Intervista e Ramës për 21 janarin një muaj pasi fitoi zgjedhjet

Edi Rama, ka dhënë një intervistë për gazetaren Sara Montague, në emisionin “Hard Talk” në BBC në korrik 2013, rreth një muaj pasi kishte fituar zgjedhjet.
Gjatë intervistës, Rama ka folur edhe rreth “21 janarin”, një krim i tmerrshëm dhe mizor, prej të cilit sot mbushen 9 vite pa ndëshkim.
Më poshtë pjesa e intervistës, ku dlet fituesi i zgjedhjeve që ende nuk kishte hyrë në zyrën e kryeministrit.
Sarah Montague: Mirëserdhët në Hardtalk. Shqipëria është vendi i vetëm më i korruptuar i Evropës, sipas Transparency International. I ftuari im i sotëm, Edi Rama, ka premtuar se do ta ndryshojë këtë, kur të bëhet Kryeministër i vendit në shtator. Një artist modern, ai mori lavdërime ndërkombëtare për shndërrimin e kryeqytetit, Tiranës, kur ishte kryebashkiaku i saj, e jo më pak për shkak të lyerjes së ndërtesave gri me ngjyra të ndezura. Tashmë, ai ka premtuar një rilindje për të gjithë vendin. Pra, a mund t’ia dalë një ish-artist, aty ku politikanët e mëparshëm kanë dështuar?
Edi Rama, mirëserdhët në Hardtalk
Edi Rama: Faleminderit për ftesën.
Sarah Montague: Në rregull. Ka shumë probleme, e jo më pak edhe korrupsioni, të cilit do t’i kthehemi pas pak minutave, por le të flasim për zgjedhjet, sepse ju flisni për sfidat e jashtëzakonshme për ta transformuar vendin. Nuk është e qartë se publiku domosdoshmërisht mendon se jeni njeriu i duhur për këtë punë, sepse në fund të fundit, keni qenë tetë vjet në opozitë dhe sërish, në këto zgjedhje fituat vetëm një mandat më shumë krahasuar me zgjedhjet e para katër vjetëve. Partneri juaj në koalicion, Lëvizja Socialiste për Integrim e Ilir Metës doli me rezultate mjaft të mira nga këto zgjedhje, ndërsa qeveria e Sali Berishës u rrëzua efektivisht, si rezultat i rritjes së mandateve të partisë së Ilir Metës nga katër mandate në 16. Tani, ky është njeriu me të cilin, për të qenë të qartë, keni zgjedhur të qeverisni. Ai ka qenë pjesë e qeverisjes së mëparshme dhe për të cilin vetëm dy vjet më parë, keni thënë se personifikonte çdo gjë të kalbur në Shqipëri.
Edi Rama: Është e vërtetë se kemi pasur një të shkuar të vështirë në kuptimin e marrëdhënieve brenda familjes së majtë. Partneri i tashëm i koalicionit është një parti që ka lindur nga ndarja e Partisë Socialiste disa vjet më parë…
Sarah Montague: … dhe ka qenë rivali juaj, armiku juaj kryesor.
Edi Rama: Po. Dhe vendosëm të bashkojmë të gjithë të majtën, për të hyrë së bashku në këtë fushatë në një koalicion, që ishte i suksesshëm. Nuk do t’i hyja aritmetikës së mandateve, pasi ne kemi një sistem që ndryshon mjaft me të këtushmin dhe mendoj se numri i votave që morëm, secili prej nesh, e njëkohësisht së bashku, erdhi kryesisht për shkak të faktit se shqiptarët panë një forcë të bashkuar që kërkonte ndryshimin.
Sarah Montague: Ka shumë arsye, por një prej arsyeve që ju u ndatë dhe ishit kritikë të ashpër të njëri-tjetrit ishte një moment i dy vjetëve më parë, i një videoje që dukej se e shfaqte atë duke folur për një ryshfet dhe të mburrej me ndikimin e tij mbi kryetaren e gjykatës. Kjo ndodhi në kohën kur ai ishte ministër i jashtëm dhe zëvendëskryeministër. Ai ka deklaruar gjithnjë se nuk ka bërë asgjë të keqe. Gjykata e Lartë rrëzoi akuzat dhe ju sërish deklaruat për median vendase se ky vendim ishte një tallje me qytetarët shqiptarë dhe se qëndronte në thelb të një hapi të mëtejshëm drejt një regjimi të padrejtë.
