Shqiptarët u dëbuan dhunshëm nga trojet e tyre
Jugosllavia i shkombëtarizoi para se t`i dëbonte për në Turqi
Mohimi i plotë i të drejtave kombëtare, shfrytëzimi, format e ndryshme të asimilimit, marrja me forcë e pjesës më të madhe të tokës, terrori, gjenocidi etj., përgjithësisht ishin veprime të presionit të vazhdueshëm që përdorte Mbretëria e Jugosllavisë ndaj popullsisë shqiptare, në mënyrë që ta shtrëngonte dhe detyronte atë të shpërngulej në Turqi, në Shqipëri, në Bullgari e gjetiu, raporotn Gazeta Kosova Sot
Më shumë se 15 milionë shqiptarë jetojnë të shpërndarë nëpër shtete të ndryshme të botës. Mbi pesë milionë jetojnë vetëm në Turqi, ku ata janë shpërngulur me dhunë, që nga viti 1912 e këndej. Personalisht e kam takuar në vitet e 90-ta një grua të moshuar, me emrin Hysnije, e cila ishte shpërngulur diku nga trojet shqiptare, në moshën 5-vjeçe, së bashku me familjen. Ajo jetonte në një qytet të quajtur Erdek, në pjesën e Azisë, ku djali i saj shërbente në polici dhe pak dinte shqip. Por, u mallëngjye shumë kur na dëgjoi neve tek flisnin shqip. “Shkiftar jeni”, na pyeti dhe pastaj filloi të rrëfejë historinë e saj. Raste të tilla ka përplot në Turqi. Të gjithë ata janë histori në vete. Për dallim prej nënë Hysnijes, të tjerët e kanë ruajtur deri diku gjuhën dhe kulturën, meqë kanë jetuar në zona kompakte, ku mes vete kanë komunikuar në gjuhën amtare. Shkollimi i të rinjve e ka ndryshuar këtë realitet viteve të fundit. Shqiptarët në Turqi janë themelues të disa qyteteve.
Ata udhëheqin sot edhe komuna në Turqi. Rexhep Gyndyz, drejtues i një shoqate shqiptaro-turke, thotë se shqiptarët në Turqi dallohen për tri gjera: ndihmohen mes vete, askush prej tyre nuk është bërë lypës, sepse punojnë shumë dhe askush prej shqiptarëve nuk është kapur duke punuar kundër shtetit. Por, si shkuan kaq shumë shqiptarë në Turqi dhe sa prej tyre janë nga regjioni i Gjilanit. Vala e shpërnguljeve nën presionin jugosllav Historiani Fitim Rifati thotë se pushtimi i Kosovës dhe i viseve të tjera shqiptare nga Mbretëria e Serbisë dhe Mbretëria e Malit të Zi, më 1912, ndër të tjera, u përcoll edhe me përpjekjet për tkurrjen e popullsisë shqiptare në këto troje. Si pasojë, nisi procesi i shpërnguljes së shqiptarëve me dhunë, që vazhdoi edhe ndërmjet dy luftërave botërore. Mohimi i plotë i të drejtave kombëtare, shfrytëzimi, format e ndryshme të asimilimit, marrja me forcë e pjesës më të madhe të tokës, terrori, gjenocidi etj., përgjithësisht ishin veprime të presionit të vazhdueshëm që përdorte Mbretëria e Jugosllavisë ndaj popullsisë shqiptare, në mënyrë që ta shtrëngonte dhe detyronte atë të shpërngulej në Turqi, në Shqipëri, në Bullgari e gjetiu.
Kështu, shpërngulja e shqiptarëve realizonte aspiratat nacionale dhe politike të qeverisë jugosllave në viset e pushtuara dhe të ripushtuara. “Në bazë të të dhënave jo të plota nga burime të ndryshme, deri në mesin e viteve të 30-ta të shek. XX numri i shqiptarëve të shpërngulur në Turqi sillej ndërmjet 120.000 dhe 150.000 veta. Kjo valë e shpërnguljeve preku edhe Gjilanin dhe viset përreth”, thotë Rifati. Viza falas dhe një “viç” pas Sipas një liste që ruhet në fondin arkivor Komiteti “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës”, e cila nuk mund të llogaritet e plotë, që kishte siguruar Ministria e Punëve të Jashtme e Mbretërisë së Shqipërisë, më 25 tetor 1934, vala e të shpërngulurve nga Gjilani e rrethina për në Turqi kishte ndodhur në muajt qershor dhe korrik, kur edhe kushtet klimatike ishin më të përshtatshme. Rifati thotë se në bazë të kësaj liste, të shpërngulurit nga Gjilani, në mbiemrat e tyre mbanin prapashtesën “viç”, që tregon për një aspekt të politikës së ashpër shkombëtarizuese të pushtetit jugosllav ndaj shqiptarëve. Të shpërngulurit ishin pajisur me viza në konsullatën turke në Shkup.
Pasi mbërrinin në Turqi, qeveria turke, me të gjitha mjetet i vendoste në rrethet e Vanit, Bitlisit dhe Dijarbekirit. Të shpërngulurve nga fshatrat Koretin dhe Topanicë u ishin dhënë viza falas, me shënim si emigrantë dhe pa dashjen e tyre, përmes forcave policore dhe nga ana e qeverisë turke ishin vendosur në rrethin e Dijarbekirit. Megjithëse lista nuk përmban detaje të tjera, numri i të shpërngulurve nga Gjilani ishte 205 veta, nga fshati Topanicë – 44 veta dhe nga fshati Koretin – 41 veta. Lista përmban edhe emrat dhe mbiemrat e të shpërngulurve, sipas vendeve. Disa prej tyre, kanë rivënë kontaktet me familjarë në Kosovë, por ka prej tyre që nuk janë kthyer kurrë më tokën e të parëve./ZgjohuShqiptar.info