Spartak Ngjela: Opozita kërkon revolta nga frika e SPAK, janë të shqetësuar se do të kthejnë çdo gjë që kanë vjedhur
Thirrjet e opozitës për revolta popullore avokati Spartak Ngjela i përkthen si tregues frike. Pasditen e të mërkurës, PD-LSI njoftuan se do të nisnin protestat kundër qeverisë deri në rrëzimin e saj. Opozitarët shpesh kanë paralajmëruar se në qershor do të zhvillohen bashkë edhe zgjedhjet vendore, por edhe ato parlamentare, duke kërkuar kështu destabizilim. Nga ana tjetër, duhet theksuar fakti se thirrjet për protesta e revolta qytetare vijnë në një kohë kur hap pas hapi Struktura e Posaçme Antikorrupsion po bëhet gati.
Avokati Spartak Ngjela i sheh si të lidhura këto dy çështje. Gjatë një prononcimi të dhënë për gazetën “SOT”, ai deklaroi se opozitarët po kërkojnë trazira për shkak të frikës nga SPAK. Por Ngjela shtoi se PD-LSI po lodhen kot sepse nuk kanë asnjë shpresë që të pengojnë punën e organeve të reja të drejtësisë. “Këto dy çështje janë të lidhura, ngritja e SPAK dhe kërkesa e opozitës për revolta popullore janë të lidhura. Por, opozita lodhet kot, ajo po punon në vakuum. Opozita nuk ka asnjë shpresë. E vetmja shpresë për opozitën e korruptuar është të mos ketë asnjë shpresë.
Ata janë të frikësuar prandaj kërkojnë trazira. Sa herë ngrihen shkallët e SPAK, ata i drejtohen popullit”, u shpreh kryetari i Partisë Ligj dhe Drejtësi. Ngjela paralajmëroi se përmes Strukturës së Posaçme Antikorrupsion të gjithë të korruptuarit do të ndëshkohen. Për avokatin, të gjithë ata që kanë vjedhur nga populli do të detyrohen t’i kthejnë mbrapsht, gjë që sipas tij, shkakton shqetësim. Më tej, Spartak Ngjela përsëriti edhe një herë se puna e SPAK nuk do të ndalet pavarësisht tentativave të opozitës për trazira dhe destabilizim. “Por pyetja është këtu: Shqiptarët do të bëjnë revolucion ose revoltë që të sigurojnë gjënë e vjedhur hajdutët? Kjo është pyetja. Ata duan të sigurojnë gjënë e vjedhur nga shqiptarët dhe njerëzit. Këta ju thonë të vjedhurve ngrihuni dhe ndihmoni vjedhësit. Po të shohim a do ta bëjnë shqiptarët këtë. Kjo është esenca. Por SPAK do të vazhdojë, nuk do të ndalet përtej çdo gjëje”, deklaroi ditën e djeshme Spartak Ngjela.
Thirrjet e opozitës për revolta
Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim po planifikojnë protesta popullore kundër qeverisë. Përmes kësaj lëvizjeje, opozita synon të rrëzojë qeverinë dhe të zhvillohen zgjedhje të parakohshme në qershor. Midis opozitarëve, ish-kryeministri Sali Berisha dhe kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi janë ata që kërkojnë të përdorin edhe skenarë dhune. Shpeshherë në daljet e tyre mediatike, ata kanë bërë thirrje që kryeministri Edi Rama të tërhiqet zvarrë. “Edhe një herë, Edvin Kristaq Urrejtja, me këto që bën ti, i ditur të jesh që shqiptarët do të të zvarrisin për së gjalli dhe jo si Enver Hoxha me bustin e tij.
Ky do të jetë fati yt dhe mbaje mend mirë këtë”, tha Sali Berisha pak ditë më parë. Plani i opozitës për tu ngritur në revolta popullore vjen në të njëjtën kohë kur Struktura e Posaçme Antikorrupsion e cila do të godasë korrupsionin në nivele të larta po bëhet gati. Po ashtu, një tjetër ngjarje e ditëve të fundit është edhe arrestimi i Klement Balilit, i akuzuar edhe për lidhje me politikën. Pra, thirrjet për trazira vijnë në momente delikate kur duket se gjërat kanë filluar të ndryshojnë dhe avokati Spartak Ngjela argumentoi dje se protestat lidhen pikërisht me frikën nga SPAK./Mimoza IBRA/sot.com.al/ZgjohuShqiptar.info