Shqipëria sot vendos

Shqipëria sot vendos Ka nisur procesi i votimit për të zgjedhur ata që do të na qeverisin katër vitet e ardhshme.

Në orën 7.00 u hapën
Qendrat e Votimit, ku pritet të ushtrojnë të drejtën e tyre për të
zgjedhur 3.271.885 zgjedhës, shifër kjo e nxjerrë nga regjistrimi
kombëtar elektronik. 19 qendra të posaçme votimi janë ngritur dhe në
burgje për 5000 te dënuar dhe paraburgosur që zgjedhjet i gjejnë në
qeli. 150.000 është numri i votuesve që votojnë për herë të parë. 

Kryetarja e KQZ-së, zonja Lefterie Lleshi hapi në mënyrë simbolike një qendër votimi në Tiranë rreth orës 07:10.

“I bëj thirrje shqiptarëve të votojnë masivisht, të lirë dhe në
fshehtësi. Gjithashtu i bëj thirrje komisionerëve të kryejnë detyrën
sipas Kodit Zgjedhor dhe të lenë mënjanë ndikimet politike”, u shpreh
Lleshi për mediat pas votimit.

Vendi është i ndarë në 12
qarqe. Të regjistruar si subjekte elektorale janë 66 parti dhe dy
subjekte të pavarur. Subjektet politike jane grupuar në dy koalicione:
“Aleanca për Punësim, Mirëqenie dhe Integrim”, e drejtuar nga Partia
Demokratike e kryeministrit Sali Berisha dhe “Aleanca për Shqipërinë
Europiane”, e drejtuar nga Partia Socialiste, me kryetar Edi Ramën.
Qarku i Tiranës do të nxjerrë numrin më të madh të deputetëve 32, kurse
ai i Kukësit numrin më të vogël, 4 deputetë.

Në këtë proces
zgjedhor ka një numër më të lartë të komisioneve në të gjithë piramidën
elektorale. Po ashtu, ky është edhe procesi më i vëzhguar nga
ndërkombëtaret dhe organizatat në vend. Monitoruesit vendas janë rreth 8
mijë, ndërsa ata të huaj rreth 1 mijë, në përputhje me rëndësinë që
procesi elektoral i së dielës është konsideruar nga ndërkombëtarët si
tejet të rëndësishëm për integrimin e Shqipërisë në BE.

Policia njofton se ka marrë në ruajtje 5.508 Qendrat e Votimit në të
gjithë territorin e vendit dhe se në këtë aksion janë angazhuar 6200
policë.

Po ashtu edhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve njoftoi
se është realizuar me sukses shpërndarja e materialeve zgjedhore dhe
fletëve të votimit në 89 Zonat e Administrimit Zgjedhor. Kryetarja e
këtij Komisioni i bëri apel komisionerëve në të gjithë vendin që të
bashkëpunojnë.

Informacionet zgjedhore sipas qarqeve

Tirana, 32 mandate

Qarku i Tiranës kishte një popullsi prej 766 mijë banorësh më 2013 me
rritje 26.1 për qind në krahasim me vitin 2001 kur kishte 597 mijë
banorë. Lista e votuesve për Tiranën mbart 784 mijë emra, nga 725 mijë
që kishte në vitin 2009.

Tirana është edhe një nga qarqet që
mund të sjellë përcaktimin e fituesit në këto zgjedhje. Në vitin 2009,
koalicioni i udhëhequr nga PD mori 178 mijë vota, koalicioni i vogël i
djathtë Poli i Lirisë mori rreth 7 mijë vota. Koalicioni i PS mori 173
mijë vota ndërsa LSI mori rreth 20 mijë vota. Aleanca e udhëhequr nga PD
fitoi 16 mandate (një u fitua nga republikanët) ndërsa koalicioni i PS
mori 15 mandate dhe LSI mori 1 mandat.

Një ndryshim i lehtë
në këtë rezultat mundet të përcaktojë edhe fatin e një mandati më shumë
për njërën palë dhe një mandati më pak për palën tjetër.

Durrësi, 13 mandate

Durrësi është një nga dy qarqet e vetme në Shqipëri që kanë shënuar
rritje të popullsisë dhe rritje të normës së urbanizimit. Në vitin 2013,
në Durrës banonin 267 mijë vetë me rritje 7.8 për qind në krahasim me
vitin 2001 kur popullata banuese qe 245 mijë vetë. Në listat e votuesve
në Durrës gjenden 308 mijë emra, ndërsa më 2009 kishte 290 mijë emra.

Në vitin 2009, aleanca e PD mori 68 mijë vota, Poli i Lirisë, 1122
vota, koalicioni i PS mori 52 mijë vota ndërsa Koalicioni i LSI mori 10
mijë vota.

Në total, PD mori 7 mandate, PS 5 dhe LSI 1
mandat. Edhe në Durrës mund të kemi surpriza për shkak se metoda e
llogaritjes së ndarjes së mandateve e bën të mundur që pak vota t’i
japin një mandat shtesë njërës palë apo palës tjetër.

Elbasani, 14 mandate

Elbasani është një qark tjetër që ka shënuar rënie të konsiderueshme
të popullsisë banuese. Në vitin 2013, popullsia e këtij qarku qe 293
mijë banorë me rënie 18 për qind nga 362 mijë banorë në vitin 2001.
Elbasani ka 319 mijë votues në lista ndërsa në zgjedhjet e vitit 2009,
votuan 158 mijë vetë. Nga këto, 69 mijë vetë votuan aleancën e PD, 73
mijë vetë aleancën e PS ndërsa aleanca e drejtuar nga LSI mori 7,700
vota. Mandatet janë ndarë në mënyrë të barabartë 7 me 7.

Berati, 8 mandate

beratPopullsia në qarkun e Beratit qe 138 mijë vetë në vitin 2013 nga
192 mijë vetë që qe në vitin 2001. Në listat zgjedhore në këtë qark
gjenden 178 mijë votues, ndërsa në vitin 2009 morën pjesë 84 mijë
votues. Aleanca e udhëhequr nga PD mori 27 mijë vota ndërsa ajo e
udhëhequr nga PS mori 44 mijë vota. LSI mori 9,200 vota. PD mori 3
mandate, PS 4 mandate dhe LSI mori 1 mandat.

Lezha, 7 mandate

Qarku i Lezhës shënoi 133 mijë banorë më 2013 me rënie 15.3 për qind
në krahasim me vitin 2001 kur popullata qe 159 mijë banorë. Në Listat e
Votuesve, ky qark ka më 2013 160 mijë emra, ndërsa në vitin 2009, pati
148 mijë emra.

Në vitin 2009, në këtë qark morën pjesë 72
mijë votues në zgjedhje, nga të cilët, Aleanca e Djathtë mori 37 mijë
vota dhe aleanca e majtë mori 24 mijë vota. Aleanca e udhëhequr nga LSI
mori rreth 4 mijë vota ndërsa Aleanca Poli i Lirisë mori 2300 vota. LSI
shpreson të nxjerrë një deputet në këtë zonë, por në zgjedhjet e vitit
2009 më vete ka marrë 2500 vota, shifër kjo që duhet të dyfishohet për
të patur të sigurtë nxjerrjen e një deputeti.

Fieri, 16 mandate

Popullsia e qarkut Fier më 2013 qe 305 mijë banorë, me rënie 18.4 për
qind në krahasim me vitin 2001 kur qe 382 mijë banorë. Fieri ka 16
mandate zgjedhore dhe kjo ka bërë që lufta politike për këtë qark të
jetë e ashpër. Në Fier u shënuan më 2009 disa nga përplasjet më të egra
si dhe një manipulim zgjedhor i faktuar në Rruzhdije, ngjarje që u bë
simbolikë e mbushjes së kutive të votimit me vota emigrantësh që nuk
qenë të pranishëm.

Lista zgjedhore e Fierit këtë herë ka 376
mijë votues ndërsa më 2009 kishte 352 mijë votues. Më 2009, morën pjesë
179 mijë votues, nga të cilët, afro 92 mijë votuan për Partinë
Socialiste, 11 mijë për koalicionin e udhëhequr nga LSI dhe 71 mijë për
koalicionin e udhëhequr nga PD. PS mori 9 mandate, PD 6 mandate dhe LSI
mori 1 mandat. Shfaqja e PDIU në skenën politike si dhe kandidimi i
pavarur i Dritan Priftit janë të rejat e qarkut të Fierit.

Dibra, 6 mandate

Dibra është një qark tjetër që ka shënuar rënie drastike të
popullsisë. Në vitin 2013 këtu banonin 133 mijë vetë, nga 189 mijë vetë
që banonin në vitin 2001, me rënie të përgjithshme prej 27 për qind dhe
me rënie mesatare vjetore prej 3 për qind. Në listat e votuesve, Dibra
këtë vit ka 129 mijë vetë, nga 122 mijë që kishte më 2009.


vitin 2009, Aleanca e Djathtë mori 40 mijë vota ndërsa Aleanca e Majtë
mori 22 mijë vota. LSI mori 4 mijë vota ndërsa Poli i Lirisë mori 2800
vota.

Kukësi, 4 mandate

Qarku i
Kukësit pati 83 mijë banorë më 2013 me rënie 22.7 për qind në krahasim
me vitin 2001 kur qenë 111 mijë banorë. Rënia mesatare vjetore është 2.4
për qind. Por lista zgjedhore e Qarkut të Kukësit për këtë vit është 78
mijë vetë, me rritje të ndjeshme në krahasim me vitin 2009, kur lista
zgjedhore përmbante 73 mijë emra. Sipas të gjitha gjasave, në Kukës
duhej të nxirreshin tre mandate deputetësh, por regjistrime të reja të
popullsisë banuese në disa zona të thella bënë që popullsia të rritej
artificialisht. Rrjedhimisht, maxhoranca aktuale pritet të nxjerrë në
këtë qark një deputet më shumë se sa duhej.

Në vitin 2009,
Aleanca e Djathtë fitoi në këtë Qark 28 mijë vota ndërsa Aleanca e Majtë
e udhëhequr nga PS fitoi 13,700 vota. LSI fitoi 1200 vota. Partia
Demokratike fitoi 3 mandate në këtë qark ndërsa Partia Socialiste, 1
mandat.

Qarku Korçë: 8 KZAZ, 447 qendra votimi, në total 273.287 votues

Qarku Vlorë: 9 KZAZ, 432 qendra votimi, në total 293.169 votues 

Qarku Gjirokastër: 4 KZAZ, 237 qendra votimi, në total 122.039 votues

Qarku i Shkodrës, 11 mandate

Qarku i Shkodrës ka shënuar një rënie të shpejtë të popullsisë totale
dhe popullsisë rurale dhe rënie më të përmbajtur të popullsisë urbane.
Në vitin 2013, qarku i Shkodrës shënoi 211 mijë banorë me rënie 15.5 për
qind në krahasim me vitin 2001, kur popullata banuese qe 256 mijë
banorë. Rënia mesatare vjetore është 1.6 për qind. Pavarësisht kësaj, në
listat zgjedhore të qarkut Shkodër, ka 250 mijë zgjedhës. Në vitin
2009, në këtë qark u hodhën 119 mijë vota.

Në vitin 2009, në
këtë qark koalicioni i Djathtë mori 67 mijë vota ndërsa koalicioni i
majtë mori 41 mijë vota. Lëvizja Socialiste për Integrim mori 3,400
vota.

Në këtë qark, e djathta mori 7 mandate deputetësh ndërsa e majta mori 4 mandate./ Top Channel

  –^^^  Beji “Like” faqes ne facebook “Zgjohu Shqiptar !!!”
               Me pas kliko ketu per ta shperndare ne profilin tuaj.

Back to top button
LAJMET E FUNDIT