“Atdheu” vetëm brenda gardhit

Gjatë një lajmi për një shpërthim tritoli pak kohë më parë, opinioni mundi të njihej vizualisht dhe me vilën e kryebashkiakut të atij qyteti.
E mjaftueshme për t`u quajtur luksoze në raport me ambjentin përreth, gjykuar nga stili arkitekturor dhe ambienti plot gjelbërim, si dhe rrethimi së bashku me portën e madhe hyrëse.
Do ishte cinike dhe e tepruar që të paragjykohej ajo lloj pasurie nisur nga fakti se i zoti është kryeqeveritar lokal; përkundrazi, ekzistojnë të gjitha mundësitë që ai, edhe pse në një moment të jetës e ka parë veten me pushtet, gjithçka zotëron si pasuri, ta ketë me djersë e punë të ndershme.
Këtë nuk e dimë.
Por dimë që korruptimi shumëpërmasor i shoqërisë, nuk na le shumë qetësi dhe durim të besojmë më tek ndershmëria.
Shkoni shikoni vilat e atyre që kanë qeverisur dhe qeverisin këtë vend. Sa për ilustrim në foton shoqëruese është vila e Berishës në Lalz.
Gjithsesi, gjetiu është fjala: tek diferenca mes përkujdesit ndaj privates dhe jo-privates, asaj që ndodhet jashtë gardhit, jashtë pragut, tek publikja.
Deri më sot, rrallë has ndonjë pushtetar që t`i atribohet ndonjë “mrekulli” në qeverisje, që më pakogjë, mes shumë vështirësive dhe mundësive të kufizuara, por me shumë vullnet, pasion e vizion dashamirës, t`i ketë dhënë qytetit apo qytezës një nur të ngjashëm me atë të shtëpisë a vilës së vet private.
E në mos patçin bërë ndonjë gjë për mirë me justifikimin e këllqeve financiare, kanë bërë keq, duke dhënë shembullin e keq, se “atdheu” im është vetëm brenda gardhit tim.
Mjafton edhe kaq, për t`u keqgjykuar, jo “streha” e shtrenjtë e plot hijeshi që kanë ndërtuar për veten dhe evletërit, por moraliteti i cungët i punës.