PPP: Politikanët, Pelenat, Paratë

Fatos Tarifa

Samuel Clemens, shkrimtari i madh amerikan që shkroi nën pseudonimin Mark Twain, na ka lënë modele të shkëlqyer të letërsisë satirike, e cila pëlqehet edhe sot njëlloj si në kohën kur ai ishte gjallë (vdiq në vitin 1910, pra 110 vite më parë). Mendimet dhe thëniet e tij gjenden kudo, pëlqehen nga të gjithë dhe citohen shpesh. Një dëshmi e gjallë e gjenisë krijuese dhe e popullaritetit të tij është fakti që mençurisë së tij shumë herë i dedikohen thënie apokrife, të cilat vetë Twain mund të mos i ketë shkruar ose thënë ndonjëherë, por që njerëzit rëndom i lidhin me emrin e tij. Qarkullimi i aforizmave të tillë apokrifikë ka qenë diçka e zakonshme në shekullin e 20-të, por është rritur veçanërisht shumë me zhvillimin e mediave dixhitale.

Një ndër aforizmat më të bukur, që mendohet se ka për autor Mark Twain-in, por që, në fakt, është popullarizuar shumë përmes filmit “Njeriu i vitit” (Man of the Year), një film satirik, prodhuar në vitin 2006, është ky që vihet në gojën e aktorit të njohur amerikan Robin Williams, në rolin kryesor në atë film: “Mos harroni një gjë, zonja e zotërinj: një shprehje e vjetër, në thelb anonime, thotë se politikanët janë si pelenat, ata duhen ndërruar shpesh, dhe për të njëjtat arsye. Mbajeni mend këtë herën tjetër kur të votoni” (“Remember this ladies and gentlemen: It’s an old phrase, basically anonymous, politicians are a lot like diapers, they should be changed frequently, and for the same reasons. Keep that in mind the next time you vote”.

* * *

 Edhe pse aforizmi i mësipërm (ndoshta nga Mark Twain), është cituar në një film që satirizon politikën amerikane, ai na kujton ata politikanë shqiptarë në ditët tona që kanë hyrë në politikë dhe nuk shkulen prej saj. Vini re: Kreu i sotëm i Shtetit ka hyrë në politikë 30 vite më parë dhe askush nuk mund të thotë edhe sa kohë akoma do të mbetet në politikë. Kreu i sotëm i Parlamentit, gjithashtu, ka hyrë në politikë 30 vite më parë dhe askush nuk di se deri kur do të mbetet në politikë. Kreu i sotëm i qeverisë ka hyrë në politikë një çerek shekulli më parë dhe askush nuk di nëse do të largohet ndonjëherë prej politikës.

Shtojuni këtyre individëve emrat e kryetarëve të disa partive politike, ose të dhjetëra politikanëve, që kanë qenë ose janë anëtarë të Kuvendit të Shqipërisë, ose ministra në qeveri të ndryshme, nga viti 1992 e këtej, si Fatmir Mediu, Pandeli Majko, Vasil Dule, Nard Ndoka, Shpëtim Idrizi, Petrit Vasili, Taulant Balla e shumë të tjerë dhe do të shihni se qytetarët e këtij vendi dhe të rinjtë e sotëm shqiptarë, të cilët kanë lindur në shekullin e 21-të, i drejtojnë politikanë të shekullit të 20-të, me mentalitetet e shekullit të 20-të.

Shqipëria nuk mund të bëjë përpara me politikanë të tillë. Zonja e zotërinj, të rinj e të reja, mbajeni parasysh këtë kur të votoni sërish për përfaqësuesit tuaj në Kuvendin e Shqipërisë dhe në këshillat bashkiakë! Politikanët, njëlloj si pelenat—dhe për të njëjtat arsye—duhen ndërruar shpesh!

* * *

 Deri më sot, një pjesë e madhe e politikanëve tanë kanë punuar e vazhdojnë të punojnë për të sotmen dhe të nesërmen e tyre e të fëmijëve të tyre, jo për të sotmen dhe të ardhmen e vendit e të qytetarëve shqiptarë. Për ta, politika ka qenë dhe është një “profesion” për t’u bërë i pasur, jo një vokacion për t’i shërbyer interesit publik dhe së mirës së përgjithshme. Shumë prej politikanëve tanë, madje, nuk kanë pasur e mund të mos kenë një profesion të tyren. Në CV-të e tyre mund të gjesh veç një përvojë “profesionale”, atë të “politikanit”. Madje, për ndonjë syresh, përvoja e vetme “profesionale” ka qenë ose është: “Deputet i Kuvendit të Shqipërisë”, “Ministër”, madje edhe “Kryeministër”, për të mos thënë se nuk janë të paktë ata, të cilët, sapo kanë mbaruar studimet e larta, janë emëruar ose emërohen “këshilltarë” apo “shefa kabineti” të këtij apo atij ministri. Njerëzve të tillë, që janë pjesë e klasës politike të këtij vendi, siç thotë një shprehje korçare, “nuk u ka thënë një herë njeri ‘punë të mbarë!’”. Sepse s’kanë zënë kurrë me dorë ndonjë punë.

