Rama: Kam marrë vota më shumë se të gjithë të tjerët, këtej e andej kufirit. Nacionalistët nuk i duhen as dreqit

Kryeministri Edi Rama i është përgjigjur një komentuesi nga Kosova, pasi ka shpërndarë një koment të Rexhep Qoses.

Komentuesi nuk duket dakord me Qosen pasi sipas tij ai nuk merr vota në Kosovë dhe pastaj i shkruan Ramës:

“Duhet ta dini mire se Kosova nuk e ka vene ne pyetje territorin e Shqiperise, siq ke bere ti me Thaqin e Vuqiqin. Pastaj nuk ju ka akuzuar juve kryeministri i Kosoves ne gjykate, po ju e keni akuzuar Ramushin”.

Përgjigja e Ramës:

Edi Rama: Besim Kryeziu e para i dashur mik që i dashur nuk je, nuk janë votat që e përcaktojnë nivelin e mendjes së një individi, se gjyshja ime s’ka marrë asnjë votë tërë jetën e saj, po ishte më e mençur se unë që kam marrë vota më shumë se të gjithë të tjerët, këtej e andej kufirit;

e dyta, unë nuk e kam vënë kurrë në pyetje territorin e Kosovës siç shkruan ti, sepse që ta thuash këtë duhet minimumi të nxjerrësh një fjalë të thënë prej meje si provë, çka nuk ke asnjë shans që ta gjesh askund tjetër përveçse në gojët e shpifësve, të cilët të kanë kthyer edhe ty në një shpifës për këtë temë;

e treta, unë e kam çuar në gjykatë Ramushin sepse ka shpifur ndaj meje, duke thënë gënjeshtra të patolerueshme, por nëse ti mendon se kur kryeministri yt shpif ndaj kryeministrit të Shqipërisë, kjo shkon në favor të interesave të Kosovës, ndërsa kur kryeministri i Shqipërisë e çon atë në gjykatën e Kosovës dhe i thotë hajde provo në gjykatë se nuk ke gënjyer popullin tënd lidhur me kryeministrin e Shqipërisë, kjo qenka kundër interesave të Kosovës, atëherë ti vëlla dhe kush mendon si ti, jeni hall për Kosovën jo ndihmë;

Kthimin e Kosovës në Jugosllavi e predikojnë ata që nuk e kanë kuptuar akoma as që Jugosllavinë nuk e ringjall dot as Tito po të ringjallet bashkë me komunizmin, as që kërcënimi i Kosovës sot nuk është fantazma e Jugosllavisë, po janë vetëizolimi, humbja e respektit të miqve të mëdhenj, mbyllja në një treg të vogël sa hapësira e saj, kufizimi i lëvizjes së njerëzve e mallrave, varfëria e papunësia që nuk kanë shans të luftohen me propagande luftarake e as me sulme qorre ndaj meje e ndaj Shqipërisë;

e fundit, patriot është ai që do vendin e tij, nacionalist është ai që urren vendin e tjetrit, prandaj edhe patriotet janë ata që i duhen vendit, ndërsa nacionalistët nuk i duhen as dreqit!

Akademiku Qosja ditën e sotme (lexo KËTU) në një postim në Facebook, është shprehur se Gazeta Express dhe televizioni T7 po përhapin urrejtje shoviniste ndaj Shqipërisë. Qosja thekson se institucionet e larta në Kosovë, duhet të marrin masa, pasi sipas tij kjo mund të sjellë pasoja të rënda mes Tiranës e Prishtinës.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT