Rama: Shqiptarët u dorëzuan nazistëve floririn, por jo hebrenjtë
Kryeministri Edi Rama i ka kujtuar komunitetit izraelito-amerikan histori nga përpjekja e shqiptarëve për të shpëtuar hebrenjtë gjatë Luftës II Botërore, kur përndiqeshin nga forcat naziste.
Shqipëria jo vetëm që ruajti komunitetin e vet hebre, por gjithashtu ofroi strehë për hebrenjtë që erdhën në vend.
“Do doja t’ju thoja që Shqipëria ishte vendi i parë në Europë në vitin 1932, kur antisemitizmi ishte i përhapur kudo, njohu të drejtën e komunitetit hebre që të organizohej.
Historia është absolutisht e mrekullueshme sepse hebrenjtë u shpëtuan jo vetëm nga myslimanët, por edhe kleri katolik.
Është shumë e famshme historia e njërit prej klerikëve të krishterë në Shqipëri që pagëzoi shumë hebrenj që t’u ndryshonte identitetin dhe t’i mbronte nga nazistët.
Gjithashtu edhe një episod, kur një prej nazistëve më të lartë në vitin 1943 thirri përfaqësuesit e katër komuniteteve tona fetare, ju kërkoi një listë të hebrenjve dhe listën e floririt që kishin. Ata i dhanë listën e floririt, por jo listën e hebrenjve”, tha Kryeministri Rama, gjatë fjalës së tij përpara 18 mijë anëtarëve të Konferencës Vjetore të Komitetit Izraelito-Amerikan të Çështjeve Publike (AIPAC) në Uashington të SHBA-ve.
“Paraardhësit tuaj erdhën të gjenin strehë në Shqipëri edhe tri herë të tjera më përpara. Në shekullin e I, XV dhe XVII dhe përherë e gjetën këtë strehë tek ne”, theksoi kryeministri.
Rama tha se me shtetin e Izraelit marrëdhënia është mjaft speciale dhe e shkëlqyer “dhe ne duam ta shikojmë tek zhvillohet dhe të ndodhin më shumë gjëra midis nesh.”
“Për herë të parë, këtë vit do të kemi një fluturim të drejtpërdrejt nga Izraeli në Shqipëri gjatë verës, kështu që dëshiroj fort që ajo që një herë e një kohë përkufizohej nga Leo Elton në raportin e tij të 1935-ës si toka e dytë e hebrenjve, të bëhet shtëpia juaj e dytë për pushim. Jeni mjaft të mirëpritur në Shqipëri”, tha Rama.
Rama po ashtu tha se është i angazhuar personalisht që të ndërtojë një qendër kulturore për miqësinë shqiptaro-izraelite në zemër të Tiranës.
“Për këtë kemi angazhuar Daniel Libskin që është autori i muzeut hebraik në Berlin. Duam që kjo qendër të tregojë marrëdhëniet tona për fëmijët tanë, por edhe për fqinjët tanë”, tha ai./ZgjohuShqiptar.info
NA NDIQNI EDHE NE FACEBOOK JU LUTEMI!