë bisedë ju konfirmoj se unë nuk kam bërë asnjë regjistrim të saj dhe nuk kam vënë re ndonjë person që të ketë qenë aty afër. Sikurse e thashë unë bisedën e kam bërë ndërkohë që ndodhesha për drekë me familjen dhe në tavolinën tonë nuk ka qenë person tjetër. Por konfirmoj se biseda është bërë midis meje dhe Agronit. Për të gjithë regjistrimet e publikuara unë ju them me siguri që nuk jam unë personi që i ka kryer dhe nuk jam fare në dijeni se cili i ka regjistruar bisedat”, tha Veliu.
Ndërkohë, një ditë më pas më 18 Maj ora 10:30, i pyetur nga prokurorët Gentjan Osmani dhe Përparim Kulluri, “Babalja”, paraqet një tjetër version, krejt të ndryshëm nga ai i dhënë në intervistën publike dhe me atë te një dite më parë në prokurori, duke dhënë versionin e ri se përgjimi është kryer prej tij me një stilolaps përgjues të servirur nga Shërbimi Informativ Shtetëror (SHISH).
“Për këtë qëllim unë kërkova bashkëpunimin me Shërbimin Informativ Shtetëror. Këtë e realizova duke ardhur në Tiranë e nëpërmjet njohjeve të mia realizova takimin me një person, të cilin nuk ia di emrin. Unë e informova atë duke e vënë në dijeni të sa kishte ndodhur e si kishte ndodhur. Më pas, rreth gjashtë ditë përpara përgjimit kanë ardhur në Vlorë një grup prej dy vetash. Njëri prej tyre e kishte mbiemrin Bendo, por emri nuk më kujtohet. Më pas kanë ardhur dy persona të tjerë, që kanë punuar me mua për realizimin e këtij përgjimi. Gjithsej janë kryer 3 përgjime. Njëri në makinë kur unë kam folur nëpërmjet telefonit tim me Agronin dhe dy të tjera ambjentale. Në përgjimin e parë ambjental unë jam pajisur me një pajisje përgjuese të futur në një stilolaps. Përgjimi i dytë ambjental është ai, që u publikua dhe për këtë përgjim unë jam pajisur nga personeli i SHISH me një pajisje përgjuese në pamjen e çelësit pult automjeti AUDI. Materialin audio, të cilin unë e regjistrova ia kam dorëzuar këtyre punonjësve dhe vetë nuk kam mbajtur asnjë kopje”,shprehej Albert Veliu i cili i pyetur sërish nga prokurori i çështjes sërish bie në kontraditë me veten duke thënë se nuk ka dijeni mbi regjistrimin.
Sic shihet Albert Veliu ka paraqitur të paktën katër versione të ndryshme lidhur me mënyrën se si pretendon se e ka kryer regjistrimin, çka provon qartë mosvërtetësinë e këtij individi.
Versioni ndryshe i publikuesve
Nga ana tjetër, gazetari Jetmir Olldashi sjell një version të kundërt me Veliun ku thotë se pajisjet dhe instruksionet ja ka dhënë ai Albert Veliut për të kryer një përgjim.
Madje ai thotë se përgjimin e ka kryer në kuadër të emisionit “TëPaEkspozuarit” dhe se drejtuesi Ylli Rakipi nuk e ka pranuar si material duke pretenduar se nuk ishte i besueshëm dhe se nuk mund të publikohej.
“Unë pajisjet i kam marrë nga Ylli Rakipi i cili mi dha si gjithmonë për emisonin. Ato ishin të gjithë stilolapsa rreth 6-7 copë. Kur mbërritëm në Vlorë, unë i kam dhënë Albertit një pajisje regjistruese të vendosur në një stilolaps e cila mund të regjistrontë audio dhe video. Kam folur atë mbrëmje me Ylli Rakipin ku i kam thënë se kisha ardhur dhe kisha realizuar diçka për emisionin por jo atë çka ne prisnim, d.m.th të filmonim magazine apo depo me kanabis…Ai më ka thënë që materiali i pashoqëruar me video është painteres për emisionin. Unë mendoj se investigimi nuk ishte i plotë pasi nuk arritëm të realizonim video me ato çka prisnim”, është shprehur Jetmir Olldashi në versionin e parë.
