Mediat e Durrësit: I besuari i Dakos merr postin në vend të Sakos

Disa orë pas dorëheqjes së kryebashkiakes së Durrësit, Valbona Sakos, në mbledhjen e Këshillit Bashkiak të qytetit është vendosur që në postin e kryebashkiakut të vendoset Zhulien Varkaj.
Sipas ligjit për vetëqeverisjen vendore, pika 5 e nenit 61, thotë se: Me përfundimin para kohe të mandatit të kryetarit të bashkisë, sipas këtij neni, deri në zgjedhjen e kryetarit të ri, funksionet e tij i kryen zëvendëskryetari i bashkisë. Në rastet kur ka më shumë se një zëvendëskryetar bashkie, këshilli përkatës, me shumicën e votave të numrit të përgjithshëm të anëtarëve të tij, cakton një nga zëvendëskryetarët të kryejë funksionet e kryetarit deri në zgjedhjen e kryetarit të ri.
Durrësi aktualisht ka 4 nënkryetarë bashkie, por përmes votimit në Këshillit Bashkiak, roli i kryetarit të Bashkisë në Detyrë i kaloi Zhulien Varkajt, i cili do ta mbajë këtë post deri në organizimine zgjedhjeve të parakohshme lokale për zonën.
Po kush është Zhulien Varfaj, i cili zgjidhet në një moment krize për Durrësin?
Portali lokal i lajmeve Durrës Lajm ka bërë një profil të tij.
Sipas tij:
“Zhulien Varfaj është një nga personat më të besuar të Vangjush Dakos dhe për 12 vite ka mbajtur postin e nënkryetarit të bashkisë.
Varfaj nuk është një emër i panjohur për durrsakët dhe për mediat gjithashtu.
Ndër vite ai ka mbajtur një profil të ulët publik, ndërsa më i angazhuar dhe më mediatik Varfaj shfaqej vetëm në vitet kur bashkëshortja e tij organizoi në Durrës “Festivalin Ndërkombëtar të Filmit”.
Deri më tani, Zhulien Varfaj ka disa akuza që i rëndojnë mbi supe, të cilat janë bërë publike në media.
Në janar të këtij viti, emisioni “Stop” trajtoi rastin e tenderit të autobusëve në bashkinë e Durrësit, ku pretendohej se Bashkia kishte skualifikuar pa të drejtë kompaninë “Vata trans”. Nënkryetar i Komisionit Vlerësues ishte nënkryetari i Bashkisë, Zhulien Varfaj.
Ndërkohë, në vitin 2013, Kontrolli i Lartë i Shtetit çoi për ndjekje penale dy zëvendësit e kryebashkiakut Vangjush Dako në atë kohë Adrian Çela (aktualisht drejtor i përgjithshëm i OSHEE) dhe Zhulien Varfaj që akuzoheshin se kishin favorizuar, të dy në dy tendera të ndryshëm, fituesit e punëve publike për rikonstruksionin e bulevardit dhe gjelbërimin e qytetit.
Në listën e të akuzuarve nga institucioni i Leskajt janë edhe anëtarët respektivë të komisionit të tenderave.
Sipas KLSH-së, në të dy tenderat është ndjekur pothuajse e njëjta mënyrë, të cilën raporti e quan abuzive.
Njëkohësisht, raporti i KLSH-së në atë kohë fliste edhe për një tjetër dëm, këtë radhe rreth 1.3 milionë USD, por pa të akuzuar, i cili ishte shkaktuar nga mosvjelja e taksave ndaj biznesit dhe ndërtuesve.
Raporti i KLSH për Bashkinë Durrës në vitin 2013:
Të denoncuar
• Nënkryetari i Bashkisë, Adrian Cela
• Komisioni i tendrit për Bulevardin kryesor Dyrrah
• Nënkryetari i Bashkisë, Zhulien Varfaj
• Komisioni i tenderit për “Gjelbërimin e qytetit”
• Grupi i kolaudimit për “Gjelbërimin e qytetit”
Dëmi
• Për tenderin e bulevardit, 19,327,868 lekë
• Për tenderin e gjelbërimit, 7,084,896 lekë
• Për kolaudimin 21,960,000 lekë
• Nga mosvjelja e taksave, 100,938,000 lekë”