Nishani: Gati t’ju ul për dialog, pas Ramës pranon dhe Basha: Dakort!
Situata politike drejt zgjidhjes së ngërçit politik.
Presidenti në largim, Bujar Nishani u bëri thirrje sot pasdite dy kundërshtarëve politikë të ulen në një tryezë e të dialogojnë.
Ftesës së Kreut te Shtetit i është përgjigjur i pari Rama, dhe më pas Basha që dërgoi një deklarate plot me sinjale pozitive në emër të PD e koalicionit opozitar.
Presidenti
Presidenti Bujar Nishani përmes një deklarate shpreh shqetësimin për ngërçin politik ku është futur vendi dhe kërkon nga Rama dhe Basha që të ulen në tryezë për të gjetur një zgjidhje.
Nishani shpreh gatishmërinë e tij në shërbim të këtij dialogu.
“Presidenti i Republikës, Bujar Nishani po ndjek me shumë shqetësim përmasat që po merr kriza politike në vend.
Ndaj edhe njëherë i kërkon Kryeministrit të vendit dhe Liderit të Opozitës të ulen në tryezën e bisedimeve me vullnetin për kompromis, për të tejkaluar këtë situatë të vështirë për vendin.
Presidenti Nishani ofron të gjithë gatishmërinë dhe angazhimin e tij institucional në shërbim të këtij dialogu” përfundon deklaratën Nishani.
E ndërsa herën e parë pak javë më parë dështoi, kjo është herë e dytë që Kreu i Shtetit ofrohet për të negociuar mes palëve për të gjetur një zgjidhje.
E fundit/PD dhe opozita i përgjigjen pozitivisht tryezës së Presidentit Nishani.
Rama: Gati për dialog
Rama e cilëson si të vonuar thirrjen e Nishanit, por i është përgjigjur menjëherë pozitivisht ftesës për dialog me Bashën.
Kryeministri ironizon Nishanin kur shprehet se është i shqetësuar për përmasat që po merr kriza e Partisë Demokratike dhe jo e vendit.
“Z.President!Edhe unë jam i shqetësuar për përmasat që po merr kriza e PD!Jam gati t’i përgjigjem thirrjes suaj kaq të vonuar e të ulem me LB” thotë ai.
Pas Ramës edhe Basha pranon ftesën e Nishanit për dialog
Pak minuta pas thirrjes së Nishanit, edhe Basha i është përgjigjur pozitivisht kërkesës për dialog, ndërsa në deklaratën e koalicionit opozitar për herë të parë nuk përmendet qeveria teknike.
Koalicioni opozitar i udhëhequr nga Basha shprehet në deklaratë se “Partia Demokratike dhe i gjithe Koalicioni opozitar mirepresin ftesen institucionale te Presidentit Nishani per dialog ne funksion te zgjidhjes se krizes se rende politike qe ka mberthyer Shqiperine.
Ndonese shkaktari i kesaj krize Edi Rama me veprimet dhe qendrimet e tij ka vendosur interesin e tij vetjak para interesave te qytetareve shqiptare, opozita dhe Partia Demokratike kane kerkuar gjithmone rrugen e dialogut te vertete dhe jo fasade per tu bashkuar ne luften kunder krimit, droges, korrupsionit dhe kthimit te shtetit ne garnizon elektoral te pushtetit, qe kercenojne asgjesimin e zgjedhjeve, demokracise dhe stabilitetit permes zgjidhjes se ofruar
Partia Demokratike dhe Koalicioni Opozitar rikonfirmojne gatishmerine e tyre duke ju pergjigjur pozitivisht fteses se Presidentit Nishani”