Fitues Shqipëria, numërimi të mbyllet në orën 22.00
- Mendoj se vajti në përgjithësi mirë, në mënyrë normale, përveç incidentit tragjik në qytetin e Laçit”
Kryetar i Delegacionit ad hoc të Parlamentit Europian, për zgjedhjet
parlamentare të 23 qershorit, Eduard Kukan, shprehet se zgjedhjet do të
duhet të numëroheshin brenda ditës së djeshme Në një intervistë për DW,
Kukan thekson se ajo që pritet prej Shqipërisë është zhvillimi i
zgjedhjeve “të lira, të ndershme, demokratike” që do të sjellin një
imazh të ri për vendin për të ecur përpara lidhur me statusin e vendit
kandidat. z. Kukan, jeni në prag të nisjes për në Bruksel, cilat janë
përshtypjet tuaja për zhvillimin e votimit dje në Tiranë dhe ecurinë e
deritanishme të numërimit? A ju dhanë garanci palët se do të pranojnë
rezultatin? Mendoj se ajo vajti në përgjithësi mirë, në mënyrë normale,
përveç incidentit tragjik në qytetin e Laçit, ku u humb një jetë
njerëzore dhe kjo është e tmerrshme, nuk mund të përligjet dhe
justifikohet për asnjë arsye. Ne vizituam katër qendra votimi në Tiranë,
nuk u futëm brenda, por biseduam me qytetarët që do të votonin ose
kishin votuar. Nuk pati raportim incidentesh të tjera dramatike. Të dy
drejtuesit kryesorë politikë, në takimet që zhvillova sot paradite me ta
, thanë që dita e votimeve ishte normale dhe e civilizuar, gjë që është
lajm i mirë, pasi procesi elektoral nuk është vetëm votimi, por edhe
administrimi i votës, procesi i numërimit, pranimi i rezultateve që janë
po kaq të rëndësishme sa edhe votimi. Nga takimet që zhvilluam sot me
z. Berisha dhe z. Rama morëm garanci për përgjegjësitë e tyre politike
që procesi të jetë konstruktiv deri në fund. Kryeministri Berisha
rikonfirmoi dhe përsëriti se do të pranojë rezultatin e zgjedhjeve. Ai
shtoi se interesi i tij kryesor është që zgjedhjet parlamentare të jenë
në përputhje me ligjin shqiptar dhe standardet europiane. Kjo ishte
vërtet inkurajuese. Edhe z. Rama na tha se ai është gati të kontribuojë
për një atmosferë politike konstruktive dhe të përfundojë procesin në
një mënyrë të ligjshme. Delegacioni ynë kthehet sot në Bruksel me
mesazhe pozitive. Ajo që ne presim nga Shqipëria janë zhvillim i
zgjedhjeve të lira, të ndershme, demokratike që do të sjellin një imazh
të ri për vendin, që është shumë i rëndësishëm, pasi të gjithë presim të
ketë një raport pozitiv për Shqipërinë dhe për të ecur përpara lidhur
me statusin e vendit kandidat. Pra për ju këto ishin zgjedhje “të lira
dhe të ndershme”? Natyrisht, ka patur probleme, kriza në KQZ, ne
deklaruam se ajo duhet zgjidhur para ditës së votimit, se duhet të
funksionojë plotësisht me 7 dhe jo me 4 anëtarë për të marrë vendime me
shumicë të cilësuar, që tani nuk i merr dot. E vetmja zgjidhje ligjore
është certifikimi i rezultatit nga Kolegji Zgjedhor. Dhe kjo do të jetë
një minus në raportin për zgjedhjet parlamentare të 23 qershorit.
