Ministri i qeverisë së Kosovës: Shqiptarët, trillues dhe terroristë

Ministri serb i qeverisë së Kosovës i ka quajtur shqiptarët terroristë, ndërsa masakrën e Reçakut e ka quajtur të trilluar.
Ivan Teodosijevic, që është pjesë e Listës Serbe dhe mban postin e Ministrit të Administrimit të Pushtetit Lokal, ka thënë se kosovarët kanë bërë krime para agresionit të NATO-s, duke vrarë shtëpiakë dhe policë serbë.
“Arsyeja për agresion në shtetin tonë ka qenë e ashtuquajtura katastrofë humanitare në Kosovë e Metohi.
Masakra e Reçakut ishte trillim, janë terroristët shqiptarë atë që trilluan gjithë këtë dhe bënë krimet më të mëdha në Kosovë e Metohi.
Për këtë, sot askush nuk ka dhënë përgjegjësi. Kanë bërë krime para agresionit të NATO-s, kanë vrarë shtëpiakë të mirë serbë dhe policë në vendin e tyre të punës.
Gjakpirjen e tyre e kanë vazhduar edhe gjatë agresionit dhe pas ardhjes së misionit të ashtuquajtur paqësor në Kosovë e Metohi”, ka thënë Teodosijevic në Zveçan sipas mediave kosovare.
Mbetet për t’u parë reagimi i kryeministrit Ramush Haradinaj. Kujtojmë se pak ditë më parë, edhe zëvendësministrja serbe Vesna Mikic i quajti bombardimet e NATO-s genocid, gjë që solli shkarkimin e menjëhershëm nga Haradinaj.