FOTO: Noli, nga diploma e Harvardit tek rrugica me plehrat e Golemit
Leonard Veizi
Vera nuk ka mbaruar ende, jo vetëm se ekuinoksi i vjeshtës sipas astronomisë daton në 22 shtator, por edhe sepse shtatori po vazhdon të mbajë aq nxehtë sa të gjithë ata që kanë vendosur të shëllehen në diell se nuk u ka mjaftuar korriku dhe gushti, me siguri do ta thekin me detaj ngjyrën e bronxit safi.
Zakonisht plazhin e bëj andej nga Golemi, edhe në pranverën e hershme, edhe në verën e vonë. Jam mësuar me situatën kërkesë-ofertë, por dhe se fshatarët e zonës shesin gjithfarë lloje frutash me çmime që shtyhen e nuk ta nxjerrin astarin e xhepave. Shkurt nuk mbetesh me duar bosh si do Zoti ca miqtë e mij që pësuan andej nga Jugu, e pasi i lanë të gjitha paratë e thata që kishin marrë me vete, u munduan të fusnin në funksion kartat e kreditit që të ktheheshin në Tiranë.
Por plazhi i Golemit, si tepër popullor që është, ka dhe bëma pa fund. Fjala vjen, kjo makinë e transportit të rëndë, kish mbetur në breg të detit e s’kishte burrë që e nxirrte andej. Ç’them dhe unë; u bënë 10-të burra bashkë, me kazma e lopata e sërish nuk e nxorën. Ishte piku i verës, i sezonit, i turistëve dhe njerëzia nuk e kishte mendjen me të motorët e ujit por te kamioni që nuk dilte nga rëra.
Po në skutat e këtij plazhi, gjeje dhe ndonjë fadromë që mundohej të bënte ndonjë punë, kur nuk dihej se çfarë pune kishte.
Por ajo që i vendosi qershinë mbi tortë për këtë sezon ishte pamja me të cilën u ndesha në një nga rruginat që lidh plazhin me rrugën dytësore dhe autostradën. E pa asfaltuar dhe në ditë të hallit, kjo rrugë e shtrembët qëndronte e lagur dhe e ngopur nga pellgjet e ujit dhe kur temperatura i kalonte 40 gradë celsius. Por si kjo rrugë ka plot në Golem. Ajo që e bënte të veçantë e që të bënte ta ktheje kokën ishte dy tabela në të cilat shkruhej emërtimi i rrugës. Në njërën nuk shquheshin fort germat. Por pak metra më tutje tabela e dytë të informonte se po ecje bash mbi rrugën: Fan Noli.
Mbeta pa tekst.
Fan Noli, me emrin e babait Stilian, me siguri do të kishte qeshur po të ngrihej nga varri e të shihte se ku kishte përfunduar. Se ai qeshte e bënte ironi edhe me flautin e tij që e quante “fyell”. E jo më me fyejt që i kishin vënë emrin tek rruga më e shtrembët dhe e baltosur e plazhit të Golemit.
Padyshim Fan Noli, mbetet një nga figurat më emblematike të intelektualizmit shqiptar. Me diplomë të Harvardit, poet, shqipërues, peshkop deputet e kryeministër, emrin e të cilit më mos Akademia e Shkencave duhet ta mbante Universiteti i Tiranës. Ç’është e vërteta në Korçë e kanë vlerësuar Nolin, emrin ia kanë vënë universitetit lokal, mirëpo në Tiranë janë mjaftuar ta përmendin tek një shkollë 9-vjeçare, ndërsa në Golem ka përfunduar tek kjo rrugë 200 metroshe ku më së shumti të zë syri kazanë mbeturinash.
Dhe kaq, se nuk ka nevojë për më shumë koment./DITA




