Papa Françesku në Maqedoninë e Veriut, vlerëson Nënë Terezën

Papa Françesku po qëndron të martën për një vizitë në Maqedoninë e Veriut, vizita e parë papale në historinë e vendit prej 2.1 milionë banorësh.
Nën masa të rrepta sigurie ai u prit fillimisht nga presidenti i Maqedonisë së Veriut, Gjorge Ivanov, dhe më pas u lut tek shtatorja e të shenjtës Nënë Tereza, nobelistes shqiptare të lindur në Shkup.
Duke ju drejtuar autoriteteve në pallatin presidencial në Shkup, Papa Françesku vlerësoi atë që ai e quajti “kryqëzim i kulturave dhe identiteteve etnike dhe fetare” të vendit me emër ë ri, që mund të shërbejë si shembull për të tjerët.
“Këto veçori janë gjithashtu shumë të rëndësishme për një integrim më të madh me kombet e Evropës. Shpresoj që ky integrim të zhvillohet në një mënyrë të dobishme për të gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor, me respekt të palëkundur për diversitetin dhe për të drejtat themelore”,tha Papa Françesku.
Edhe para vizitës në Shkup, ai kishte shprehur besimin për thellimin e marrëdhënieve mes Vatikanit dhe Maqedonisë së Veriut
Kreu i Kishës Katolike të Romës Papa Françesku mbajti meshën në sheshin “Maqedonia” në Shkup, ku morën pjesë rreth 15.000 qytetarë nga vendi si dhe besimtarë nga vende të tjera. Papa dërgoi mesazh për paqe, bashkëjetesë, dashuri më të madhe për Perëndinë dhe për njerëzit. Për të zëvendësuar indiferencën dhe shpifjet me ndjeshmëri dhe shpresë, për të kapërcyer stereotipet dhe për t’u kujdesur për njëri-tjetrin.
Papa me kokë të ulur u lut përpara përmendores së Nënë Terezës dhe vendosi lule. Ai shoqërohej nga katër motra të nderit, që i përkasin urdhërit të themeluar nga Nënë Tereza. Në Shtëpinë Përkujtimore, Nënë Tereza, Papa u takua edhe me përfaqësuesit e komuniteteve fetare në vend dhe me grupet e qytetarëve të prekur. Ati i Shenjtë pasdite në kishën Katolike “Zemra e Shenjtë e Jezusit” u takua me të rinjtë nga Maqedonia e Veriut dhe e tërë bota , pjesëmarës në takimin ikumenik dhe ndërfetar.
Udhëheqësit e Maqedonisë së Veriut, shpresojnë se Papa Françesku do të inkurajojë integrimin e vendit në institucione evropiane pas zgjidhjes së konfliktit shumëvjeçar me Greqinë për emrin e Maqedonisë dhe zgjedhjes së presidentit pro evropian.
Maqedonia e Veriut është vend kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian që nga viti 2005, por ende është në pritje të hapjes së bisedimeve për anëtarësim. Ajo shpreson të bëhet anëtari i 30-të i NATO-s deri në fund të këtij viti.

