Ish-këshilltari i Komandantit Suprem që nisi bombardimin e Jugosllavisë pyetet për demilitarizimin e UÇK-së

John Duncan, ish-këshilltari politik i Wesley Clark po vazhdon dëshminë e tij si dëshmitar i mbrojtjes në ditën e dytë radhazi në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë. Seanca është publike dhe ai po pyetet nga prokurori Matt Halling.

Sot, në ditën e dytë të dëshmisë është rihapur diskutimi për nënshkrimin e marrëveshjes për demilitarizimin e UÇK-së që u nënshkrua nga Hashim Thaçi.

Në sallë u shfaq zëri i Hashim Thaçit gjatë procesit që po zhvillohej ndaj tij në Hagë, derisa ishte pyetur pse ishte ai që kishte nënshkruar marrëveshjen e jo Agim Çeku, siç ishte vendosur në fillim. Aty dëgjohet Thaçi duke thënë se ai e nënshkroi pasi u tërhoq Çeku.

“Në momentet e fundit është ndërruar emri i Çekut është zëvendësuar me timin. Mendoj se edhe ai mund ta sqarojë këtë rrethanë, pse është larguar në momentin e fundit nga nënshkrimi”, dëgjohet Thaçi gjatë dëshmisë së tij kur është pyetur në një nga seancat për këtë çështje.

“Ju pashë që po qeshnit në një moment, Hashim Thaçi tha se Agim Çeku u largua përpara se të nënshkruhej marrëveshja, kjo nuk është e saktë apo jo”, e pyeti prokurori dëshmitarin.  “Jo” u përgjigj diplomati britanik.

“Thaçi tha se emri i tij u ndryshua me të Agim Çekut, dhe nuk u ndryshua titulli, mbeti titulli kryekomandant. Nuk ka ndodhur kështu apo jo?”, pyeti tutje prokurori.  “Po, nuk ka ndodhur kështu”, u përgjigj Duncan.

Aty u shfaq edhe një intervistë e Agim Çekut e cila u lexua nga prokurori.

Prokurori e pyeti dëshmitarin se deri në ç’masë ishin të përfshirë komandantët e zonave e konkretisht Ramush Haradinaj, në negociatat e 17 qershorit 1999, për nënshkrimin e marrëveshjes së demilitarizimit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Gjithashtu u pyet nëse i kujtohen emrat e përveçëm të komandantëve të zonave që ishin të pranishëm atë ditë. “Jo, ju kërkoj ndjesë”, tha Duncan.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT