Robert Elsie zbulon fotot e rralla të fshatrave çamë më 1913 (FOTO)

Imazhe të një kohe të perënduar! Të fundmet çaste të Shqipërisë së bashkuar, të Shqipërisë etnike, një e të pandarë mes gjithë fqinjëve të Ballkanit. Robert Elsie, albanologu i njohur ka publikuar në sajtin e tij, një koleksion fotografish të rralla me rëndësi të madhe historike. Ato janë realizuar në vitin 1913 nga zvicerani Frederik Buasona (Frédéric apo Fred Boissonnas). Ndonëse nuk dihet muaji në të cilin fotografitë kanë marrë jetë, fakti që i përkasin vitit 1913, në të cilin Konferenca e Ambasadorëve në Londër dha verdiktin për Shqipërinë, i bën ato edhe më të veçanta. Mbi të gjitha, ka rëndësi fakti se në fokusin e Buasonasë ka qenë më së shumti Çamëria, ajo që ne humbëm.
Ura e Artës; plazhi dhe Kalaja e Pargës; imazhe nga Paramithia: një shtëpi karakteristike, tregu e xhamia e fshatit dhe gra shqiptare me veshje popullore, që qepin rrobat ulur në shkallë; kalaja e Janinës; Konica e famshme e Faikut; rreth pesë pamje nga Filati, ndër to edhe një gjol i vogël; lumi Tiamis në Vërselë të Çamërisë; Ura e Gumanit në Filat; dy foto nga Delvina; e më pas Kaçaniku, Ferizaj dhe malet e Sharrit; Gjilani e Fushë Kosova; Graçanica e Prishtina janë vendet që ai fokusoi në celuloid. Shqipëria e 100 viteve më parë na shfaqet kaq e varfër, e prapë kaq e bukur, e thellë-thellë, kaq e dhimbshme. Vihet re që albanologu Elsie ka sqaruar në diçiturat e imazheve se këto zona, tashmë (për fat të keq) janë në Greqi.
Frederik Buasona (Frédéric apo Fred Boissonnas, 1858-1946) ishte fotograf zviceran, i cili lindi në një familje të njohur fotografësh në Gjenevë. Mbahet mend kryesisht për fotot e hershme artistike të Greqisë. Artin e fotografisë e mësoi nga i ati, Anri-Antoan Buasona (Henri-Antoine Boissonnas, 1833-1889) dhe studioi në Shtutgart dhe në Budapest. “Buasona ishte magjepsur nga Greqia dhe në periudhën 1907-1913 udhëtoi në tokën helene pothuajse çdo vit, duke bërë mijëra fotografi. Udhëtimi në rajon në vitin 1913 me historianin zviceran të artit Daniel Bo-Bovi (Daniel Baud-Bovy, 1870-1958) ishte veçanërisht i frytshëm. Në vitin 1919 themeloi shtëpinë botuese ‘Editions Boissannas’ dhe botoi gjithsej rreth 50 libra”, shkruan Elsie. Fotot e Buasonasë nga Greqia dhe jugu i Ballkanit u botuan ndër të tjera në vëllimet: L’image de la Grèce: l’Epire – berceau des Grecs (Imazhi i Greqisë: Epiri – djepi i grekëve), Gjenevë 1915, dhe L’image de la Serbie: le berceau des serbes (Imazhi i Serbisë: djepi i serbëve), Gjenevë 1919. Fotografitë e Greqisë dhe në mënyrë të veçantë ato të Çamërisë në kohën e përfshirjes së saj në shtetin grek kanë jo vetëm rëndësi dokumentare, por edhe një vlerë të lartë artistike. Ky koleksion i fotografive të Fred Buasonasë është vetëm një pjesë e vogël e fotografive që ai bëri në Greqi dhe në jug të Ballkanit. /bw

  –^^^  Beji “Like” faqes ne facebook “Zgjohu Shqiptar !!!”
             Me pas kliko ketu per ta shperndare ne profilin tuaj.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT