Kufiri detar kthehet në lojë spiunësh me Greqinë

Kapiteni Artur Meçollari është kthyer në çështjen e ditës sot, pasi emri i tij ishte në listën e Ministrisë së Jashtme si pjesë e grupit që do të negociojë kufirin detar me Greqinë.
Ishte fillimisht Sali Berisha, i cili e akuzoi Meçollarin si spiun për shërbimet e huaja dhe se nuk duhet të jetë në listën e negociatorëve.
“Ministria e Jashtme ka përgatitur grupin e negociatorëve me njerëz të dyshimtë. Në grupin e negociatorëve është një spiun që nuk ka interesa kombëtare. Marrëveshja është e bazuar në vizatimet e këtij spiunimi që i shërben një vendi tjetër”, akuzoi ish-kryeministri Berisha jashtë sallës së Parlamentit.
Duke mbështetur ish-kryeministrin Sali Berisha, kolonel Ylli Zyla, ish-drejtor i Shërbimit Informativ të Ushtrisë, thotë se eksperti detar Artur Meçollari, pjesë e grupit negociator shqiptar për marrëveshjen e detit me Greqinë, cenon sigurinë kombëtare me praninë e tij në delegacion.
“Në cilësinë e ish-drejtorit të SHIU mund t’iu them se emir në fjalë është i papërshtatshëm në grupin e negociatorëve për marrëveshjen e detit me Greqinë. Etika profesionale nuk më lejon të them më tepër, por autoritetet dhe veçanërisht Presidenti i Republikës i ka të gjitha mundësitë të kuptojë papërshtatshmërinë e tij. Pjesëmarrja e tij në komision do të cenonte sigurinë kombëtare, pasi marrëveshje të tilla bëhen një herë në jetë dhe jo çdo ditë”, u shpreh për TCH, kolonel Ylli Zyla.
Por Ministria e Mbrojtjes, e cilëson si histori të trilluar nga Berisha duke hedhur poshtë akuzat.
“E gjitha është një histori e trilluar. Artur Meçollari ka certifikatë sigurie nga DSIK. Historia e akuzave është e mbyllur me vendim gjykate në 2013. Meçollari është pjesë e forcave të NATO-s në Afganistan”, thotë Ministria.
Artur Meçollari është larguar nga detyra në 2012 nga Arben Imami, pas përplasjeve asokohe me ish-ministrin e Mbrojtjes, ndërsa është rikthyer në detyrë me vendim gjykate në 2013.
Kurse nga Ministria e Mbrojtjes burimet bënë të ditur se lirimi i ushtarakut Meçollari në vitin 2012 është anuluar me vendim gjykate të formës së prerë dhe ai nuk ka asnjë pengesë për të qenë pjesë e grupit negociator.
Ndaj deklaratës së Sali Berishës ka reaguar edhe zv. ministri i Mbrojtjes Petro Koçi. Në profilin e tij zyrtar në Facebook, Koçi thotë se “loja me spiunë është hakmarrje politike e avokatëve të shitjes së detit”.
“Artur Meçollari është një nga ata ushtarakë që luftoi fort kundër marrëveshjes anikushtetuese të detit me Greqinë. U shkarkua si Komandant në detyrë i Forcës Detare vetëm 24 orë pasi bllokoi kalimin e Bazës së Bisht Pallës në duart e Fazlliçit dhe bashkëpunëtorëve të tij në klanin Berisha. Fitoi gjyqet me zyrtarët e korruptuar të Saliut dhe kontribuon me dinjitet në FA. Loja me spiunë është hakmarrje politike e avokatëve të shitjes së detit”, shkruan Koçi.
Në foto: Kapiten Artur Meçollari/a.s/dita/ZgjohuShqiptar.info

NA NDIQNI EDHE NE FACEBOOK JU LUTEMI!

Back to top button
LAJMET E FUNDIT