‘Politico’ për Kurtin: Në Ballkan, një përçarës i gatshëm për pushtet

Kandidati kryesor për kryeministër, Albin Kurti nga Lëvizja Vetëvendosje, nuk mendon se i ka fituar thjeshtë zgjedhjet e përgjithshme, por thotë se është një revolucion
Në një intervistë për ‘Politico’, Kurti tha se po nisin një epokë të re, ku qeveria do të menaxhojë paratë e njerëzve, që sipas tij, kjo kulturë e qeverisjes së mirë paraqet fitoren e tyre revolucionare.
‘Po e nisim një epokë të re ku qeveria është e vetëdijshme se nuk i ka paratë e veta, por se ajo thjesht menaxhon me paratë e njerëzve. Kjo kulturë e re e qeverisjes së mirë është çelësi i fitores sonë revolucionare, për çka unë besoj se është dita kur e ardhmja nisi për Kosovën’, ka thënë ai nga selia e partisë së tij në Prishtinë.
Kurti tutje thotë se politikat e lëvizjes së tij do të kenë një efekt pozitiv të zbutjes së varfërisë, të përmirësimit të shërbimeve publike dhe të luftimit të korrupsionit.
‘Besoj se nuk kemi asgjë për t’u frikësuar. Për këtë arsye, transparenca radikale është mënyra për të shkuar përpara, në mënyrë që të kemi mbështetjen e popullit’, ka thënë ai.
Që kur është kyçur në politikë rreth 2 dekada më parë, Kurti është burgosur nga Serbia dhe i është caktuar masa e arrestit shtëpiak nga autoritetet e Kosovës. Ai ka hedhur gaz lotsjellës brenda parlamentit të Kosovës dhe është shmangur nga qeveritë Perëndimore për shkak të kritikave të ashpra ndaj zyrtarëve ndërkombëtarë dhe për avokimin që i ka dhënë një referendumi për t’u bashkuar me Shqipërinë.
Por, gjatë fushatës zgjedhore, Kurti i zbuti këto tone të radikalizmit, që bëri që ai të fitonte mbi 26% të votave. Lëvizja që nga ajo kohë ka nisur bisedimet për koalicion me një parti tradicionale, Lidhjen Demokratike të Kosovës, për të formuar qeverinë. Bisedimet kanë hasur në pengesa por sipas të gjitha gjasave do të prodhojnë një koalicion brenda këtij viti, me Kurtin në krye,
Kurti insiston se do të nisë një qasje të re sa i përket marrëdhënieve të Kosovës me fuqitë perëndimore, duke thënë se më parë ka pasur sjellje të servilizmit që ka karakterizuar sjelljet e kaluara për shkak se sipas tij, ka pasur zyrtarë të korruptuar dhe liderë partiakë që dëshironin të kënaqnin çdo zyrtar.
‘Do ta ndryshojmë këtë duke refuzuar dy pozicione kyçe, se me komunitetin ndërkombëtar ose duhesh të jesh ose servil ose i hidhëruar me ta. Ka pasur një sjellje servilizmi që ka karakterizuar qeveritë e kaluara sepse kemi pasur zyrtarë të korruptuar dhe liderë partiakë që dëshironin të kënaqnin çdo zyrtar ndërkombëtar në këmbim të imunitetit për ndjekje penale për përfitimet paligjshme të pasurisë së tyre’, ka thënë Kurti për ‘Politico’.