Sa i përket kësaj çështje, një version e ka përcjellë edhe ish deputeti Ervin Salianji i cili është përpjekur të justifikojë veten duke thënë se ai nuk ka pasur dijeni mbi këtë përgjim dhe se këtë ja ka sugjeruar gazetari Jetmir Olldashi.
“Me këtë audio regjistrim jam njohur nga gazetari investigativ Jetmir Olldashi të cilin e njihja edhe më parë. Disa muaj para transmetimit jemi takuar në selinë e Partisë Demokratike. Në kafen e selisë më ka thënë se ishte duke investiguar një rast të rëndë të trafikimit të kanabisit. Ai kishte një bashkëpunëtor nga qyteti i Vlorës i cili kishte njohje me trafikantë në këtë qytet dhe ai po punonte me të”, tha Salianji i cili tregon edhe se PD ka vendosur në dispozicion specialistët e saj për të ndërhyrë në material.
“Nuk ka asnjë ndryshim midis atij të sjellë nga gazetari dhe atij që është transmetuar përveç titrave dhe sfondit muzikor që dëgjohet në transmetim. Këto titrime janë bërë nga specialist”, shprehet Salianji.
Por sipas deklarimeve të gazetarit Ylli Rakipi, Olldashi ka qenë vetë në Vlorë për këtë çështje dhe se i ka thënë që nuk ka mundur të kryejë asnjë përgjim real, çka në këtë pikë ngre pikëpyetje se ku u gjend biseda duke e kanalizuar çështjen drejt inskenimit. Përfundim ky që u nxor edhe nga hetimet intensive të prokurorisë.
“Ai ka marr përsipër të realizonte një regjistrim të fshehtë ku ka thënë se do të kryente një investigim lidhur me trafikimin e narkotikëve në qytetin e Vlorës. Ai më ka thënë se vëllai i ministrit të brendshëm është një nga njerëzit që e drejtonte atë trafik. Ky informacion me tha se atij i vinte nga një informatori i tij. Pasi u kthye më ka thënë se nuk kishte arritur të realizonte atë që kërkohej për emisionin. Ai nuk më ka dhënë asnjë material të realizuar prej tij ndaj unë nuk di se çfarë ka realizuar ai. Ai më ka thënë së banditët në Vlorë ishin trembur dhe punonin me shumë kujdes”, dëshmoi Rakipi.
Një dëshmi tjetër është edhe ajo e Fredi Alizotit, kunatit të Albert Veliut i cili thotë se regjistrimin e kanë kryer bashkërisht dhe se Albert Veliu, apo “Babalja” e ka instruktuar për të imituar zërin e vëllait të ish ministrit të Brendshëm.
“Shtetasin Albert Veliu e njoh prej rreth 20 vitesh, takoheshim në Fier ku ai kishte njerëzit e nuses gjithashtu kemi qenë dhe ne Spanjë së bashku në vitin 2007. Rreth muajve tetor nëntor të vitit 2017, shtetasi Albert Veliu me ka takuar dhe me ka thënë që dua të bej një regjistrim shtetasit Agron Xhafaj, vëllai i ministrit të Brendshëm por nuk i gjej dot anën pasi ai nuk e afronte. Më ka ofruar qe të bënim regjstrimin ku unë te hiqesha sikur isha shtetasi Agron Xhafaj. Babalja premtoi që do më jepte 100.000 euro. Zëri i shfaqur në regjstrimin e bërë publik nga televizionet në bisedë me Babalen është zëri im. Babalja deri në këto momente nuk më ka dhënë asnjë lekë”, pretendoi Veliu.
Pra, siç mund të shihet, nga këto pohime publike dhe nga deklarimet gjatë pyetjes në prokurori asnjë nga deklaruesit nuk pajtohet me tjetrin, duke ofruar dëshmi që kundërshtojnë pretendimet e Partisë Demokratike dhe rrëzojnë retorikën politike mbi implikimin e vëllait të ish ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj në shit-blerjen e bimëve narkotike.
*****
Botuar në Dita. Vijon nesër. Faksimilet e të gjitha dokumentave të cituara mund të gjenden në gazetën print numri i sotëm