 

* * *

 

Përfytyroni se ç’mund të ishin, ose ç’mund të bënin shumica e parlamentarëve tanë dhe kryetarët e partive politike nëse nuk do të ishin më në parlament, në krye të partive të tyre ose në politikë! E përfytyroni dot?

Ata që kanë hyrë në Parlament me para (ngaqë kishin bërë ndërkohë para), do të kenë para për të vazhduar së jetuari mirë.

Ata që kanë bërë para dhe kanë vënë pasuri pasi kanë hyrë në parlament (shumica pa u zgjedhur si individë nga elektorati), ose në politikë mund të kenë edhe për ca kohë para të fituara nga “profesioni” i politikanit dhe do të gëzojnë shëndet e mirëqenie, por s’do të gëzojnë asnjë respekt prej qytetarëve të këtij vendi, ndërsa paratë s’do i kenë përgjithmonë.

Ata që në politikë kanë hyrë duke braktisur karrirën e tyre akademike, ose që, si deputetë ose ministra, kanë marrë grada e tituj akademikë duke u marrë me politikë (dhe për shkak të saj), mund të duan të kthehen, ose të punësohen në institucione akademike, por vajmedet ata studentë, të cilët, në dekadën e tretë ose të katërt të shekullit të 21-të do të duhet të marrin “leksione” nga pedagogë, të cilët kanë falimentuar si të tillë para se këta studentë të kishin lindur dhe, vajmedet shkenca e këtij vendi me politikanë të konvertuar në “akademikë”, në një kohë kur njohuritë tona shkencore e teknologjike dyfishohen në çdo dy-tre vjet.

Vajmedet mjekësia dhe fatet e pacientëve shqiptarë në duart e atyre mjekëve që, deri dje politikanë, mund të kenë harruar si përdoret bisturia, dhe mund të mos kenë asnjë haber nga të rejat e shkencës mjekësore në specialitetin e tyre. Vajmedet shkencat inxhinierike dhe ata studentë që do u duhet t’i mësojnë ato nga inxhinierë ndërtimi apo gjeologë, të cilët, për shkak të angazhimeve afatgjata në politikë, kanë mbetur me njohuritë e teksteve ruse të përkthyera e të përshtatura nga pedagogët e tyre të një gjysmëshekulli ose një çerekshekulli më parë.

Vajmedet të rinjtë që mund t’u duhet të dëgjojnë leksione bajate e të painformuara nga pedagogë të çdo disipline e të çdo profili, të cilët, duke u marrë me politikë, si parlamentarë, si kryetarë apo sekretarë partish politike, ose si ministra, nuk kanë pasur “kohë” dhe as nevojë që të prekin libra me dorë.

* * *

 Përfytyroni për një çast Mediun, Dulen, Ndokën, Kryemadhin, Vasilin apo Idrizin pa partitë e tyre, ose Ballën, Majkon etj., jashtë Parlamentit dhe jashtë politikës. Ç’do të ishin ata? Me se do të merreshin? Kujt do u “hynin në punë” njohuritë dhe përvoja e tyre në politikë? Ajo çfarë mund të them me siguri është se, nëse politikanë të tillë dalin nga politika me dëshirën e tyre (çka është e vështirë të ndodhë), ose i nxjerrim ne prej saj, si qytetarë të lirë këtij vendi, të gjithëve do të na binin sytë dhe veshët rehat, duke mos i parë e dëgjuar më politikanë të tillë në parlament ose në ekranet televizivë, çka, ndoshta, do të na ndihmonte të shëroheshim nga alergjia (që kemi) për ta.

Edhe pse aforizmi i përmendur më sipër mund të mos ketë për autor Mark Twain-in, ai na kujton se politikanët s’duhen lënë të na drejtojnë për një kohë të gjatë. Ata duhen ndërruar—dhe shpesh—për të njëjtat arsye si dhe pelenat e foshnjave.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT