“Fikni sinjalin në burgun 313”, konflikt AKEP – kompani celulare

Një konflikt mes AKEP dhe kompanive celulare ka lindur pas një kërkese të përsëritur të institucionit që mbikqyr kuadrin rregullator për komunikimet elektronike për të ndërprerë valët celulare në burgun 313.

Më herët ka patur debate mes AKEP dhe përfaqësuesve ligjorë të kompanive celulare për kërkesën që të ndërpriten valët celulare në masë gjatë protestave të opozitës.

Loading...

Një burim nga kompanitë celulare tha për DITA se kërkesa ka ardhur në mënyrë arrogante pa shkresë zyrtare por nëpërmjet dërgimit të saj me whatsapp nga kreu i këshillit drejtues të AKEP, Ilir Zela.

Kërkesa është konsideruar e paligjshme por edhe teknikisht e pamundur nga përfaqësuesit e kompanive celulare, gjatë një takimi “sqarues” në ministrinë e linjës.

Në takimet sqaruese mes palëve, përfaqësues të kompanive celulare janë shprehur se  “nuk është punë e kompanive celulare të ndërhyjnë në përplasje politike si mitingjet apo protestat, ose në kërkesa të tilla për burgun 313 që vijnë nga pafuqia për të kontrolluar të burgosurit që vijojnë të komunikojnë nga brenda burgut”.

Përveç kësaj, ata janë shprehur se është teknikisht e pamundur të ndërpritet sinjali vetëm për një burg apo një godinë, pasi kjo kërkon fikjen e antenave që përfshijnë rreze të gjerë veprimi dhe shërbimesh – tha i njëjti burim për DITA.

Ministria nuk e ka komentuar rastin.

AKEP drejtohet nga një Këshill i përbërë nga 5 anëtarë, të cilët zgjidhen nga Kuvendi, me propozimin e Këshillit të Ministrave.

Loading...
Back to top button