Arkeologu: Durrësi ka nevojë urgjente për zonifikim e rregullore të reformuar juridike
Në ditët 4 deri 8 shtator 2013, në qytetin Pilsen të Çekisë u organizua Konferenca Vjetore e 19-të e Shoqatës Evropiane të Arkeologëve (EAA-European Association of Archaeologists) me temë “Qeverisja e Pasurisë së Trashëgimisë Arkeologjike” (Archaeological Heritage Resource Management). Shoqata Evropiane e Arkeologëve organizon çdo shtator në vende të ndryshme të Evropës takimin vjetor, që është forumi kryesor i saj, ku paraqiten çështjet më të rëndësishme të vitit arkeologjik në arkeologjinë prehistorike, klasike antike, mesjetare dhe të Kohës së Re. Si temë e veçantë këtë vit u trajtua Metodologjia në Arkeologjinë e Shpëtimit: Mekanizimi në vlerësimet dhe gërmimet arkeologjike (Methodology in Preventive Archaeology: Mechanization in evaluations and excavations). Arkeologu dhe historiani i trashëgimisë kulturore Gjergj Frashëri paraqiti në këtë konferencë referatin e tij me titull “Rezultate dhe Metoda e punës në gërmimin e shpëtimit arkeologjik të kryer në ‘Lulishten 1 Maji’ në Durrës” në vitin 2010 (The rescue excavation “Lulishtja 1 Maj” in Durrës – methods and results). Pjesë të referatit të tij janë zgjedhur për lexuesin e gazetës sonë.
* * *
Kur flasim për kategorinë e Gërmimit të Shpëtimit kemi parasysh zbatimin e koncepteve dhe udhëzimeve të Konventës Evropiane të Arkeologjisë së Shpëtimit, të hartuar në janar 1992 në Valletta të Maltës dhe të nënshkruar (ratifikuar) nga vendi ynë në shkurt 2008. Si shembull të gërmimit të shpëtimit nga Shqipëria zgjodhëm për ta paraqitur në këtë konferencë një gërmim nga qyteti i lashtë i Durrësit, i pagëzuar në prehistori si vendbanim ilir me emrin Epidamn në pjesën e sipërme kodrinore të tij, i njoftuar për ekzistencën e tij si qytet në vitin 627 p.Kr. si një nga kolonitë e hapësirës perandorake helene, dhe i zmadhuar më tej në pjesën (hapësirën) fushore në kohën antike me emrin Dyrrah, duke u bërë një nga qytetet më të mëdha të botës antike mesdhetare. Është gërmimi, ku për herë të parë në Shqipëri u aplikuan udhëzimet e Konventës së Valletta-s.
Sipërfaqja e gërmimit prej rreth 5.000 m2 ndodhej në ish-“Lulishten 1 Maji”, pranë stacionit qendror të autobusëve të Durrësit. Një sipërmarrës (investitor) i qytetit kishte marrë leje të ndërtonte aty një ndërtesë banimi dhe shërbimi me 6 kate mbitokë dhe 2 kate nëntokë. Meqenëse nëntoka përmbante lëndë arkeologjike, Agjencia e Shërbimit Arkeologjik (AShA) pranë MTKRS-së, në bazë të ligjit, e detyroi sipërmarrësin përpara se të fillonte ndërtimin e tij, të financonte fillimisht gërmimin dhe dokumentimin e substancës arkeologjike që do të zbulohej. Gërmimi u realizua nga muaji Maj deri në Tetor 2010 nga Shoqëria “AKeR Shpk” Tiranë, e cila është shoqëria e parë për arkeologji dhe restaurim e licencuar në Shqipëri, një degë e Firmës së specializuar gjermane “Stadt-und Landschaftsarchaeologie” me qendër në Köln dhe Berlin.
Sipërfaqja e gërmimit nxori në dritë një njësi urbane të qytetit të Durrësit, në përdorim intensiv prej kohës arkaike deri në mbarim të Antikitetit të vonë (Foto 1). Substanca dominuese arkeologjike e zbuluar tregon një fragment lagjeje romake, e formuar nga një rrjet rrugor ortogonal në drejtim veri-jug/lindje-perëndim. Të pesë ishujt që priten nga rrugët janë të mbushura me ndërtesa banimi të qytetarëve. Në katin përdhes të çdo banese ndodheshin dyqanet me daljen direkt në rrugë, ndërsa në brendësi, çdo banesë kishte punishten e vet. Dhomat e banimit ndodheshin në katet e sipërme, të cilat nuk ruheshin. Materiali arkeologjik tregoi se kjo lagje ka qenë banuar nga zejtarë të Durrësit. Kështu u gjendën mbetje të dy punishteje të punimit në qelq, një punishteje për prodhime objektesh metalike shtëpiake dhe një punishteje për ngjyrosje qeramike dhe tjegullash. Midis dyqaneve u dëshmuan një numër i madh kallëpesh për prodhimin e objekteve të qeramikës, peshore tezgjahu, objekte prej metali, të tjera prej qeramike dhe qelqi, si dhe prodhime gjysmë të gatshme të gjilpërave prej kocke. Shumë nga ambientet ku bëheshin këto prodhime ishin të pajisura me puse, me vatra zjarri, govata uji dhe në disa ambiente magazinimi u gjendën pitosë të mëdhenj.
Rrugët me gjerësi rreth 3,50 m ishin të shtruara me kalldrëm me gurë lumi të mëdhenj, ndërsa në kryqëzimin e tyre, me pllaka të mëdha guri gëlqeror. Në tërë anët e rrugëve gjenden kanale me gjerësi 0,7 m dhe lartësi 1,20 m për shkarkimin e ujërave të papastra të banesave dhe të shirave (Foto 2, 3). Mbi qemerët e kanaleve ndodhen trotuaret me gjerësi 1,00 m, të cilët anësoheshin me arkada përgjatë rrugës, ndërsa sipër mbuloheshin nga kati i sipërm i banesave. Tubacione prej plumbi të vendosura në mbulesën e kanaleve shërbenin për sjelljen e ujit të pijshëm në çdo banesë.
Kjo pjesë lagjeje e zbuluar ka filluar të ndërtohet ndërmjet fundit të shek. 2 dhe fillimit të shek. 1
p.Kr., mbi një shesh ndërtimi të krijuar enkas prej mbushjes me një shtresë të trashë horizontale argjile në tërë sipërfaqen e lagjes. Nën këtë mbushje u gjendën ndërtime më të hershme. Mbetje të disa banesave me mure të thata me gurë të mëdhenj dhe me kanale shkarkimi dhe tubacione prej terakote për ujë të pijshëm datojnë në shek. 3 dhe shek. 2 p.Kr. Midis tyre u zbulua edhe një banesë peristili me një vaskë të vogël në dhomën e banjës. Ndërtime në hapësira më të vogla me copa guri të lidhura me baltë, kalldrëme prej zhavorri dhe gjurmët e një rruge prej druri janë mbetje të ndërtimeve edhe më të hershme.
Me këtë infrastrukturë kjo lagje ka vazhduar të përdorej me rindërtime të mbivëna edhe në periudhën e parë bizantine. Përgjatë shek. 4, pas një rrënimi të përgjithshëm të saj, lagjja është braktisur. Por në fund të shek. 4 deri në fillim të shek. 5 rrënojat e saj janë mbuluar me një shtresë prej 0,5 m argjile, mbi të cilën janë ndërtuar komplekse të mëdha ndërtesash, të cilat nuk kanë lidhje me ndërtimet e poshtme të kohës romake. Ndërsa rrugët e mëparshme kanë vazhduar të funksiononin edhe në kohën bizantine. Duket se në treçerekun e shek. 5 lagjja është rrënuar përsëri. Mbi rrënojat e braktisura sërish të saj në fund të shek. 5, në kontekstin e ndërtimeve të hershme kristiane, është ngritur një oborr i madh gjysmërrethor (gjysmë Rotonde) me arkadë kolonash orientuar nga lindja dhe me një radhë dhomash të vogla në krahun perëndimor. Gjatë shekujve 6-9 e gjithë sipërfaqja brenda dhe jashtë saj është përdorur si varrezë.
Ajo që duhet të theksohet, është se kjo pjesë lagjeje e zbuluar e Durrësit ndodhet rreth 300 m larg bërthamës aristokratike të qytetit antik, pra thuajse në hapësirën periferike të tij gjatë periudhës arkaike, helene, romake dhe bizantine të hershme (shek. 4 p.Kr deri në shek 6 e.s.). Rezultatet e këtij gërmimi më bindën edhe një herë më tepër, se Durrësi, për nga niveli i qytetërimit dhe zhvillimi urbanistik mund të krahasohet direkt me Pompein në lulëzimin e vet dhe në vazhdimësi me Romën e shek. 1 p.Kr. deri në shek. 2 të erës sonë. Së afërmi lexuesi do të njihet gjerësisht me këto rezultate në një libër tregjuhësh që është tashmë në redaktim.
* * *
Duke pasur parasysh mungesën e theksuar të burimeve historike dhe informacionin arkeologjik për nëntokën e ndërtimit, ky gërmim arkeologjik arriti një sukses për rezultatet dokumentare që solli. Në Durrës është gërmuar shumë, por janë kryer shumë pak gërmime arkeologjike dhe fare pak rezultate prej tyre janë hedhur në letër me disiplinën tekniko-shkencore. Nga disa sondazhe paraprake u kuptua herët se nëntoka që do gërmohej ruante substancë arkeologjike. Meqenëse gërmimi do të financohej tërësisht nga investitori privat shqiptar pa ndihmesë nga shteti, atëherë u planifikua një kohë shumë e ngushtë dhe mjete tepër të kursyera financiare për realizimin e gërmimit. Fatmirësisht u mor vendimi që gërmimi të mos kryhej paralel me ndërtimin, por substanca arkeologjike të zbulohej e tëra për një dokumentim të plotë e të shpejtë të saj dhe pas vlerësimit, t’i jepej sipërmarrësit njëherësh i gjithë sheshi për ndërtimin e tij. Kështu gërmimi u krye frontal në thellësi deri në nivelin e kalldrëmeve të lagjes antike. Ai avancoi horizontalisht vetëm në një drejtim të fushës, në parcela gjeometrike deri 5 m gjerësi. Çdo parcelë u thellua dhe u dokumentua në tri plane, së bashku me profilet gjatësore dhe tërthore të tyre. Përveç kësaj, e gjithë lagjja antike u mat me një 3-D-Laserscanner profesional. Nëpërmjet zbatimit të këtij koncepti bashkëkohor të gërmimit, me gjithë presionin ekstrem të kohës së shkurtër që ishte në dispozicion, u arrit një hulumtim stratigrafik themelor i situatës arkeologjike. Ky gërmim shpëtimi u kthye kështu në një gërmim shkencor, i cili për herë të parë arriti të përcaktonte në mënyrë të sigurt horizontet kulturore të Dyrrahut antik.
Nga pikëpamja profesionale gërmimi shënoi një hap pozitiv, sepse u krye nga specialistë me përvojë evropiane në udhëzimet e Konventës së Valletta-s. Ai do të mbetet një model bazë, një gur themeli për punën e arkeologëve të shpëtimit në Shqipëri. Por këtu nuk e kemi fjalën vetëm për suksesin. Gërmimi dështoi në çështjen e ruajtjes dhe konservimit për qëllime muzeore të substancës arkeologjike in situ, që rezultoi me vlerë të spikatur historike ndërkombëtare. U ndodhëm përpara një vlerësimi të gabuar të institucioneve ministrore, të cilët e patën përcaktuar nëntokën e kësaj hapësire të qytetit të Durrësit me statusin e gërmimit të shpëtimit, pra për të lejuar aty ndërtim të ri. Investitori ushtroi presion “me të drejtën e tij” për të eliminuar gjithçka nga pasuria arkeologjike in situ që doli nga gërmimi në truallin-pronë të tij, me qëllim që të hidhte themelet e ndërtesës së tij. Ministria e Kulturës me institucionet e saj përgjegjëse, Instituti i Monumenteve të Kulturës (IMK) dhe Këshilli Kombëtar i Arkeologjisë (KKA), i dhanë atij mbas një vit e gjysmë pritjeje – aprovimin e lejes për ndërtim, bashkë me lëshime të tjera të panevojshme. Kështu, rreth 30% e nëntokës që u përdor për ndërtim, u largua pa u kryer gërmimi arkeologjik. Gjithashtu edhe gërmimi në sipërfaqen e zbuluar nuk shkoi deri në fund, nuk u hulumtua deri në tabanin arkeologjik. Nga ana e institucioneve përgjegjëse shtetërore u sajuan të ashtuquajtura probleme tekniko-administrative, financiare dhe politike, nga ku dolën vendime ministrore, prej të cilave nuk u bë e mundur të gjurmoheshin midis të tjerave shtresat arkeologjike nën nivelin e rrugëve dhe nën themelet e banesave romake, ku gjurmët e konstruksioneve të një rruge prej druri dhe ndërtesave më të hershme ishin vërejtur gjatë kërkimeve. Në konfliktin midis shtetit dhe privatit ndërtues, fitoi privati, humbi pasuria arkeologjike. Nga e gjithë kjo pasuri arkeologjike u planifikua të ruhej in situ vetëm një fragment i kryqëzimit të rrugëve të kohës romake. Ndërsa tri fragmente mozaikësh dhe një tavolinë pune për prodhimin e objekteve të qelqit u translokuan për qëllime muzeore. Kjo ishte përvoja e parë e strukturave shtetërore të Arkeologjisë së Shpëtimit në Shqipëri me investitorin privat dhe me subjektin e licencuar në kryerjen e një gërmimi shpëtimi, sipas udhëzimeve të Konventës së Valletta-s. Ishte pra një test i dobësisë profesionale të institucionit shtetëror, ku udhëzimet e Konventës Evropiane të Arkeologjisë së Shpëtimit u aplikuan në vendin e gabuar të nëntokës arkeologjike. Për shkak se substanca arkeologjike që u zbulua nga ky gërmim ishte e një potence të lartë historike, zgjidhja i takonte të ishte ruajtja tërësisht in situ të substancës arkeologjike, pra themelimit të një parku arkeologjik me vlera njohëse dokumentare të interesit ndërkombëtar. Por iu dha zgjidhja e kundërt, zhdukja në masë e substancës arkeologjike pas gërmimit. Sot në sipërfaqen e gërmimit janë ngritur dy pallate gjashtëkatëshe me garazhe në nëntokë. Ky ishte një shembull i qartë, se një nëntoke me përmbajtje dhe pasuri arkeologjike të tillë nuk i takon t’i nënshtrohet fatit dhe kushteve të një gërmimi shpëtimi. Atëherë shtrohet pyetja: Përse u kategorizua ky projekt si gërmim shpëtimi?
Për ruajtjen e pasurisë së rrallë arkeologjike, arkeologët shqiptarë pas Luftës së Dytë Botërore, e dalluan nëntokën e Durrësit në tre zona me potencial të ndryshëm arkeologjik (Foto 4) – Zona A, hapësira e bërthamës religjioze të qytetit antik ku nuk lejohej asnjë lloj ndërtimi i ri; Zona B, ku ndërtimet e reja bëheshin të mundshme pasi të kryheshin vëzhgimet e hapjes së transheve të themeleve të tyre dhe rezultonte se nuk kishte prekje të substancës arkeologjike; Zona C, hapësira periferike e qytetit antik dhe mesjetar, ku ndërtimet e reja ishin të lejuara paralel me punimet e gërmimit. Kjo ndarje bashkë me rregulloren e vet pati sukses në periudhën e diktaturës (1945-1991), pasi ndërtimet e reja në Durrës në Zonën B nuk lejoheshin të ndërtoheshin më të larta se pesë kate mbi tokë, kurse në nëntokë nuk u ndërtuan asnjëherë garazhe. Kështu, tabanët e themeleve të këtyre ndërtesave modeste arrinin thellësitë maksimale deri në 1,60-1,80 m, pra ato nuk i preknin shtresat me potencë arkeologjike, që në Durrës fillojnë në thellësinë 2,0-2,20 m.
Por pas vitit 1991 situata politike në Shqipëri ndryshoi dhe boom-i ndërtimor përfshiu edhe Durrësin. Derisa u ratifikua Konventa e Valletta-s nga Shqipëria në shkurt 2008 për 16 vjet rresht (1992-2008), edhe në Durrës si në të gjithë vendin, u ngritën me intensitet ndërtime pa leje dhe pa kontroll, dhjetëra e dhjetëra ndërtesa deri 12 kate mbitokë dhe deri dy kate garazhe nëntokë deri në 8 m thellësi, duke zhdukur substancën arkeologjike, pa u kryer dokumentacion arkeologjik. Kjo ndodhi jo vetëm në zonën B dhe C, por edhe në zonën A, ku nuk lejohej apriori çfarëdolloj ndërtimi. Me themelimin e AShA-s më 2008 situata ndryshoi dhe pikërisht gërmimi që po paraqesim është i pari i koordinuar dhe i kontrolluar prej saj në historinë e vendit.
* * *
Qysh me përfundimin e këtij gërmimi në nëntor 2010, aktiviteti i arkeologjisë së shpëtimit nëpërmjet firmave private në Shqipëri dhe në veçanti në Durrës, me përjashtim të ndonjë rasti të rrallë, është ndërprerë. Janë me dhjetëra e dhjetëra gropa të tjera për ndërtime të reja që janë hapur në hapësirën e zonës B të qytetit të Durrësit, të koordinuara dhe kontrolluara nga vetë AShA, ku nuk janë zbatuar rregullat teknike të parashikuara të gërmimit të shpëtimit, çka do të thotë dëme të substancës arkeologjike. Problemi nuk është te mungesa e dëshirës dhe e kuptimit të investitorëve ndërtues për të paguar gërmimin. Problemi është mjerisht, pasuria e paçmuar arkeologjike e nëntokës së Durrësit, mbi të cilën çfarëdo vendimi që merret për ndërtime të reja, përbën një krim. Është një ndeshje primitive midis shpërdorimit të përgjegjësisë së institucioneve qeveritare për dhënien e lejeve për ndërtime të reja në një truall me vlera madhore ndërkombëtare arkeologjike dhe luftës pa skrupull të investitorëve të ndërtimit për të mos ruajtur asgjë muzeore in situ nga substanca arkeologjike në pronën e tyre.
Prandaj ka kohë që në Shqipëri dhe në Durrës është krijuar një realitet në dëm të hapur ndaj pasurisë arkeologjike. Preferohet marrëveshja midis investitorëve dhe nëpunësve të shtetit për të zbrazur ilegalisht gropën e ndërtimit brenda një nate bashkë me substancën arkeologjike dhe për ta hedhur në plehrat arkeologjike jashtë qytetit. Në këtë mënyrë shmangin të dyja palët vonesat e vendimmarrjeve, shpenzimet për dokumentimin dhe konservimet, kursejnë shpenzimet për ndryshimin e projektit për shkaqe arkeologjike, shmangin shqetësimet politike që shkaktojnë mediat. Vetëm dëmet kolosale të pasurisë arkeologjike nuk llogariten në këtë mes. Përgjegjësinë kryesore e kanë në këtë mes nëpunësit shtetërorë, me korrupsionin e tyre që prej dy dekadash ka evoluar në Shqipëri si në asnjë vend tjetër aq sa njohim.
E solla këtë shembull në këtë Konferencë edhe për të tërhequr vëmendjen, se nëntoka e Durrësit antik e mesjetar, si thesar arkeologjik me rrezatim të ndërsjellë në kulturën evropiane e mesdhetare, nuk duhet të trajtohet më tej si një fushë për ndërtime. Zonifikimi dhe rregullorja për mbrojtjen e nëntokës arkeologjike të Durrësit ka luajtur një rol të madh mbrojtës në periudhën 1945-1991 kur zotëronte prona shtetërore. Por prej dy dekadash ajo nuk është më aktuale. Zona B duhet të njësohet sa më parë me zonën A dhe të ndalohet çdo lloj iniciative për dhënie lejesh ndërtimi, duke ndaluar çdo lloj gërmimi arkeologjik, përfshirë edhe ato të shpëtimit.
Mbrojtja e Pasurisë së Nëntokës Arkeologjike dhe e Vlerave Historike të monumenteve të Kulturës në qytetin e Durrësit, ka nevojë urgjente për një zonifikim dhe rregullore të reformuar juridike të saj, duke marrë parasysh agresivitetin e pronës private dhe korrupsionin pakufi në rritje të segmenteve qeveritare dhe të institucioneve shtetërore në Shqipëri. Në këtë mes mungon njëherazi urgjentisht një vendim i madh: Nëntoka e Durrësit antik dhe mesjetar nuk ka qenë dhe nuk është për ndërtime të reja. Të ndalohen ato pa kushte! Durrësit nuk i ka munguar dhe nuk i mungon toka e ndërtimeve të reja, as sot, as nesër.
*Gjergj Frashëri
Qendra Frashëri-Tiranë
–^^^ Beji “Like” faqes ne facebook “Zgjohu Shqiptar !!!”
Me pas kliko ketu per ta shperndare ne profilin tuaj.