Kundër Serbisë, Kosova dhe Shqipëria bëhen NJË

Federata e Futbollit të Kosovës pati kërkuar ndihmë nga Federata Shqiptare e Futbollit gjatë kohës kur po tentonte të anëtarësohej në dy shtëpitë e mëdha të futbollit, UEFA e FIFA.

Për këtë ndihmë, FFK-ja ka nevojë përsëri tani. Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, ka qenë njëri ndër personat më të rëndësishëm për anëtarësimin e Kosovës në FIFA e UEFA, organet më të larta të futbollit në botë.

Loading...

Me këtë ndihmë, FFK-ja u anëtarësua në këto dy organe në vitin 2016. Tani, edhe pse është vetë anëtare në UEFA, Kosova ka nevojë përsëri për ndihmën e FSHF-së pasi presidenti Duka është anëtar në Komitetin Ekzekutiv.

ANKESA E FFK-SË

Një muaj më parë, më 3 mars, FFK reagoi ndaj lajmit që e ashtuquajtura Federatë Serbe e Futbollit në Kosovë (FSFK) kishte emëruar president Milan Radoiçiqin, i cili është i kërkuar nga Policia e Kosovës si i dyshuar për vrasjen e politikanit serb në Kosovë, Oliver Ivanoviq.

FSFK-ja po tentonte që tq merrte kontrollin për zhvillimin e garave të futbollit në veri të Kosovës. Për shkak të këtij tentimi, Kosova publikoi një reagim ku theksonte se vetëm ajo ka të drejtë të organizojë gara në Kosovë.

“Së këndejmi çdo tendencë për të themeluar një të ashtuquajtur Federatë serbe të futbollit për Kosovë për të  organizuar gara në futboll, është e papranueshme dhe e konsiderojmë si ndërhyrje të drejtpërdrejtë  në autonominë e FFK-së.

Ndaj, FFK-ja nuk do të lejojë në asnjë mënyrë që një organizatë e tillë ilegale të organizojë gara në territorin e vet”, – shkruhej në deklaratën e lëshuar nga FFK-ja.

ZGJIDHJA E PROBLEMIT

Presidenti i FFK-së, Agim Ademi, kishte bërë të ditur se ata ishin ankuar në UEFA. Tani, Ademi bëri të ditur se, edhe pse ankesa e tyre nuk ka marrë përgjigje nga UEFA, ky problem pritet të zgjidhet së shpejti.

“Ne nuk kemi marrë përgjigje, mirëpo ankesa jonë pritet të diskutohet në kuadër të takimit të radhës të Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s, ku edhe do të jetë vërejtja e fundit për Federatën Serbe të Futbolli”, – ka thënë Ademi.

Kjo pasi Armand Duka u zgjodh anëtar në Komitetin Ekzekutiv më 7 shkurt të këtij viti, ai do të ketë mundësi që të ndikojë në vendimin që UEFA e merr për këtë problem.

“Ne kemi biseduar me Armand Dukën gjatë takimit tonë dhe ia kemi sqaruar atij këtë problem sa më mirë që kemi mundur”, – është shprehur Ademi, në një intervistë për “Gazeta Express”.

duka ceferin

TAKIMI I KOMITETIT EKZEKUTIV TË UEFA-S

Duka dhe 15 anëtarët e tjerë të Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s priten të marrin vendim për këtë problem në takimin e tyre të radhës. Ky Komitet takohet çdo dy muaj dhe takimi i fundit është mbajtur më 7 shkurt të këtij viti, në Romë të Italisë.

FFK-ja pret që UEFA ta përkrahë Kosovën në këtë çështje, megjithatë tregon se FSFK-ja do ta ketë të pamundur të kryejë çfarëdo aktiviteti në Kosovë, pavarësisht vendimit që merret nga shtëpia e futbollit evropian.

“Ne kemi informacione që këto veprime të Federatës Serbe të Futbollit në Kosovë ekzistojnë vetëm në letër. Ata e kanë të pamundur të kryejnë aktivitete këtu, veçanërisht kur e kemi parasysh që Radoiçiqi kërkohet nga policia jonë”, – shtoi Ademi.

Loading...
Back to top button