“Politika, qeverisja, menaxhimi i shtetit nuk duhet të jenë laborator për kamikazë politikë”

Nga Enver Robelli
Albin Kurti para disa ditësh tha: jo, zgjedhjet e reja nuk janë zgjidhje.
Duket se ka të drejtë.
Gjasat që partia e tij në zgjedhje të reja të shënojë fitore dukshëm më të madhe se më 6 tetor nuk janë reale.
Këtu duhet marrë parasysh edhe një gjë: sa herë që dështon një përpjekje për koalicion dhe vendi shkon në zgjedhje të reja, kartat përzihen dhe gjendja bëhet e paparashikueshme.
A mund ta mposht VV një koalicion parazgjedhor LDK, AAK (dhe eventualisht NISMA)?
(Mos të flasim këtu për parime, sepse në Kosovë gjithçka është e mundshme sa i përket koalicioneve).
Edhe nëse LDK i humb deri në 30 mijë vota (ndonëse edhe kjo duket e pabesueshme), AAK dhe NISMA në koalicion elektoral sjellin së paku 100 mijë vota.
Megjithatë, në kryesinë e VV-së duket se ka ende aventurierë politikë, të cilët i bien daulles nga Tirana për zgjedhje të reja në Kosovë.
Politika, qeverisja, menaxhimi i shtetit nuk duhet të jenë laborator për kamikazë politikë.
Por si përherë VV i di të gjitha më së miri, madje edhe kur kryetari thotë: jo, zgjedhje të reja, ndërsa anëtari i kryesisë i bie trumbetës për zgjedhje të reja.