Nis aksioni në Himarë, me flamurin grek banorët protestojnë kundër shembjeve
Me flamuj grekë, por dhe amerikanë, banorë të Himarës kanë pritur me protesta fadromat e IKMT këtë mëngjes. Në qytet nisi prishja e ndërtimeve që pengojnë projektin e rikualifikimit urban.
Forca të shumta policore si nga drejtoria e policisë Vlorë, të mbështetura nga FNSH e Fierit po shoqërojnë fadromat në aksion.
Deri në orën 11.00 janë prishur 8 objekte kryesisht shtesa pallatesh,mure, garazhe si dhe një pikë karburanti në hyrje të qytetit të Himarës. Janë gjithsej 23 objekte që pritet të prishen në Himarë për t’i hapur rrugë planit për rikualifikimin e qytetit, i cili ka shkaktuar tensione edhe me Athinën zyrtare.
Nga Himara ku ndoqi aksionin kreu i PBDNJ lëshoi akuza të rënda për kryeministrin.
“Situatë kaq të rëndë sa pa hezitim sjellja e kryeminsitrit Rama ndaj Himarës dhe himariotëve mund të krahasohet me sjelljen e një pushtuesi. Himara sikurse të jetonim në shtet policor është në çdo cep të saj në prani të forcave të policisë. E shikoni se po cënohen të drejta stërgjyshore pronësore”, tha Vangjel Dule.
Ndërkohë policia e Vlorës bën të ditur se janë angazhuar 163 forca policore, prej të cilave 10 janë nga FNSH e Fierit. Policia thotë se është shoqëruar një person në komisariat. Ai ka tentuar t’i vërë flakën një autoboti me gaz brenda një ndërtese që po prishej.