Deputetë, ministra, drejtorë… Për çfarë na duhen gjithë këta tundës kokash?

Çfarë na duhen 140 mërmëritës deputetë, 20 ministra, nja 50 zëvendës të tyre, drejtorë të mëdhenj e të vegjël, kur pak kush mendon me kokën e tij dhe të gjithë tundin kokën si e tund sunduesi?!!
Nga Bedri Islami
Nuk është një fenomen i ri. Është ripërsëritje e asaj që ka shkuar dhe që, nesër, mund të jetë përsëri.
Në 107 vite shtet të pavarur ajo që i ka munguar më së shumti këtij vendi ka qenë klasa politike e lidhur me fatin e tij. Ka ndodhur në qeverinë e parë të Ismail Qemalit, duke tejshkuar të gjitha, dhe vazhdon të ndodhë tani në qeverinë e dytë të Edi Ramës. Asnjëra prej tyre, në këto 30 vite, nuk ka qenë më e rrezikshme dhe fatkobe se sa qeverisjet e Berishës, por kjo nuk është alibi për të tjerat!
30 vite pluralizëm treguan se edhe në sistemin e tashëm, ashtu si monarki, në republikë parlamentare, në republikë presidenciale, në protektorat, në qeveri kuislinge, nën regjencë, në diktaturë të proletariatit, mungesa më e madhe është klasa politike.
Është vuajtur gjithnjë për një klasë politike dhe elitare, të frymëzuar nga besimi dhe interesi kombëtar, e cila nuk influencohet as nga joshjet, as nga frikësimet, as nga terratitë, por ushtron me kryelartësi privilegjin për të qeverisur një vend të begatë.
Por në tridhjetë vite pluralizëm, më shumë se mend dhe rrugështrirje vizionesh kemi dëgjuar sharje, mallkime, lëpirje, kurrizulje, bastisje, denigrime.
Kujtoni ato që ka thënë Berisha për Ilir Metën, ato që ka thënë Berisha për Ramën, ato që ka thënë Meta për Berishën ato që ka thënë Rama për Berishën… E njëjta gjë në “duelin” Berisha-Nano, Rama-Meta, Meta-Basha, Majko-Berisha, Nano-Berisha, Pollo- Berisha, Ceka-Berisha,Kryemadhi-Rama, Vasili-Basha. Një lëvizje uliksiane e pafund!
Sa ishin në një stan dhe ose synonin të bëheshin të një stani, ia kanë fërkuar plagët njëri tjetrit, i kanë shkuar për dreka e darka në prag të gjyqeve, i kanë lëpirë ç’kanë pështyrë, e sapo janë ndarë i janë vërsulur qenërisht njëri tjetrit, për t’u bashkuar rishtas nën një sinjal të ri pushteti!
Ndoshta të gjitha sa kanë thënë për njëri-tjetrin janë të vërteta dhe duhet saktësuar se shumë prej tyre janë të vërteta! Pasuria marramendëse dëshmon se e vërteta është hapur e dukshme, por ndëshkimi frikshëm i fshehur!
Klasa politike u pasurua, u zvetënua, hodhi poshtë çdo mirësi, çdo vizion të së ardhmes, çdo trashëgimi të së shkuarës.
Institucione të rëndësishme ndërkombëtare, të cilat monitorojnë Shqipërinë, disa herë, fuqishëm, janë përpjekur të gjejnë mesin e artë në politikën shqiptare dhe duket se nuk kanë njohur si duhet trashëgiminë gjenetike shqiptare, atë të mercenarizmit. Dhe të sunduesit!
Sunduesi i këtyre 30 viteve bëri të zakonshme sundimin e quajtur demokraci; mashtrimin si provë gjenialiteti, vjedhjen si dinakëri, kapjen e shtetit si pushtet suprem i domosdoshëm, sovranitetin si lojë fjalësh!
Tre të katërtat e parlamentarëve sot janë anonimë! Liderët janë të njëjtët, por vatha e tyre ka ndryshuar! Brenda tufës së liderëve mbetet i paprekshëm vetëm sunduesi i tyre! Hosana për të!
Secili që merr pushtetin, nga lider kthehet në sundues! Krijon “oborrin” rreth tij, mbledh dallkaukë dhe sundon lehtësisht përmes tyre. Krijon një klasë të stërvjerdhur politikanësh, duke larguar idealistët, njerëzit me mendim, vizionarë dhe të pa joshur nga luksi.
Përpara vullnetit të sunduesit parlamentet, qeveritarët, zyrtarët nganjëherë bëjnë ndonjë vërejtje të përulur, ndonjëherë murmuritin, por kurrë nuk kundërshtojnë!
Atëherë, çfarë na duhen 140 mërmëritës deputetë, 20 ministra, nja 50 zëvendës të tyre, drejtorë të mëdhenj e të vegjël, kur pak kush mendon me kokën e tij dhe të gjithë tundin kokën si e tund sunduesi?!!
Një shtet që rrit numrin e policëve dhe zvogëlon të mësuesve është duke rënë në honin e moskthimit!
Një shtet ku, i biri i shefit të qeverisë është mbi gjithë qeverinë dhe i dikton ligjet, ai është i kapur deri në palcë dhe i pa dinjitetshëm!
Një forcë politike , ku, bija kryeministrore sjell përfaqësuesit e ardhshëm, kthehet në një legion të bindurish dhe të leçitur nga mendimi!
Një qeveri, ku, nën hundën e saj, përvidhen, 30 milionë euro nga një kompani fantazmë ,por me pronar real dhe këtë e quan të zakonshme, do të thotë se ka filluar rënia e shpejtë e saj. Pas “përcaktimit” kryeministror , me ose pa urdhër, nuk ka asnjë rëndësi, të gjithë deputetët heshtën! Vërtet duhen këto deputetë? Sikur gjysma e tyre të ikë tani, askush, veç karrikeve, nuk e ndjen mungesën e tyre!
Ndryshimet kushtetuese të vitit 2008 e kanë ligjëruar sundimin e Njëshit mbi turmën, i kanë zaptuar mendjet, kanë vendosur pushtetin suprem të Njëshit mbi mendjet e pavarura.
Liria e zgjedhjes është shpallur ligjërisht e lirë, por praktikisht është e burgosur!