Piratët ulqinakë, tmerri shumëshekullor i Mesdheut

Shkruan: Naim FLAMURI
Çfarë grabitnin kusarët e anijeve ulqinake? Njerëz, gjahu kryesor i tyre ishin robërit. Ulqini rreth vitit 1650 u bë treg i rëndësishëm i robërve të krishterë. Në Ulqin silleshin robër të cilët i kishin rrëmbyer nga vende të ndryshme të Mesdheut, por edhe vende të tjera të Perandorisë Osmane. Tregu më i madh turk i robërve ishte në Vlorë. Nga ana tjetër e Adriatikut, panairet ishin rasti më i mirë për shitjen e robërve.
Shumica e robërve në Ulqin, pothuaj tre të katërtat, ishin nga Mbretëria e Napolit dhe nga Shteti i Papës; të tjerët ishin nga Dalmacia dhe Republika e Dubrovnikut. Kusarët ulqinakë në brigjet e Apulisë dhe Sicilisë kryesisht plaçkitnin vilat e pasura, ndërsa me vete merrnin pronarët e tyre të cilët pastaj i shitnin si robër. Ulqinakët robërit i mbanin si të burgosur dhe nuk i shfrytëzonin si fuqi punëtore. Robërve u mundësonin lidhjen me shtëpinë ose me kushërinjtë, në mënyrë që familja apo komuna të marrin vesh që anëtari i saj gjendet i robëruar në Ulqin, për të ardhur pastaj dhe për ta blerë, si kundërvlerë për lirinë e tij. Kjo shpesh bëhej në terren neutral, kryesisht në Dubrovnik.
Në jehonën e Luftës së Kandisë, më 1662 në Ulqin qëndroi udhëpërshkruesi i njohur osman Evliha Çelebi, i cili na njofton se në këtë qytet “vijnë djem guximtarë arnautë nga kasabatë tjera, vendosen në fregata dhe konfiskojnë, plaçkitin dhe shkretojnë bregdetin e armikut, duke sjellë thesar të panumërt dhe robër të zgjedhur kthehen në Ulqin si fitimtarë dhe i japin sanxhakbeut të dhjetat nga plaçkat e grabitura. Kështu unë, si i gjorë, isha në këtë qytet dhe derisa shikoja, erdhën nga Pula e kaurëve shtatë fregata me plaçka lufte. Nga ato shtatë fregata me plaçka Jusuf Beut i takonin 91 mijë grosh të të dhjetave mbretërore dhe 17 robër”, thekson Çelebiu. Pra, vetëm në këtë aksion kusarët ulqinakë në jug të Italisë zunë 170 robër!
Pronarët më të vegjël të robërve ishin kryekomandanti i Ulqinit, Murati, emini i Shkodrës, Ali Begu, jeniçeri i Shkodrës, Halil Aga, Hysein Korza, Bali Begu, Çaush Murati, Sulejman Berberi, Sule Raboti, Mustaj Basta, Abdi Skura, Kara Kurti, Elez Qehaja, Sulejmani i Gjatë, Hajredin Oruç Hoxha, Ibro Haraliu, njëfarë Mustafë, Resul Agë Sori dhe vetëm një kusar i vërtetë, Reis
Tregtia me robër arriti kulmin në fillim të shek. të 18-të. Ulqinakët në qershor të vitit 1715 e sollën si të zënë rob nga Korçulla famullitarin Mark Bonin. U shit për 100 florinj. Pas dy viteve kur farefisi i tij mori vesh vendndodhjen e tij e bleu për 141 florinj. Bashkëshortet e fisnikëve Vicko Xhamari (Dobrula) dhe Vicko Kushelit (Nika) nga Venediku ishin robëresha në Tunizi në vitin 1740 sepse i kishin grabitur ulqinakët 15 vjet më parë.
Nga mesi i shek. XVIII ndryshojnë edhe shijet, andaj oborrtarët gjithnjë e më shumë kërkojnë robër nga Afrika. Ulqinaku Ali Basha, në vitin 1775, solli nga Egjipti dy robëresha, ndërsa një grup i cili në vitin 1775 u kthye nga Afrika Veriore solli me vete 13 robër dhe robëresha zezakë.
Konsulli francez në Durrës, në shtator të viti 1716, me dhimbje të thellë shkruan: “Ulqinakët bëjnë çudira në Adriatik me 25-30 anijet e tyre me rrema dhe askujt nuk i përulen. Nëse nuk i pengojmë këto dukuri të përditshme, kusarët ulqinakë do të krijojnë këtu një armatë anijesh franceze dhe angleze”, paralajmëronte konsulli francez në Durrës.
Në mars të vitit 1718 një anije ulqinake me 180 marinarë dhe 10 topa zuri rob kapiten Botenin nga Marseja duke theksuar si shkak flamurin maltez, të cilin ata e vendosën vetë në anijen franceze. Boteni dhe ekuipazhi i tij u dërguan në Ulqin si robër. Konsulli francez në Durrës Zhoze Isnar pohon gjithashtu që kusarët ulqinakë nuk respektojnë as sulltanin dhe as cilindo pushtet tjetër në botë! Aksionet e tyre janë të përmasave aq të mëdha saqë kanë ndikuar jo vetëm në tregtinë që bëhet në Detin Adriatik, por edhe në Mesdhe, theksonin përfaqësuesit diplomatik të Francës.