Edi Rama: Është e gjitha e vërtetë, ashtu sikurse është në të njëjtën kohë e vërtetë, se na duhet të bëjmë përpara e t’i ofrojmë popullit shqiptar një alternativë për ndryshim, çka e bëmë dhe i fituam zgjedhjet në bazë të një programi për Rilindjen Shqiptare, me premtime mjaft të hollësishme dhe gjendemi tashmë në provë përpara popullin shqiptar…
Sarah Montague: … E di që doni të shihni përpara dhe kjo është e rëndësishme, por po kaq rëndësi ka të trajtohen ngjarje vërtet domethënëse në historinë e Shqipërisë …
Edi Rama: Është e vërtetë…
Sarah Montague: … dhe ajo video shkaktoi mjaft shqetësim. Pati demonstrata anti-korrupsion në të cilat katër persona u vranë nga Garda Kombëtare që qëllonte nga zyra e Sali Berishës dhe kishte disa pjesëtarë nga Garda dhe dy oficerë të lartë policie kundër të cilëve u ngritën akuza e u shpallën të pafajshëm në fillim të këtij viti. Ju deklaruat se vendimi është më barbari për krimin më barbar në Shqipërinë paskomuniste. E gjithë kjo e pati fillesën nga diçka e dy vjetëve më parë dhe vështirë të kuptohet sesi mund të mos merreni me këtë.
Edi Rama: Mua më takon të marr përsipër sfidën për problemet e vendit, së bashku me çdokënd të gatshëm për ta bërë një gjë të tillë dhe siç e thashë, kemi marrë angazhime. Një prej tyre është për të ndjekur me gjithë vullnetin tonë procesin, që duhet të vendosë përpara drejtësisë dhe duhet të marrë vendimin e duhur kundër të gjithë atyre, që ishin përgjegjës për 21 janarin…
Sarah Montague: Në rregull, pra Ilir Meta nuk ishte përgjegjës edhe pse në atë kohë ishte në qeveri dhe zëvendëskryeministër, ai nuk ishte.
Edi Rama: Jo! Vrasjet kanë përgjegjësi të qartë dhe përgjegjësitë duhet të përcaktohen nga gjykata.
Sarah Montague: Do të dal edhe aty për pak, por ky person me të cilin keni vendosur të hyni në qeverisje do të ketë poste në qeverinë tuaj, ju jeni i bindur se ai është i pastër. Ky person është një njeri me të cilin ju mund të punoni, sepse është i pastër dhe ju jeni i bindur për këtë?
Edi Rama: Sërish, besoj fort se kur duhet të merremi me korrupsionin dhe me problemet e thella të krijuara nga korrupsioni, duhet pasur gjithnjë parasysh se është sistemi që i korrupton njerëzit dhe jo e anasjellta. Unë besoj fort se lufta kundër korrupsionit ka të bëjë me modernizimin e sistemit dhe me bërjen gjithnjë e më pak të mundur për njerëzit, që të përfitojnë nga një sistem i rrënuar.
Sarah Montague: Lidhur me katër gardistët. Pati katër vrasje dhe ju deklaruat se siguronit çdokënd se ngjarjet e asaj dite, 21 janar 2011, janë ngjarje që nuk mund të harrohen pa pasur një proces të drejtë gjyqësor. Një nga gjërat që thatë ishte se do të kishte një proces gjyqësor të udhëheqësit të PD-së, Sali Berisha, në atë kohë Kryeministër, proces që do të fillonte pas këtyre zgjedhjeve. A po propozoni që të çoni në gjyq Sali Berishën?
Edi Rama: Jo. Po them vetëm se këto ngjarje nuk mund të harrohen dhe as mund të gjykohen në mënyrën e vjetër me të cilën jemi mësuar, ku proceset shndërrohen në farsë. Ndaj do të marrim të gjitha masat që mundemi për t’iu ofruar ndihmesë reale familjeve të viktimave, për të ofruar një ndihmë reale për një proces që duhet të jetë i pavarur nga qeveria.
Sarah Montague: … dhe pavarësisht nga ajo që keni thënë asokohe e deri tani, Sali Berisha nuk do të gjykohet apo nuk do të ketë një proces gjyqësor të asnjë lloji kundër tij për këtë?
Edi Rama: Po kjo s’ka të bëjë me atë çka mendoj apo dua unë. Ka të bëjë me një proces të sistemit të drejtësisë dhe kur folëm për Sali Berishën, ju thashë se ai mban të gjithë përgjegjësinë, në kuptimin e përgjegjësisë morale e politike, dhe kur vjen fjala…
Sarah Montague: … a vlente kjo për procesin gjyqësor apo gjykimi ishte ditën e zgjedhjeve dhe kaq?
Edi Rama: Jo, jo, gjykimi duhet të vazhdojë, por mbi bazën e një procesi të pavarur. Ajo çfarë mund të them, edhe njëherë, është se do të bëjmë gjithçka mundemi për të pasur një proces, ku familjet të mbështeten ashtu siç duhet dhe ku merren të gjitha masat për të mos lejuar që kjo të shndërrohet në një tjetër farsë…
******
Intervistën e plotë dhënë në 17 korrik 2013 mund ta lexoni KËTU