Arben Meçe trondit politikën: Dosja X e hashashit; 900 milionë euro të konfiskuara në parajsën fiskale të Qipros

Nga Arben Meçaj
Nuk do të desha të “ngatërrohesha” me debatin e sotëm për Hashashin, nëse nuk do të kisha një ngacmim nga një gazetar, “antiTahir” të themi.
“Në kohën e Berishës nuk pati sasi të konsiderueshme hashashi të kapur nga ne, apo fqinjët tanë! Nuk pati asnjë grup kriminal trafikantësh të denoncuar apo të asgjësuar nga organet ligjzbatuese të vendit!”, argumentoi gazetari. Ndërsa tani: Grupe kriminale, dhjetëra ton hashash të denoncuara dhe të kapura etj., etj.”
Një argument kyç i amplifikuar në kor nga aparati propagandistik “Anti RAMA” (Mirëkuptoni këtë term; aktualisht nuk ka të majtë e të djathtë, por Pro RAMA dhe Anti RAMA). Një argument me vend. Bindës, pse jo dhe i pranuar si i vërtetë, kur problemin e trajton përciptas, duke e prerë “shkurt”, pa u futur në detaje dhe pa analizuar mbi të njëjtin “KUT” ngjarjet e kohës Berisha me ato të sotme.
Ky ngacmim më intrigoi të analizoj dhe zbardh në dritën e fakteve të vërteta të cilat askush nuk duhet t’i harrojë. Të evidentoj aktorë e protagonistë të së djeshmes, personazhe që ndërsa duhej të ishin në bankën e të akuzuarve, sot mbartin flamurë të pa merituar të anti-narkotizmit. Nuk pretendoj që kjo analizë të ezaurojë ngjarjet, por gjykoj si domosdoshmëri për hapjen e një debati të shëndetshëm për pastrimin real të kësaj dreq politike nga këto figura kloune, donkishoteske, kriminale dhe dëmsjellëse në Shqipëri.
Deri më sot debatet ndërmjet palëve në sheshbetejën e hashashit janë përqendruar në argumentin se: Sasia e hashashit është shtuar në vitet e fundit. Por asnjëherë nuk i është dhënë përgjigje pyetjes: Sa ishte sasia e hashashit të prodhuar në 2010, 2011, 2013, 2014. Kush e menaxhonte prodhimin?
Kush e administronte, “eksportin“ nga Lazarati apo drejt vendeve fqinje?  Cilat ishin instrumentat dhe rrugët e “eksportit“? Cila ishte skema e shpërndarjes së “fitimit”? Kush i përvetësonte të “ardhurat”?
Pyetjet e mësipërme, natyrisht duhet të intrigojnë çdo analist, investigator apo dhe organet ligjzbatuese. Dhe pse kanë kaluar vite, aktorët  e viteve 2010-2013 janë prezentë në realitetin shqiptar. Në poste politike, në fushbetejën politike, në struktura ligjzbatuese, në rrjete kriminale. Kudo! Ata nuk u zhdukën, sepse asnjëherë nuk u evidentuan, aq më pak u goditën dhe asgjësuan. Ata u “harruan”, “fjetën”, “kaluan në inkubacion” për t’u “zgjuar” e riaktivizuar sot të ricikluar, imunizuar, agresivë, “luftëtarë” të antikorrupsinit dhe anti-narkotizmit. Sot ata janë më të rrezikshëm se kurrë më parë . E këta “monstra” minimalisht duhen demaskuar. Por jo vetëm. Ata duhet të shfarosen nga memorja, e sotmja dhe e nesërmja jonë. Gjykoj se është momenti. Sot pretendoj ta hap këte debat për ta kurorëzuar pse jo me pjesëmarrjen e të gjithëve.
1. Diçka mbi historikun e prodhimit të hashashit në Lazarat
Viti 2007 është viti kur Lazarati prezantohet me bimën e hashashit. Deri në këtë vit kjo bimë nuk ishte prezente në Lazarat.
Është viti 2008, viti kur në Lazarat fillon mbjellja intensive (por jo masive) e hashashit. Në Shqipëri, në lokale apo ambiente tavolinash fillon të diskutohet mbi bimën “made in Lazarat”. Dhe pse intensive, në këtë vit akoma hashashi nuk ishte fenomen në Lazarat.
Në fund të këtij viti (2008), në media konstatohen artikujt e parë (janë dy deri tre të tilla) që me zhanrin reportazh artikulojnë: “Lazarati, një fermë e madhe e prodhimit të hashashit”. Këto reportazhe  thjesht janë idiciet e para informuese mbi lindjen e këtij fenomeni në Lazarat. Ndërkaq, publikisht, në këtë periudhë filluan të identifikohen personat e parë me tipare kriminale dhe suport politik si kultivues, posedues dhe trafikues të lëndës narkotike hashash.
E njëjta situatë identifikohet dhe në vitin 2009, por në këtë vit për herë të pare (diku në tetor- nëntor, periudhë kur fillon tregtimi i produktit të prodhuar) konstatohen “aksione” sporadike të policisë lokale. Mediat informojnë për kapjen sporadike të sasive 150-200 kg hashash, e në një rast të trumbetuar zhurmshem 500 kg në drejtim të Greqisë. Gjithsesi dhe këtë vit Lazarati ruan trendin e 2008 me ritme modeste rritjeje.
Është viti 2010 -2011 -2012 -2013, ku Lazarati kthehet në një “Fermë Gjigande” të  prodhimit të hashashit
Në viti 2010 fillojnë prononcimet e para të funksionarëve shtetërorë. Pas dy aksioneve të dështuara (qershor-gusht 2010) në Lazarat. Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Burgaj, pas dështimit të aksionit të dytë në gusht 2010, në takim me drejtuesit vendorë të policisë Gjirokastër deklaron: “Kam gjithë informacionin e duhur për përgatitjet që po fillojnë nga disa persona që po penalizojnë jo vetëm Gjirokastrën, por mbarë Shqipërinë. Veprimet e policisë do të jenë tepër të ashpra“. Po atë ditë,  gusht 2010, në opinionin publik vjen dhe deklarata e Ministrit të Brendshëm të kohës Lulzim Basha. “Ai grusht njerëzish do të ndiejë peshën e fortë të ligjit dhe do të përballen me drejtësinë në çdo ditë çdo javë në ditët dhe muajt në vijim”.  Janë dy prononcime publike, ku qartësisht evidentohet dijenia absolute e instancave shtetërore ligjzbatuese (Ministri i Brendshëm dhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit) mbi fenomenin kriminal të kultivimit masiv të Hashashit në Lazarat.
Ndërkaq, në vijim të “masave anti- hashash”, në Ujë të Ftohtë Tepelenë dhe daljen jug-lindore të Lazaratit, në mënyrë demonstrative,  vendosen postblloqe policiore 24 orëshe. Çdo automjet apo qytetar që kalonte në këto akse rrugore, i nënshtrohej kontrollit të rreptë fizik policor. (mos e nënvlerësoni dhe harroni në argument këtë fakt).
Por viti 2011 shënon vitin epokal të shpërthimit galopant të mbjelljes dhe prodhimit të hashashit në Lazarat. (Shënim ! Minister i Brendshëm ishte Lulzim Basha).  Në dijeni të tij dhe Drejtorit të Përgjithshëm, Policia e Shtetit ajo Lokale dhe Qendrore organizojnë planin operativ të policisë së shtetit për “neutralizimin dhe shpënien para ligjit” të “atij grupi njerëzish” që “do të ndiejë peshën e fortë të ligjit dhe do të përballen me drejtësinë në çdo ditë çdo javë në ditët dhe muajt në vijim”.
Rezultati: Asnjë i denoncuar; asnjë sasi e kapur; asnjë grup kriminal. Mbjellja e hashashit nga intensive u bë masive.  9 në 10 familje në Lazarat në vitin 2011 kultivonte hashashin.

Foto nga Lazarati, Shkurt 2011
Sa ishte sasia e hashashit të prodhuar në 2011 në Lazarat?
Lazarati përfshin një territor rreth 500 ha. Fotot ajrore të 11 shkurtit 2011 mbi Lazarat tregojnë se zona qëndrore e fshatit (rreth 270 ha) në mbi 80 për qind të saj ishte e mbjellë me hashash. Ndërkaq  mbjellje konstatohen në periferi (dhjetra parcela) dhe buzë rrugës nacionale.
Në këtë vit, mbështetur mbi fotografimin ajror,  mund të llogariten me rezervë rreth 230-250 ha sipërfaqe e mbjellë me hashash në Lazarat.
Duke konsideruar që kjo bimë (në standardin e unifikuar në Lazarat) mbillej në rreshta çdo 2 m, me distancë rreth 2-2.2 m nga njëra- tjetra, llogaritet se në një hektar ishin mbjelle rreth 3 000 rrënjë. Duke llogaritur sasinë e sipërfaqes së mbjellë dhe intesitetin e mbjelljes për ha, llogaritet se: në 2011 në Lazarat ishin mbjellë rreth 700-750 mijë rrënjë apo ekuivalent 700-750 tonë hashash.
Viti 2011. Asnjë indicie mediatike apo shtetërore mbi fenomenin Lazarat. Asnjë informacion shtetëror apo mediatik mbi trafik hashashi nga Lazarati, prani të grupeve kriminale të narko-trafikut në Lazarat apo dhe Shqipëri. Dhe kjo “heshtje” në vitin 2011 kur Minister i Rendit ishte Lulzim Basha, në kushte kur:
  • në Lazarat janë mbjellë mbi 750 mijë rrënjë hashash në vit
  • në Lazarat janë prodhuar mbi 750 tonë hashash në vit
  • nga fshati Lazarat evakuohen mbi 750 tonë hashash në vit
  • nga territori shqiptar “eksportohen” drejt tregut evropian mbi 750 tonë hashash në vit
Çfarë po ndodh???
Viti 2012 nuk karakterizohet nga ngjarje në Lazarat. Postblloqet tek Uji i Ftohtë dhe dalje Jug-Lindore Lazarat operojnë 24/7. Mbjellja, prodhimi, evakuimi i hashashit nga Lazarati, eksporti i tij drejt tregut evropian, vazhdon qetësisht, me ritme akoma në rritje.
Situata në Lazarat bëhet publike në 2013 në aksionin Guardia di Financia Italiane. Deklarimet e para zyrtare të Drejtorit të Aviacionit të Guarda di Finacia Italiana, Stefano Bastioni pas fotografimeve në 5 zona problematike të prodhimit të hashashit në Shqipëri, informojnë se “Lënda narkotike hashash në Lazarat mund të arrijë në 900 tonë me një vlerë tregu 4.5 miliardë euro. Në terren identifikohen 319 ha parcela të mbjella me hashash. Në Lazarat 9 nga 10 familje kultivojnë hashash.”
Duke mos qëndruar në vitin 2009 por vetëm në atë 2010-2013, llogaritet me fakte të pa kontestueshme se sasia e hashashit të prodhuar në Lazarat shkonte nga 700 në 900 tonë në vit. Pra në katër vjet rreth 3 000 ton. Sasi galopante.
Çudi!!! Askush nga organet ligjzbatuese apo media nuk informon mbi këtë aktivitet kriminal. Asnjë narko-trafikant apo grup kriminal i identifikuar, kapur apo penalizuar. Ndërkohë që vlen të theksohet se kemi të bëjmë me një akt kriminal me cikel të mbyllur (kultivim, prodhim, evakuim, eksportim), akt në të cilin pa kushte pjesëmarrin shumë “aktorë”:
  • Prodhuesit (fshatarët e Lazaratit)
  • Evakuesit e hashashit nga Lazarati (?)
  • Transportuesit e hashashit drejt kufirit të Republikës (??)
  • Eksportuesit e hashashit drejt tregut evropian (???).
Natyrisht nuk dua të analizoj pritësit jashtë kufijve të Republikës (është jashtë juridiksionit territorial të organeve tona ligjzbatuese)
1. Kush e administronte nxjerrjen e hashashit nga Lazarati
Aktualisht nuk ka asnjë informacion të besueshëm se kush e administronte nxjerrjen e kësaj sasie  hashashi nga Lazarati. Por ndërkohë mund të analizojmë:
Sasia prej rreth 700-900 tonë prodhim në Lazarat nxirrej çdo vit prej fshatit Lazarat. Prej vitit 2010 rruga nacionale ishte nën vëzhgim 24/7 nga postblloqe policore. Si kishte mundësi të dilte gjithe kjo sasi hashashi nga Lazarati?? Çfarë rruge ndiqte kjo sasi narkotiku?
Prodhimi i hashashit në Lazarat ishte bërë publik dhe për të kishte dijeni Drejtori i Përgjithshëm i Policise, Burgaj. Për të kishte dijeni dhe Ministri i Rendit, Basha. Për të kishte dijeni dhe zv/ministri i Rendit, Strazimiri. Për të kishin dijeni Shërbimi Informativ dhe Shërbimet e brendshme Operative të Policisë së Shtetit. Natyrisht për këtë kishte dijeni dhe Kryeministri i vendit, Berisha (në prononcime të mëvonshme ai shprehet se “Po” kishte dijeni por ishte vendimmarrje politike ????).
Po si shpjegohet që asnjë informacion mbi këtë sasi galopante prodhimi të “eksportuar nga Lazarati”.
Nuk ka nevojë për “dyshime të arsyeshme ”. Në “eksportin” e kësaj sasie narkotiku nga Lazarati i implikuar ishte direkt Shteti. 900 tonë hashash në vit (në fakt për një periudhë jo më shumë se 6 mujore) nuk mund të transportohej me “gomerë e kuaj nga mali”  (është nje pretendim policor). Jo kjo sasi galopante transportohej me automjete, direkt në rrugën nacionale nën shoqërimin, mbrojtjen dhe mbështetjen absolute të strukturave të posaçme të administratës ligjzbatuese.
Por cili korridor i administratës ligjzbatuese të shtetit shqiptar?
Detyra organike dhe funksionale e administrimit ligjor të goditjes së këtij trafiku me legjislacionin e  shtetit shqiptar i takonte Ministrisë së Rendit. Po ashtu dhe Shërbimit Informativ. Të vetmet struktura që kishin dijeni dhe që administronin legalisht këtë produkt informativ dhe operativ ishin vetëm këto struktura . Çdo aksion “evakues i hashashit nga Lazarati ” jashtë dhe pa dijeninë e këtyre strukturave do të identifikohej pa kushte prej tyre.  Nuk flitet për 1 apo 10 tonë, por për rreth 750-900 tonë në vit.
Nuk ka asnjë dyshim se, në kushtet kur rruga nacionale ishte në kontroll të rreptë policor, kur në terren policia organikisht kishte struktura të punës permanente operative, evakuimi i hashashit nga Lazarati kryhej nga struktura të posaçme të Policise së Shtetit, të njohura legalisht nga organet policore lokale, në dijeni dhe mbështetje të plote të SHIK-ut.
Vetëm elementë me mandat policor mund të depërtonin pa “ngacmim”rrethimin operativ dhe fizik policor të Lazaratit. Vetëm elementë me mandate QENDROR policor mund të depërtonin pa “ngacmim” rrethimin operativ dhe fizik LOKAL policor të Lazaratit.
Bëhet fjalë për vitet 2010 – 2013, vite kur në krye të Ministrisë së Rendit ishte Lulzim BASHA  e zv/ ministër, Strazimiri !! ??
2. Kush e administronte nxjerrjen e hashashit jashtë vendit
Por ndërsa problem deri në këtë moment është analizuar në skemën e prodhimit dhe nxjerrjes së hashashit nga Lazarati nën suport dhe implikim të drejtpërdrejtë të Ministrisë së Rendit, konkluzionet  bëhen më shqetësuese kur analizon pyetjen: Si kalonte kjo sasi hashashi (700-900 tonë në vit) kufijtë e shtetit shqiptar?
Është një periudhë kur në Lazarat posaçërisht prodhohej 700-900 tonë hashash në vit, ndërkohë që Policia e Shtetit dhe Shik-u nuk identifikojnë asnjë grup kriminal.
Kush e administronte atëherë “eksportin e hashashit” drejt tregut evropian?
Aktualisht deri më sot nuk posedohet asnjë informacion apo investigim mediatik, asnjë informacion dokumentar nga strukturat e shërbimeve operative të luftës kundër krimit të organizuar. Asnjë. Asnjë.
Por ka një fakt të pa kontestueshem: Në periudhën 4 vjeçare 2010-2013, rreth 3 000 tonë hashash u prodhuan dhe evakuan nga Lazarati. Ku shkuan???
Në kohen e Hoxhës, Shqipëria ishte kontrabandistja më e madhe e cigares, por dhe në atë kohë askush nuk kishte dijeni apo informacion për aktivitet apo grupe kriminale. Arsyeja? Sepse trafikun e administronin në konspiracion të plotë struktura speciale pranë administratës së lartë të Sigurimit të Shtetit.
Po në vitet 2010-2013 kush ishin këta “anonimë” që në konspiracion të plotë nga opinioni publik dhe organet ligjzbatuese kurorëzonin me sukses nën hundën e Policisë së Shtetit dhe Shërbimit Informativ, nxjerrjen nga Lazarati dhe transportin jashtë kufijve të vendit sasi marramendëse prej 700-900 tonë në vit.  Një pyetje që kërkon përgjigje, aq më tepër kur ngjarja zhvillohet në kushtet e ciklit të mbyllur kultivim, prodhim, evakuim, eksportim. Natyrisht problemi bëhet më shqetësues kur flitet për fitime që në periudhën katër vjeçare 2010-2013 llogariten në rreth 16 miliard euro, vlerë e mjaftueshme për veprimtari që cenojnë sigurinë kombëtare të vendit.
Bëhet fjalë për një proces të mbyllur që teknologjikisht kërkon shumë tipologji aktorësh, por që çuditërisht është zhvilluar në konspiracion të plote; as gjurmë, asnjë informacion. Precedentët botërorë informojnë se kjo tipologji aksioni organizohet nga struktura tepër të organizuara, kryesisht ushtarake, me suport të padiskutuar qeveritar.
Gjithsesi fenomeni Lazarat 2010-2013 për përmasat dhe shkallën e implikimit të strukturave shtetërore të kohës në të kërkon investigim shtetëror. Nuk është vonë. Parimi i hetimit mbështetet në lëmën: “Gjithmonë në vendin e krimit krimineli ka lënë një gjurmë. Ajo ndodhet e gjallë para syve tanë, mjafton të kihet vendosmëri dhe zgjuarsi për ta identifikuar”.
Për fenomenin Lazarat 2010 -2013 aktualisht ekziston dyshimi i arsyeshëm i mbështetur në prova dhe fakte se protokolli: kultivim-prodhim-evakuim-eksportim i lëndës narkotike hashash të prodhuar në Lazarat, kryhej  në dijeni të plotë të administratës së lartë politike të kohës, në implikim të drejtpërdrejtë të strukturave “sekrete“ pranë administratës së lartë politike të kohës.
Ka dyshime të arsyeshme që minimalisht për këtë aktivitet dhe për këto struktura ka pasur dijeni, pse jo dhe implikim Ministri Brendshëm, Lulzim Basha.  Kush tjetër ..??
Hetimi është imperativ. Shqiptarët duhet të dinë të vërtetën e kësaj periudhe të errët në historinë  e hashashit shqiptar.
Hetimi mbi implikimin e drejtpërdrejtë të hierarkisë së strukturave shtetërore ligjzbatuese të kohës në aktivitetin kriminal zinxhir të mbyllur të kultivimit-prodhimit- evakuimit dhe eksportimit të hashahit të prodhuar në Lazarat drejt tregut evropian, bëhet më imperative kur konstatohet se ky protokoll në këtë periudhë kryhej në kushtet kur Shqipëria ishte nën embargo radikale të moratoriumit të skafeve. Asnjë mjet privat detar nuk qarkullonte në ujërat territoriale të Shqipërisë, aq më tepër të kapërcente në menyrë klandestine kufijtë e Shqipërisë. Në rrugë tokësore kjo ishte absolutisht e  pamundur (janë 700-900 tonë në vit), transporti rrugor është një risk tepër i madh. Ndërkaq në këtë periudhë nuk konstatohet asnjë kapje hashashi në kufin tokësor të Republikës.
E padyshim nuk ka më hamendësi: Natyrshëm lind dyshimi i arsyeshëm mbi arsyetimin deduktiv (Dyshim që hetimi shtetëror që duhet të procedojë kryesisht do ta kthejë në dyshim të arsyetuar mbi prova dhe fakte) se kjo sasi marramendëse narkotiku (vetëm nga Lazarati 3 000 tonë), administrohej nga struktura speciale sekrete, tepër pranë politikës së lartë, struktura të veshura me uniformë, struktura me mandat të pa limituar, të fuqishme,  të sigurta dhe të afta teknikisht të transportonin në prezence policore 700-900 tonë hashash në vit pa u identifikuar as si transportues dhe as si grup kriminal.
Hetimi do të vërtetojë pa kushte ekzistencën në këto vite të një “tuneli gjigand qeveritar ” trafikimi të lëndës narkotike hashash nga Shqiperia drejt tregut evropian. Vetëm prania e këtij “tuneli” i jep përgjigje pyetjeve: Ku përfundonte sasia prej 700-900 tonë hashash të prodhuara në Lazarat. Përse në këtë periudhë 2010-2013 në Shqipëri askush nuk flet për hashash, aktivitet kriminal të prodhimit dhe “eksportimit” të hashashit. Askush nuk flet dhe identifikon grupe kriminale të narko-trafikut.
Trafikant, protektor dhe përfitues i drejtpërdrejtë i narko-trafikut të viteve 2010 -2013 ishte vetë hierarkia e lartë qeveritare e shtetit shqiptar.
3. Po si futej kjo sasi në vendet kufitare
Është ligjshmëri që ku ka dërgues ka dhe pritës. Po si shpjegohet që për 4 vjet, rreth 3 000 tonë hashah ka kapërcyer kufijtë e Shqipërise, ka depërtuar në fqinjët tanë kufitarë dhe asnjë ton i kapur nga strukturat policore fqinje. Natyrisht krimi dhe mafja politike nuk fillon në Shqipëri, ajo bashkëpunon në mbrojtje të interesave të saj të fitimit . “Tuneli shtetëror i trafikimit të hashashit në vitet 2010-2013”, natyrisht ka një hyrje në Shqipëri, por ka dhe një dalje në vendet fqinje. Askush nuk duhet të pretendojë se krimi ndodhet vetëm në Shqipëri…
Viti 2014, aksioni Tahiri në Lazarat preu shumë lidhje. Mbi të gjitha shkatërroi “tunelin” e trafikimit të hashashit nga Shqipëria drejt …
Prologu, çdo të ndodhë
Me rëndësi është që media-shteti të zbardhë rreth 16-18 miliardë euro fitime nga hashashi, vetëm nga trafiku qeveritar i prodhimit në Lazarat në vitet 2010 -2014, vite kur Ministër i Rendit ishte Lulzim Basha e më tej Noka. Ministër i Drejtësisë Halimi–Alibeaj. Zv/ministër Strazimiri; Kryeministër Sali Berisha (Personazhe tepër aktive sot ???) Në këte rast gjykoj se në diskutim është Siguria Kombëtare e vendit. Kjo sasi monedhe e fituar në rrugë kriminale aktualisht përbën një risk riciklimi dhe aktivizimi të resurseve të rrezikshme mediatike-politike dhe militare, potenciale që seriozisht në çdo moment rrezikojnë rëndë sigurinë kombëtare të vendit.
Ndoshta ndjekja e protokollit të konfiskimit në vitin 2014 të rreth 900 milion eurove në parajsën fiskale të Qipros do të hapë Kutinë e Pandorës. Ndoshta rishikimi i profileve teknike, dinamikës së penetrimit në treg apo aktivitetit të deklaruar të flotave detare dhe ajrore pranë qeverisë së kohës, flota të aktivizuara zhurmshëm në vitet 2010 -2013 dhe të zhdukura pa lënë gjurmë pas vitit 2014 do të sjellë shumë fakte, do të zbardhe të vërtetën e “tunelit qeveritar të trafikimit të narkotikëve në vitet 2010-2013”.
Kam bindjen se krahas Vettingut, me këtë aksion, Shqipëria do të çlirohet përfundimisht nga krimi politik!
Lul Basha! Prej vitesh të kam kërkuar: Zbardh identitetin tënd! Kush jeni Ju z. Basha?!  Uroj që hetimi shtetëror mbi “tunelin qeveritar” të trafikimit të narkotikëve në vitet 2010-2013 të konsiderohet me seriozitetin që i takon. Do të shohim ÇUDIRA!
Botuar sot nga DITA

Back to top button
LAJMET E FUNDIT