Gjithashtu delegacioni ynë dhe vëzhguesit ndërkombëtarë të OSBE/
ODIHR-it kanë dëgjuar për raste kur punonjësit e sektorit publik janë
vënë nën presion nga autoritetet shtetërore të votojnë në favor të
partive që bëjnë pjesë në koalicionin qeverisës. Pra, nuk kanë qenë
zgjedhje të përkryera, por nëse problemi i numërimit do të përfundojë
sonte pa asnjë problem… Do të përfundojë sonte, kur? Duhet të
përfundojë sonte, në orën 22.00. Është interesante se për kohën pyetëm
secilin nga dy liderët politikë kryesorë, Berishën dhe Ramën, dhe na
thanë të njëjtën gjë. Po kështu edhe kryetarja e KQZ, znj. Lleshi na
siguroi që sonte do të ketë përfunduar procesi i numërimit. A ndjeni
ndonjë farë shqetësimi se mos pas përfundimit sonte , në orën 22.00 të
mbrëmjes të procesit të numërimit, mund të ketë protesta nga mbështetës,
militant të palës humbëse? Për këtë folëm shumë qartë me dy drejtuesit
politikë, Berisha dhe Rama, dhe u kërkuam të marrin përgjegjësi për
situatën politike në vend pas publikimit të rezultateve të zgjedhjeve.
Pra, mendoj se këtë herë protestat dhe manifestimet në rrugë për
mospranim të rezultatit nga pala humbëse do të shmangen. Dhe për sa kohë
dy drejtuesit kryesorë politikë janë të ndërgjegjshëm për përgjegjësitë
e tyre, le të shpresojmë që e kaluara e rezultatit të kontestuar të
zgjedhjeve do të arkivohet në histori. Ne dëshirojmë që Shqipëria pas
këtyre zgjedhjeve të ketë një imazh më të mirë politik se sa e kishte
para zhvillimit të tyre. Kjo nuk është e lehtë , është e vështirë, por
është e nevojshme për vendin që të lëvizë përpara drejt Europës. Çfarë
pritet të ndryshojë për Shqipërinë pas këtyre zgjedhjeve, që ju i
përshkruat me tone pozitive? Parlamenti Europian është mbështetësi më i
madh i procesit të zgjerimit të BE. Kështu ka qenë përherë dhe kështu ka
mbetur. Ne përpiqemi të shprehim mbështetjen tonë ndaj çdo vendi
aspirant për t’ u bërë pjesë e zgjerimit, nëse Komisioni Europian ka
shumë procedura burokratike ne e shtyjmë të shpejtojë. Kjo ndodh edhe
për Shqipërinë. Shqipëria po pret vërtet për statusin e vendit kandidat.
Në Dhjetor do të jetë Këshilli Europian që do të merret me Progres
Raportet e KE për çdo vend aspirant, që KE do t’i publikojë diku nga
tetori. Nëse Progres Raporti do të pasqyrojë situatën e re në Shqipëri
dhe shpresojmë që situate e re do të jetë pozitive, e ndryshme nga ajo
që pasoi zgjedhjet parlamentaretë vitit 2009: bojkot të Parlamentit,
grevë urie nga opozita e protesta në rrugë etj. që ne besojmë fort që
nuk do të përsëriten. Shpresojmë që Progres Raporti që është përherë
objektiv është një mundësi tjetër për Shqipërinë që të përballet me
situatën në një mënyrë të vërtetë , europiane. Por kjo varet nga
drejtuesit politikë, nga vetë shqiptarët. Ky është mesazh konstant i PE
dhe BE. Çfarë do të mund te thoni tjetër sot, para nisjes tuaj për në
Bruksel? Kemi qenë të sigurtë që pjesëmarrja e qytetarëve në këto votime
do të ishte më e lartë se në zgjedhjet e mëparshme parlamentare, ato të
vitit 2009, edhe pse nuk ka ende të dhëna përfundimtare. Dua të
falenderoj gjithë votuesit, ky është një mesazh shumë i rëndësishëm, që
njerëzit janë të interesuar për të ardhmen e vendit të tyre. Është edhe
një mesazh për politikanët që ata duhet të punojnë fort për të mirën e
fundit. Dëshiroj të theksoj përgjegjshmërinë politike të drejtuesve
politikë për këto zgjedhje që filluan mirë dhe duhet të përfundojnë mirë
sepse ne dëshirojmë të ketë vetëm një fitues të këtyre zgjedhjeve. Emri
i tij është “Shqipëria”.
–^^^ Beji “Like” faqes ne facebook “Zgjohu Shqiptar !!!”
Me pas kliko ketu per ta shperndare ne profilin tuaj.